Nëpërmjet librit më të ri “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme: shekujt XVI-XX”, historiani Muhamed Mufaku ka sjellë atë që mëton të jetë një ndihmesë për lexuesit shqiptarë për t’i kuptuar më mirë zhvillimet në Lindjen e Mesme. Me një galeri personazhesh, shumë syresh jo fort të njohura, ai ka shpërfaqur botën shqiptare me guvernatorë, ushtarakë, nëpunës e gjithfarë funksionarësh të lartë nga Turqia deri në Jordan e Irak, e nga Algjeria deri në Egjipt. “Nuk është vetëm Arnautlluku, por një Shqipëri tjetër, aq e madhe sa shtrihej nga Turqia e Jemeni, me guvernatorë, ushtarakë, intelektualë e nëpunës”, ka thënë Mufaku
Me pyetjet si mund të kuptohet Lindja e Mesme përmes figurave të rëndësishme shqiptare dhe cila duhet të jetë qasja shqiptare kundrejt këtij rajoni, orientalisti i njohur Muhamed Mufaku i është rrekur një pune ambicioze. Me një galeri personazhesh, shumë syresh jo fort të njohura, ai ka shpërfaqur botën shqiptare me guvernatorë, ushtarakë, nëpunës e gjithfarë funksionarësh të lartë nga Turqia deri në Jordan e Irak, e nga Algjeria deri në Egjipt.
Nëpërmjet librit më të ri “Figura shqiptare në Lindjen e Mesme: shekujt XVI-XX”, botim i Logos-A nga Shkupi, historiani Muhamed Mufaku ka sjellë atë që mëton të jetë një ndihmesë për lexuesit shqiptarë për t’i kuptuar më mirë zhvillimet në Lindjen e Mesme gjatë shekullit njëzet. Dhe që në krye të herës, autori e ka menduar librin si një dedikim për mikun e tij të rinisë Nehat Islami, gazetari veteran që shërbeu si korrespodent i “Rilindjes” për Lindjen e Mesme me seli në Bejrut.
Në ceremoninë e organizuar nga “PEN Qendra” e Kosovës, libri është vlerësuar si një kontribut i çmuar në thellimin e njohjes për ata shqiptarë që ndikuan në rrjedhat politike, kulturore e sociale në shtetet arabe.
Në fjalën e hapjes, shkrimtari Ibrahim Kadriu ka vlerësuar se veprat e profesor Mufakut e kanë bërë Kosovën të njohur në botën arabe.
“Vullneti i tij për të shkruar për shqiptarët nis qysh në vitet ’70 kur erdhi nga Damasku”, ka thënë Kadriu teksa ka shtuar se Mufaku nuk ka lënë asgjë mangut në sqarimin e veprimtarisë së shqiptarëve të njohur në këtë pjesë të botës.
Mst: Mustafaj: “Një vepër që e tejkalon hapësirën shqiptare”
Për vlerat e librit ka folur shkrimtari dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, i cili e ka konsideruar si një botim me vlerë në bibliotekën enciklopedike shqipe.
“Përmbajtja e librit ndërthur sa histori personale, aq edhe kolektive të shqiptarëve në Lindjen e Mesme”, ka thënë Mustafaj, për të shtuar se autori Mufaku qe një gjysmëshekulli i është kushtuar fushës së marrëdhënieve të shqiptarëve me vendet e Lindjes së Mesme.
“Profesor Mufaku është një nga shqiptarët më koherentë në këtë përkushtim intelektual”.
Sipas ish-ministrit të Jashtëm, autori i librit është një shkencëtar i vërtetë, gjersa “hulumtimet e tij janë rreptësisht serioze” duke iu referuar arkivave, shtypit, si dhe dëshmive të tjera të mbledhura.
“Edhe stili i librit është i lavdërueshëm me një tekst që rrjedh, e siç do të thoshte Aristoteli ‘stili është vetë njeriu’”, ka shtuar Mustafaj.
Për të, studiuesi Mufaku ndjek parimin e një rilindësi, detyra e të cilit është për t’iu dhënë besim shqiptarëve në rrethana të vështira. Kështu, libri i sapobotuar “sjell një galeri të madhe personazhesh historike e kulture që në vende të mëdha e në kohë të vështira luajtën rol kyç jo vetëm në historinë e komunitetit të tyre, por edhe më gjerë”.
“Profesor Mufaku është një orientalist i madh e në këtë kuptim rrezatimi i punës së tij e tejkalon hapësirën e gjuhës shqipe”, ka theksuar Mustafaj teksa ka shtuar që botës shqiptare i nevojitet që ta zhvillojë më tepër orientalistikën.
Për një pjesë të harruar të shqiptarisë
Edhe profesori i orientalistikës, Shemsi Ajvazi, ka vlerësuar se botimi më i ri i Mufakut paraqet një begatim të veçantë të historiografisë shqiptare në një lëmi pak të rrahur. Sipas tij, kontributi i shqiptarëve në këtë pjesë të botës është nënvlerësuar për shkak të “kompleksit të inferioritetit”.
“Por siç shihet nga ky libër, roli i tyre ka qenë rrënjësor në zhvillimet politike e kulturore në këtë pjesë, në shtetndërtim, në modernizim, reformim, si dhe në westernizimin e Lindjes”, ka thënë Ajvazi.
Ai ka theksuar se në veprën e tij të radhës, Mufaku ka përdorur një metodologji ku mbizotërojnë burimet parësore.
“Veprat e Mufakut përshkojnë një spektër të gjerë nga historia, kultura e deri te gazetaria analitike”, ka thënë mes të tjerash Ajvazi.
Në cilësinë e bashkëpunëtorit të jashtëm të shtëpisë botuese “Logos-A”, Zeqirija Ibrahimi, ka thënë se libri i Mufakut u kujton lexuesve tanë për një pjesë të shqiptarisë që gati është harruar.
“Dhe merita për këtë i takon profesor Mufakut dhe nuk e teproj nëse them që ai është samuraji i fundit që arrin të na bindë se shqiptaria jonë shtrihej deri në tokat e Egjiptit, Jordanisë, Sirisë e Irakut”, ka thënë Ibrahimi, i cili është edhe bashkëpunëtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Për vetë autorin, tash ky libër s’është më i tiji.
“Ky libër nuk është i autorit, sepse është në duart e lexuesve”, ka thënë Mufaku në adresimin e tij para të pranishmëve. Sipas tij, nëpërmjet personazheve të përfshira në libër paraqitet një tjetër Shqipëri.
“Nuk është vetëm Arnautlluku, por një Shqipëri tjetër, aq e madhe sa shtrihej nga Turqia e Jemeni, me guvernatorë, ushtarakë, intelektualë e nëpunës”, ka shtuar Mufaku.