Tri vendime brenda 40 ditësh nëse përkthehen në konkretizim, Ulpianës ia hapin kapitullin që ishte mbyllur për më shumë se dy dekada: e bëjnë pjesërisht pronë të shtetit dhe tamam park arkeologjik, siç u shpall para shtatë vjetësh. Të mërkurën Qeveria ka miratuar vendimin për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit në Ulpianë
Shpronësimi i njërit prej thesareve të trashëgimisë kulturore për më shumë se dy dekada ka qenë kërkesë e vazhdueshme e ekspertëve të trashëgimisë kulturore. Por, ky vit shënon kthesën më të madhe të procesit që shtetin e bën pronar të tokave ku shtrihet Ulpiana antike, parku i vetëm arkeologjik në vend. Të mërkurën, në mbledhjen e radhës, Qeveria ka bërë hapin e radhës drejt konkretizimit të kësaj çështjeje. Ka miratuar vendimin preliminar “për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimi dhe investimi në “Lokalitetin Arkeologjik Municipiumi Ulpiana - Justiniana Secunda” pjesë e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme”. Ka qenë njëri prej 17 vendimeve miratuar në mbledhjen e 174-të të Qeverisë. Është afishuar edhe në ueb-faqen e Kryeministrisë së Kosovës.
“Obligohet Departamenti i Shpronësimit që brenda 5 (pesë) ditëve të punës, pas nënshkrimit të këtij vendimi preliminar, t’i njoftojë pronarët dhe pretenduesit e tokave, të cilat do të shpronësohen dhe brenda afatit prej 10 (dhjetë) ditëve të punës pas miratimit të njëjtin ta shpallë në Gazetën Zyrtare të Kosovës”, shkruhet në pikën e dytë të vendimit për zbatimin e të cilit obligohen “Departamenti i Shpronësimit i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që është subjekti që e ka shtruar kërkesën.
Një vendim si ky vjen 40 ditë prejse Ekzekutivi miratoi vendimin për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave për projektin “Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimi dhe investimi në ‘lokalitetin arkeologjik Ulpiana’”, i konsideruar si hapi i parë konkret që Ulpiana të bëhet pronë e shtetit. Prej vjeshtës së vitit 2016 aty gjendet edhe parku arkeologjik “Ulpiana”, aseti më reprezentativ i shekujve të parë në këto anë e njëkohësisht monumenti më i vizituar në Kosovë. Me vendimin e radhës i është hapur rrugë vazhdimit të procedurës së shpronësimit për 21 hektarë të lokalitetit arkeologjik jo larg Prishtinës, në Komunën e Graçanicës. Por, lokaliteti shtrihet në mbi 30 hektarë përreth. Është parku i vetëm arkeologjik në Kosovë. Shteti vazhdimisht paguan qira vjetore për pronat private që shfrytëzon në këtë lokalitet. Aktualisht në vit paguhen rreth 6 mijë euro.
Para miratimit të vendimit të mërkurën, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë një përmbledhje për hapat që janë ndjekur deri më tani. Ka thënë se sipas udhëzimit të Departamentit të Shpronësimit, Qeveria e Republikës së Kosovës më 12 tetor ka miratuar vendimin për miratim të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit “Mbrojtja dhe menaxhimi i trashëgimisë kulturore, konservimi dhe investimi në ‘Lokalitetin Arkeologjik Municipiumi Ulpiana - Justiniana Secunda’, zona kadastrale Graçanicë, për të vazhduar më 8 nëntor me dëgjimin publik me pronarët e pronave.
“E ka trajtuar kërkesën për ankesë të pronarëve, andaj pas plotësimit të kushteve të parapara me nenet 4, 9,10, 44 dhe 45 të Ligjit për Shpronësim, Departamenti i Shpronësimit nxjerr vendim me të cilin miratohet vendimi preliminar për ligjshmërinë e procesit te shpronësimit te pronave te paluajtshme, të zotëruesve të interesit”, ka thënë ministri Aliu. Për realizimin e këtij projekti, sipas tij, është e nevojshme të kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët e evidentuar. Duke pasur parasysh rëndësinë e projektit i ka ftuar kolegët e tij ta miratonin vendimin.
