Ekipi i filmit “Zgjoi” është nën ethet e nominimeve. Para publikimit të pesëshes së artë për filmin më të mirë ndërkombëtar, shpresat për nominim janë shkëndijë e fuqishme
Se e marta është përplot emocione për ekipin e filmit “Zgjoit” nuk ka pikë dyshimi. Pritjet për publikimin e listës së të nominuarve për “Oscars” do të jenë një “rollercoaster” ndjenjash. Dominon shpresa për të bërë histori. “Zgjoi” filmi nën regji të Blerta Bashollit është i pari film tërësisht vendor që ka arritur të hyjë në listën e ngushtë për filmin më të mirë ndërkombëtar që përzgjidhet nga “Academy Awards”. Është mundësi më e afërt që të bëhet edhe i pari i nominuar.
Më 21 dhjetor u dha lajmi se “Zgjoi” është në listë të ngushtë për “Oscar”, kurse sot (8 shkurt) do të bëhen të ditur 5 filmat e nominuar. Më 27 mars pritet të mbahet ceremonia kryesore. Rrugën drejt “Oscarit” më herët e kishte shtruar filmi “Shok”. Regjisori britanik, Jamie Donoughue, me filmin me kastë nga Kosova, kishte arritur që të jetë në pesëshen e të nominuarve, në kategorinë e filmave të shkurtër më 2016.
Të nominuarit do të përzgjidhen nga anëtarët e të gjitha degëve të “Academy Awards” (aktorë, regjisorë, producentë, skenaristë dhe teknikë)- të cilët duhet t’i shohin të 15 filmat që janë në listë të ngushtë për të votuar.
“Zgjoi”, për të cilin Basholli ka shkruar edhe skenarin, ishte një nga 92 filmat në kuadër të garës si filmi më i mirë ndërkombëtar, 15 prej tyre tani kanë shans për nominim.
Mes tyre, fituesi i filmit si më i miri i Evropës “Flee” nga Danimarka, “Great Freedom” nga Austria, “Playground” nga Belgjika, “Lunana: A yak in the classroom” nga Butani, “Compartment No.6”, “I’m Your Man” nga Gjermania, “Lamb” nga Islanda, “A hero” nga Irani, “Drive My Car” nga Japonia, “Prayers for the Stolen” nga Meksika, “The Worst Person in the World” nga Norvegjia, “Plaza Catedral” nga Panamaja dhe “The Good Boss” nga Spanja.
Producenti i filmit, Yll Uka, ka thënë se kanë shpresa dhe janë optimistë për nominimin e filmit, duke pasur parasysh vlerësimet dhe punë që është bërë për promovimin filmit.
“Rreth filmit ‘Zgjoi’ ka punuar një ekip i tërë, duke përfshirë një ndër aktoret më të famshme në Hollywood, Elizabeth Moss, e cila u është bashkëngjitur në projekt si producente ekzekutive, një ndër menaxherët më të rëndësishëm të filmit, Jerome Duboz (klient i tij është edhe regjisori i filmit ‘Parasite’, ‘Bong Jon Ho’), Dua Lipa dhe agjentët nga agjencia më e madhe e artistëve në Amerikë CAA, dhe publicistët Josh Haroutunian dhe Sara Sampson”, ka thënë Uka.
Në ndihmë u kishte dalë edhe Qeveria, kishte miratuar kërkesën e Ministrisë së Kulturës që filmit t’i ndahen 95 mijë e 725 euro, të cilat do të përdoren për mbështetje të pjesës së dytë të kampanjës së filmit ‘Zgjoi’, i nominuar nga Republika e Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qendra Kinematografike e Kosovës, për të garuar në kuadër të Akademisë së ‘Oscars’.
Një dekadë më parë, regjisorja dhe skenaristja, Blerta Basholli, do t’i rrekej punës që me historinë e Fahrije Hotit të endte fijet e projektit për një film. Mes vështirësive jo të pakta gjatë realizimit, gjëllinte shpresa që të paktën filmi të kishte premierën në “Sundance Film Festival”. Guximi për të ëndërruar u shpërblye me të madhin festival amerikan të filmit që mbahet në Utah. Nga aty “Zgjoi” doli i stolisur me tre trofe: Çmimin e Madh të Jurisë, atë të Audiencës dhe Çmimin për Regjinë. E ky ishte veç fillimi i hapërimit.
“Zgjoi” ishte edhe filmi më i shikuar gjatë 2021-shit në vend. Vendosi rekord sa u përket shitjeve të biletave. Rreth 35 mijë bileta janë shitur qëkur nisi shfaqja e filmit në kinema, më 22 tetor të 2021-s.
Drama e jashtëzakonshme e bazuar në ngjarje të vërteta të grave që kanë mbetur të veja për shkak të luftës e të cilat luftojnë kundër patriarkatit deri tani është duke u shfaqur në kinematë e gati çdo kontinenti.
Agjenti i saj ndërkombëtar i shitjeve, “LevelK”, e ka shitur atë pothuajse kudo në botë: nga Australia dhe Zelanda e Re deri në Kinë, Amerikë Latine dhe Karaibe, si dhe në Kanada dhe ShBA, ku shpërndahet nga “Zeitgeist Films” në bashkëpunim me “Kino Lorber”. Të drejtat janë marrë gjithashtu në shumicën e territoreve evropiane, si në Mbretëri të Bashkuar, Zvicër e Irlandë e po ashtu edhe në Turqi dhe Izrael.
Në film përveç Yllka Gashit, luajnë edhe aktorët: Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Kaona Sylejmani, Ilir Prapashtica, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Xhejlane Terbunja, Shkëlqim Islami dhe Astrit Kabashi.
Vitin e kaluar, ceremonia për çmimet “Oscar” ishte mbajtur në “Union Station” në Los Angeles, por këtë vit do të rikthehet në shtëpinë që pati që nga vitit 2002, në “Dolby Theatre”. Formati në të cilin do të mbahet ceremonia akoma nuk dihet, mirëpo “Academy Awards” ka bërë të ditur se Glenn Weiss do të realizojë regjinë e spektaklit, përderisa Will Packer do të jetë producent i kësaj ngjarjeje. Pas tre vjetësh pa ndonjë moderator, “ABC” ka konfirmuar se ceremonia e sivjetme do të ketë një nikoqir.
Në filmin 1 orë e 24 minutësh aktorja Yllka Gashi sublimon 22 vjet të personazhes së vërtetë, Fahrije Hoti, që është e kryqëzuar mes dhembjes për burrin e zhdukur, skamjes në shtëpi dhe një rrethi shoqëror që nuk arrin ta ndihmojë, përveçse ia shton dhembjen me fshikullime paragjykimesh. Por, aty ku duket gjithçka e mbaruar prej fatalizmit vetëtin shpresa. Është pikërisht shpirti ndërmarrës i Fahrijes që kthehet si fanar për dhjetëra gra që kanë mbetur pa burra në fshatin rahovecian, ku forcat serbe vranë 240 njerëz.
Rrëfimi i saj tani është kthyer në shpresë për gjithë vendin. Megjithatë, përderisa garës për çmimin “Oscar” për filmin më të mirë të huaj po i afrohet fundi, bëhet e sigurt se pavarësisht nominimeve të 15 rrëfimet ishin unike.