Kulturë

Shqipëria dhe shqiptarët në sytë e misionarëve të huaj

“Unë u hodha në Shqipëri, ashtu siç mund të besonte ndonjë, dhe vërtet besonte në ato ditë, se ishte mjaft e parrezikshme të bëje pothuajse gjithçka, mjafton të ishe anglez, dhe i bindur se edhe nëse Shqipëria nuk kishte asnjë domethënie për mua, dikush prapa meje, ose mbi mua e dinte se çfarë po bënim ne dhe do të na siguronte çfarëdo mbështetjeje të nevojshme për të arritur sukses. Për punët e kësaj toke, Shqipëria do të bëhej universiteti im”, ishin fjalët me të cilat oficeri britanik i ndërlidhjes, Reginald Hibbert, një historian dhe diplomat i njohur pas luftës, përshkruan peripecitë e misionit të tij në hapësirën shqiptare

Duket se asnjë nga periudhat historike nuk ka trazuar ujërat në Shqipëri më shumë sesa periudha e Luftës së Dytë Botërore. Ka një ndërgjegje historike e cila vazhdon të mbetet e paqartë për këtë vend në këto vite, aq sa çdo përpjekje për revizionizëm do të cilësohet si tendencë për rehabilitim të ngjarjeve dhe figurave, apo ushqim i stilit mitik të të menduarit, gjë që na e la trashëgim e kaluara komuniste. Përpos kësaj, kjo periudhë si duket është bërë faktor përcaktues për vlerësimin apo mosvlerësimin e disa prej figurave më të njohura shqiptare, dhe rrjedhimisht ka definuar vendin e tyre në histori; ndërkohë që disa nga këto figura njihen si “etër të shqiptarizmës”, të njëjtët nga ana e taborit tjetër do të futen në grupin e “vagabondëve të historisë”.

Shqipëria: vendi i vogël i strukur në male, i cili mbetej përtej përfytyrimit të cilitdo misionar

Një situatë e turbullt, konfuze dhe e ndryshueshme si ushtarakisht ashtu edhe politikisht do të përcjellë Shqipërinë dhe popullin e saj gjatë këtyre viteve. Ndërkohë që po polarizoheshin gjithnjë e më tepër raportet midis grupeve të gueriljes shqiptare, misionarë të huaj po hidheshin me parashutë në Shqipëri. Ishin këta mbi 150 oficerë anglezë dhe mbi 35 amerikanë: djem të rinj që nuk kalonin të 20-at, të cilët qëndruan me mision ushtarak dhe politik në këto anë, kryesisht gjatë viteve 1943-1945. Një pjesë e madhe e tyre, veçmas oficerët britanikë, kanë lënë mbrapa memoaret dhe letërkëmbimet zyrtare ushtarake të tyre mbi Shqipërinë dhe shqiptarët e luftës; mbase edhe sot këto burime përfaqësojnë një fond të përgjumur në interpretimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore. Një pjesë e memoareve janë shkruar dhe botuar pas mbarimit të luftës, por kishte nga ata oficerë që mbajtën ditarë personalë edhe gjatë periudhës së luftës, pavarësisht se kjo ishte e ndaluar nga ana e Komandës Aleate. Përpara se të niseshin në viset shqiptare, një hapësirë e cila mbetej përtej përfytyrimi të tyre, ata kishin tre urdhra të prerë nga ana e eprorëve: të mos mbanin ditarë apo çfarëdo shënimi personal, të mos bënin fotografi dhe të mos flisnin për çështje politike. Kjo e fundit justifikohej me faktin se de jure misioni i tyre ishte krejtësisht ushtarak. Në fakt, oficerët e huaj i shkelën të tre këto urdhra, dhe falë kujtimeve dhe fotografive që lanë pas, duke shtuar këtu dhe letërkëmbimet zyrtare ushtarake të kohës, apo ato që ndryshe njihen si raporte ushtarake, ne sot mund të arrijmë të krijojmë një panoramë më të kthjellët mbi ngjarjet e këtyre viteve në këtë vend.

“Unë kam mbajtur një ditar në Shqipëri në tri blloqe të vogla, të mbushura ngjeshur, të cilat i kam pasur gjithnjë me vete, si ato letrat hajmali. Ky veprim ishte kundër rregullave, po për një djalosh që vinte nga universiteti, kjo ishte një mënyrë për të përthithur përvojën nga një botë shumë e çuditshme”, rrëfen oficeri britanik i ndërlidhjes, R.Hibbert, në memoaret e tij.