Pikërisht peshën e krejt këtij procesi e ka theksuar arkeologu Milot Berisha, zëvendësues i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, i cili udhëheq punimet në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës dhe i ka prirë planit për shndërrimin e një pjese në park arkeologjik.
Miratimin e Projektligjit për shpronësim të pronës së paluajtshme nga Qeveria e Kosovës, duke përfshirë vendimin për shpronësim të pronave në Parkun Arkeologjik Ulpiana-Iustiniana Secunda, e ka cilësuar të rëndësishëm për disa arsye.
“Është një zhvillim shumë i rëndësishëm për vendin tonë, për identitetin tonë, për kulturën dhe trashëgiminë kosovare. Shpronësimi i pjesshëm nxit, ndikon dhe kontribuon në ruajtjen, mbrojtjen, konservimin, studimin, hulumtimin, analizimin dhe promovimin e kësaj qendre arkeologjik”, ka thënë Berisha të mërkurën në një deklaratë për KOHËN.
Kur ishte miratuar vendimi për shqyrtim të mëtejmë të shpronësimit të pronave për projektin në Ulpianë, Berisha ishte shprehur falënderues për të gjithë kontribuuesit që kanë ndihmuar, përkrahur dhe mbështetur këtë proces. “Me fillimin e procesit të shpronësimit të pjesëve më vitale të lokalitetit arkeologjik Ulpiana-Justiniana fillon një përkushtim dhe devotshmëri institucionale për këtë thesar kombëtar, që na bën nder dhe krenarë. Shumë falënderues për të gjithë kontribuuesit që kanë ndihmuar, përkrahur dhe mbështetur këtë proces”, kishte thënë ai.
Pa u bërë një javë prejse u hodh hapi i parë konkret i shpronësimit, për Ulpianën u miratua edhe një tjetër dokument bazik: Plani i menaxhimit. I miratuar shtatë vjet prejse një pjese të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës i ishte “prerë shiriti” për t’u bërë park arkeologjik me tre sektorë, aq sa në terren nuk ka ndryshime. Tash së paku në letër ka zotime.
Dokumenti prej 47 faqesh, miratuar prej ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, është një lloj manuali i menaxhimit të Parkut Arkeologjik deri më 2027. Aty përfshihen prej deklaratës së rëndësisë, vizionit, brendimit, historikut, fushat e veprimit e deri te plani i veprimit. Në skemën e organizimit dhe funksionimit të Parkut do të jetë bordi drejtues me pesë anëtarë: menaxheri ose përgjegjësi i Parkut dhe stafi profesional e ai administrativ. Te stafi profesional do të ketë një arkeolog, një konservator, dy ciceronë dhe një kurator. Kurse te stafi teknik: katër mirëmbajtës, katër persona për sigurim fizik dhe planifikohet një kafene e dyqan suveniresh. Shërbimet shtesë ishin paraparë qysh në projektin e Parkut, por nuk ishin realizuar asnjëherë. Te plani i veprimit parashihet shpronësimi, çështje së cilës Qeveria i kapur rrugë edhe të mërkurën. Themelimi e funksionimi i laboratorit e hartimi i planit të konservimit janë paraparë të përfundohen deri më 2026. Kërkimet arkeologjike do të zhvillohen në vazhdimësi.
Në punimet e realizuara sivjet, në strukturat e kishës më të madhe të zbuluar deri më tash në Ballkan, mbi mozaikun me motive të ndryshme është hasur në mbishkrimin latin. Megjithëse shkaku i sigurisë dhe studimit të mëtejmë janë publikuar vetëm segmente të mbishkrimit, aty qartësohet se ishte perandori Justinian ai i cili personalisht ka iniciuar ndërtimin e qytetit Justiniana Secunda. Mbishkrimi gjendet në zonën qendrore të kishës, hapësirë që është parë nga të gjitha anët e objektit të kultit. Përtej kësaj detajet e mbishkrimit zbërthejnë edhe rrethana të tjera personale e politike të kohës kur kjo anë si pjesë e Perandorisë së kohës udhëhiqej nga perandori me prejardhje dardane, Justiniani. E vazhdimësia dardane deri në mesjetë po ashtu është faktuar nëpërmjet mbishkrimit në latinisht.