Kulturë

Shqipëria me platformë për digjitalizimin e arkivit të Enver Hoxhës

Arkivi

Platforma “Audio dhe videoteka online” është platforma e re kërkimore e prezantuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në Shqipëri. Aty përfshihen materiale audio dhe filmike mbi zhvillimet politike në Shqipërinë e pasvitit 1945. 

Në këtë platformë përfshihen 8 mijë e 71 kaseta dhe 318 videokaseta, që i përkasin fondit personal të diktatorit Enver Hoxha dhe fjalimeve të mbajtura nga përfaqësues të nomenklaturës komuniste në takime, në plenume, në mbledhje të Komitetit Qendror, të komiteteve dhe të organizatave të Partisë së Punës së Shqipërisë. Krejt këtu janë pjesë e arkivit audiovizual, që po i nënshtrohet procesit të digjitalizimit, për t’u bërë i qasshëm në adresë elektronike.

Në prezantimin e kësaj platforme ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido, drejtoresha e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit Marinela Ndria, historianë dhe studiues, që e vlerësuan këtë platformë si një shtysë për iniciativat për hulumtime të mëtejshme.

Bido bëri me dije se përdorimi për qëllime didaktike i këtyre materialeve do të jetë falas, duke i ofruar gjeneratës së re një mundësi për të mësuar mbi historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist. Ndërsa Marinela Ndria e cilësoi platformën si mjaft të dobishme për ruajtjen afatgjate të materialit arkivor.
Me rreth 19 milionë dokumente të digjitalizuara midis pesë vjetëve, nga 2019 deri në vitin 2024, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përfaqëson arkivin qendror më të digjitalizuar në Evropë. 

Arkivi Qendror Shtetëror  u krijua si organ qendror, megjithëse në varësi të Institutit të Studimeve, me urdhëresën e Këshillit të Ministrave më 8 qershor 1949. Krijimi i tij shënon një moment kulmor për historinë e arkivave shqiptare.

Për herë të parë, krahas arkivave të organeve shtetërore, filloi funksionimi i një organi të mirëfilltë arkivor me shtrirje gjithështetërore. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave), në varësi të Këshillit të Ministrave. Krahas të qenit organ qendror, kjo drejtori kishte dhe ka edhe atributet e Arkivit Qendror Shtetëror, si arkivi më i rëndësishëm dhe më i pasur i rrjetit arkivor të vendit.

Në këtë platformë përfshihen 8 mijë e 71 kaseta dhe 318 videokaseta, që i përkasin fondit personal të diktatorit Enver Hoxha dhe fjalimeve të mbajtura nga përfaqësues të nomenklaturës komuniste