Prej mësimit të shqipes deri te përvetësimi i elementeve të kulturës shqiptare

Krahas angazhimit ushtarak dhe politik, oficerët anglo-amerikanë patën kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për t’u njohur me jetën e përditshme në Shqipëri, me gjuhën, kulturën dhe zakonet e vendit. Përshtypjet nga jeta në Shqipëri me shqiptarët kanë gjetur vend në memoaret dhe letërkëmbimet ushtarake që oficerët lanë pas vetes. Shqipja si gjuhë e rëndë, kujdesi për mysafirin, kodi i nderit, sofra shqiptare ku mungojnë pjatat, luga e piruni, e ku hahet me dorë, ulja këmbëkryq, dhomat e gjera ku flihet kolektivisht, janë ca nga shumë gjëra që lanë përshtypje te oficerët e huaj që qëndruan në Shqipëri. Të nisur në një vend të cilin fare nuk e njihnin, për vetëm pak muaj sa qëndruan në Shqipëri, disa nga misionarët filluan të flisnin shqipen dhe të përvetësonin elemente të kulturës shqiptare. Nuk është e habitshme që në disa nga fotot e kohës na shfaqen misionarët e huaj me veshje shqiptare e me plis në kokë. Kjo sigurisht është bërë dhe për çështje maskimi, në mënyrë që të mos ngjallnin dyshime te gjermanët, por fare nuk përjashtohet mundësia se misionarët e shijuan mjaft përshtatjen me banorët vendës. Vetë oficeri anglez, David Smiley, në memoaret e tij shkruan se ai bashkë me ca kolegë të tjerë akuzoheshin se ishin shqiptarizuar, përderisa oficeri tjetër britanik, Reginald Hibbert, me plot bindje shprehet se me kohë misionarët Krahas angazhimit ushtarak dhe politik, oficerët anglo-amerikanë patën kohë dhe hapësirë të mjaftueshme për t’u njohur me jetën e përditshme në Shqipëri, me gjuhën, kulturën dhe zakonet e vendit. Përshtypjet nga jeta në Shqipëri me shqiptarët kanë gjetur vend në memoaret dhe letërkëmbimet ushtarake që oficerët lanë pas vetes. Shqipja si gjuhë e rëndë, kujdesi për mysafirin, kodi i nderit, sofra shqiptare ku mungojnë pjatat, luga e piruni, e ku hahet me dorë, ulja këmbëkryq, dhomat e gjera ku flihet kolektivisht, janë ca nga shumë gjëra që lanë përshtypje te oficerët e huaj që qëndruan në Shqipëri. Të nisur në një vend të cilin fare nuk e njihnin, për vetëm pak muaj sa qëndruan në Shqipëri, disa nga misionarët filluan të flisnin shqipen dhe të përvetësonin elemente të kulturës shqiptare. Nuk është e habitshme që në disa nga fotot e kohës na shfaqen misionarët e huaj me veshje shqiptare e me plis në kokë. Kjo sigurisht është bërë dhe për çështje maskimi, në mënyrë që të mos ngjallnin dyshime te gjermanët, por fare nuk përjashtohet mundësia se misionarët e shijuan mjaft përshtatjen me banorët vendës. Vetë oficeri anglez, David Smiley, në memoaret e tij shkruan se ai bashkë me ca kolegë të tjerë akuzoheshin se ishin shqiptarizuar, përderisa oficeri tjetër britanik, Reginald Hibbert, me plot bindje shprehet se me kohë misionarët jo vetëm se u mësuan të jetonin sipas mënyrës shqiptare: të hanin, të pinin, të flinin, por ata mësuan të merrnin frymë e të mendonin sipas mënyrës shqiptare, sepse ditën e natën në jetën e tyre nuk kishte gjë veç Shqipërisë.

Image

Oficeri britanik i ndërlidhjes, David Smiley, në mesin e nacionalistëve shqiptarë

Image

Telegram i majorit britanik Billy Mclean drejtuar Safet Butkës, 5 gusht 1943

Anthony Quayle, ylli i Hollywoodit përkujton shqiptarët e Dukatit

Përpos këtyre, një gjë tjetër që la përshtypje te misionarët e huaj është niveli i lartë i zotërimit të gjuhëve të huaja nga shqiptarët. Majori Quayle i cili u gjend me mision në jug të Shqipërisë, pranë banorëve të Dukatit, i habitur rrëfen:

“Në të vërtetë, në qoftë se do të prisja të shihja këtu një tufë leshkosh e të pagdhendurish, do të gabohesha rëndë. Kishte një nivel të habitshëm arsimor midis përfaqësuesve të një fshati me jo më shumë se 4000 frymë. Të gjithë flitnin italisht, disa flitnin frëngjisht, dhe përveç Çelës, ishin dy a tre që e zotonin mirë anglishten”. Përpos oficerit Quayle, këtë e potencon edhe majori Kemp në kujtimet e tij gjatë kohës që qëndroi në Tiranë: “Shumica e vizitorëve të mi ishin zanatçinj ose tregtarë, asnjëri nuk qe komunist ose simpatizant. Të gjithë flisnin anglisht, frëngjisht ose italisht, kështu që pata mundësinë të bisedoja pa përkthyes.

Image

Anthony Quayle: Protagonisti i filmit “Lawrence of Arabia”, i cili u gjend me mis on në Shqipëri gjatë LIIB

Image

Kuarteri i Forcave Ajrore njofton Enver Hoxhën për emërimin e majorit Palmer si udhëheqës i misionit britanik pranë partizanëve

Veriu i Shqipërisë dhe ligji i pashkruar shqiptar

Jo më larg Tiranës, për viset e tjera veriore të Shqipërisë, oficeri britanik Julian Amery, deputet në Parlamentit Britanik pas luftës, na jep një përshtypje tjetër. Duke folur për këtë hapësirë ai vë theksin te konservatorizimi i jetës, i pasqyruar nëpërmjet grindjeve mes krerëve lokalë dhe gjakmarrjes herë pas here. Kjo, sipas tij, së bashku me nivelin e lartë të varfërisë bënte që kjo pjesë e vendit të jetë e zhytur në anarki. Amery do të krijojë përshtypje të mira dhe për mikpritjen e malësorëve: sipas tij “malësorët mikpritjen e quajnë me të vërtetë si një detyrë të shenjtë që i takon zotit të shtëpisë dhe kurrë, si një favor që i bëhet mysafirit”.

Gruaja shqiptare në sytë e misionarëve të huaj

Fatkeqësisht, misionarët e huaj do të vërenin në Shqipëri, një shkallë mjaft të ulët të emancipimit të gruas. “Rrallë shikonim ndonjërën prej tyre që vraponte përmes oborrit ose që na vështronte nga zjarri i kuzhinës, sepse ato nuk merrnin pjesë në jetën e burrave”, rrëfen Amery. Ai gjithashtu shton se ato ishin plakur para kohe nga puna e tepërme dhe rritja e fëmijëve. Një nivel pak më të lartë të emancipimit, misionarët do të hasnin në çetat e partizanëve, kryesisht në jug, ku gruaja merrte pjesë në to dhe gëzonte respektin dhe mbrojtjen e kolegëve, e megjithatë të njëjtët (partizanët) ishin ata që do të shquheshin për egërsinë e tyre në trajtimin e armikut.

Shqiptarët dhe tradita e gjuajtjes me armë

Është e njohur tradita e gjuajtjes me armë në dasma nga shqiptarët. Ky niveli i madh gazmor shprehej në orët e para të mëngjesit, në stinën e dimrit dhe në kohën kur lufta kishte arritur pikun e saj. Kjo ngjallte tërbim te misionarët e huaj, kjo ngase shqiptarët municionin që duhej për luftë e shpenzonin për dasma e ahengje. “Shpërdorimi i gjithë atij municioni për të festuar një dasmë, taman një zakon ballkanik”, shkruan gjenerali Davies në kujtimet e tij pas një episodi jo fort të këndshëm në një nga mëngjeset e dimrit në Shqipëri.

Image

Gjenerali Davies, kreu i misionit britanik që u kap rob nga gjermanët në Shqipëri (në anën e djathtë)

Përçmimi i veseve: “Mos më lini asnjë shqiptar afër se do ta vras sapo të shoh ndonjërin”

Nga misionarët e huaj që qëndruan në Shqipëri, përpos atyre që në kujtimet e tyre shpalosën përshtypjet e mira për gjuhën, zakonet dhe traditat shqiptare, kishte dhe nga ata oficerë që shumë shpejt do të ngopeshin me Shqipërinë dhe shqiptarët. Njëri nga ta ishte majori Field, britaniku përgjegjës pranë bazës Seaview nga gushti deri në janar të vitit 1944. Në një raport dërguar eprorëve të tij ai shkruan me përçmim: “Shqiptarët janë dembelë, gënjeshtarë, hajdutë dhe, sipas mendimit tim, po humbasim kohë për të bërë diçka për ta. Partizanët na vodhën gjithçka që kishim, përveç rrobave që kishim në trup dhe mbulesave të shtratit. E urrejmë këtë vend dhe njerëzit e tij...”. I njëjti në takimin që pati me majorin Quayle, pasi ky erdhi për ta zëvendësuar në Dukat të Vlorës, do t’ia bënte një urim paralajmërues: “Të uroj gëzime në këtë vend të mallkuar!”.

Vjedhjet ishin një gjë e zakonshme në Ballkan për shkak të situatës emergjente që krijonte lufta. E thënë troç, vjedhje do të thoshte mbijetesë në këtë kohë. Pakënaqësi të tilla hasim dhe në raportet dhe kujtimet e oficerëve që qëndruan në Jugosllavi. Shto këtu faktin se jo të gjithë oficerët ishin të përgatitur për detyra të tilla: rrethanat që prodhonte lufta i lodhën e i sfilitën oficerët e huaj, për rrjedhojë është më se i kuptueshëm shfryrja e urrejtjes, inatit, mllefit dhe përçmimit për banorët vendës në kujtimet dhe raportimet e tyre. Nga ana tjetër, me gjithë pakënaqësinë që e karakterizoi qëndrimin e misionarëve të huaj britanikë në Shqipëri, ishin pikërisht banorët vendës ata që i strehuan misionarët anglo-amerikanë (në këmbim apo jo të të hollave), duke rrezikuar kështu jetën dhe shtëpitë e tyre nga kundëraksioni gjerman.

“E çfarë mund të prisnim ne më shumë nga Dukati?!”, shtron pyetjen retorike oficeri amerikan i OSS-së, duke shprehur keqardhje për atë që përjetuan dukatasit më vonë. Shqipëria dhe shqiptarët nuk ishin një kafshatë e lehtë për oficerët e huaj. Jo më kot, njëri nga ta, në kujtimet që la pas për qëndrimin në Shqipëri shkruan: “Për punët e kësaj Toke, Shqipëria do të bëhej Universiteti im”.

Nga Lufta e Dytë Botërore në luftën e fundit në Kosovë

Shumë vjet më pas, afërsia që krijuan me shqiptarët dhe sigurisht mundësitë që krijoheshin nga pozicioni politik dhe diplomatik që disa nga misionarët e huaj mbanin pas luftës, i shtynë ata drejt angazhimit të tyre për çështjen e Kosovës.

“Dëgjuam se e çliruat Kosovën. Bëra ç’munda këtu në Londër për të”, janë fjalët që oficeri Smiley ua thotë një grupi të shqiptarëve që fati u rastisi apo jo të takoheshin me të në Londër, pas 50 vjetësh nga mbarimi i Luftës së Dytë. Në anën tjetër, Peter Kemp, majori i cili qëndroi dy herë në Kosovë gjatë Luftës së Dytë dhe u rikthye në këtë vend në vitin 1990, memoaret e tij të botuara vetëm dy vjet më pas, nga ajo që arriti të nuhasë nga terreni, do t’i përfundonte me paralajmërimin: “Po të mos ndodh ndonjë mrekulli, përfundimi më i mundshëm i kësaj mosmarrëveshjeje duket se do të jetë një banjë gjaku”.

Së fundmi, Reginald Hibbert, i cili për një kohë mbajti dhe postin e ambasadorit të Britanisë në Paris, u bë avokat i politikës së ndërhyrjes ushtarake amerikane në Ballkan për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në këto anë. Pikëpamjet e tij do të aprovoheshin me arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit në vitin 1995 dhe më vonë me çlirimin e Kosovës në vitin 1999. Vdekja e tij i privon shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës nga një avokat i guximshëm dhe efektiv, dhe serbët nga një kundërshtar i vendosur, i qëndrueshëm dhe i pakompromis, shkruan James Pettifer. Hibbert e vizitoi Kosovën në vitin 1994, me ç’rast takoi Fadil Hoxhën, dhe më vonë dhe figura politike të tjera si: Hashim Thaçi, Veton Surroi, Rexhep Qosja.

Image

Në festimet e përvjetorit të 73-të të çlirimit të Tiranës nga gjermanët, në sheshin e këtij qyteti u ekspozua dhe fotografia e dy oficerëve britanikë. Në anën e djathtë të fotos është Reginald Hibbert, i njohur si diplomati britanik i shquar që la pas vetes studimin më të arrirë për luftën në Shqipëri, të titulluar “Fitorja e Hidhur”