Pa u bërë një vit prej kur “Balada e Buburrecit” u përkthye në italisht, një tjetër libër i Shpëtim Selmanit do të flasë në një tjetër gjuhë. Një përmbledhje poezish e titulluar “Manifesti i mbijetesës” do të flasë në gjermanisht. Libri me titull në gjermanisht “Manifest des Überlebens” që pritet të zërë vend në raftet e librarive gjermane është përkthyer nga Zuzana Finger dhe do të promovohet në kuadër të festivalit “Balkantage München”.
Është përkthyesja Finger që kishte përzgjedhur poezitë e Selmanit të shkruara ndër vite e që do të zinin vend në faqet e botimit si përmbledhje poezish. Ajo ishte edhe përkthyese e librit në prozë “Libërthi i dashurisë”. Sikurse këtë të fundit, edhe “Manifestin e mbijetesës” e ka sjellë shtëpia botuese gjermane, “Parasitenpresse”.
“Ky është një selektim i disa poezive të shkruara ndër vite nga përkthyesja Zuzana Finger dhe botuar nga ‘Parasitenpresse’. Natyrisht që për mua është e rëndësishme dhe shpresoj që lexuesit gjermanë do ta mirëpresin”, ka bërë të ditur poeti e shkrimtari, Shpëtim Selmani.
Ai është shprehur se çdo përkthim në një gjuhë të huaj është i rëndësishëm për krijuesit.
“Natyrisht që është e rëndësishme. Çdo përkthim në një gjuhë të huaj, e veçanërisht në gjuhë të mëdha është jashtëzakonisht i mirëseardhur për çdo autor. Tash në skenën ndërkombëtare, ‘Libërthi i dashurisë’ ka qenë i pari që është përkthyer në disa gjuhë”, ka thënë Selmani.
Libri 82-faqësh, siç bën të ditur shtëpia botuese, është në shitje tashmë. Poezia e Selmanit do të eksplorohet për të parën herë në një gjuhë të huaj. Sipas “Parasitenpresse”, Selmanin si krijues, lexuesi gjerman do të mund ta eksplorojë edhe poezinë e tij.
“Deri tani, shkrimtari kosovar Shpëtim Selmani, njihet kryesisht në këtë vend si prozator (“Libërthi i dashurisë”), por fakti që ai është edhe poet i trajnuar më në fund mund të zbulohet në këtë vëllim mbresëlënës poezish”, shkruan shtëpia botuese për Selmanin.
Selmani ka tani dy vepra të tij të përkthyera në gjermanisht. I pari ishte “Libërthi” i përkthyer në dhjetor të 2021-s. Libri është botuar dhe në frëngjisht, anglisht e bullgarisht.
Libri tjetër i tij “Balada e buburrecit” ishte përkthyer në italisht në prill të vitit të kaluar. Ishte botuesi italian “Crocetti” që kishte marrë përsipër botimin e promovimin. Libri ishte gjithashtu pjesë e Panairit të Librit në Torino. Libri me titull italisht, përkthyer nga Fatjona Lamçe, mban titullin “Ballata Dello Scarafaggio”.
Qysh kur ishte përkthyer ky libër, Selmani veçse kishte paralajmëruar përkthimin e përmbledhjes me poezi “Manifesti…”.
“Një libër me poezi do të përkthehet prapë në gjermanisht te ‘Parasitenpresse’. Libri do të quhet “Manifesti i mbijetesës” dhe është një selektim i poezive”, kishte bërë të ditur Selmani.
Në tekstin shpjegues, “Manifesti i mbijetesës” përkufizohet si “një britmë vajtimi dhe dashurie”.
“’Manifesti i Mbijetesës’ tregon për vështirësitë e jetës si artist dhe familjar që përpiqet t'ia dalë mban financiarisht, psikologjikisht dhe filozofikisht në një realitet të vështirë. Është një britmë vajtimi dhe dashurie për një individ, për një brez, dhe kështu i ngjashëm me hurmën e madhe të Allen Ginsbergut”, shkruhet për botimin më të ri të Shpëtim Selmanit.
“Parasitenpresse” është shtëpi e pavarur botuese me seli në Këln. Boton vepra shkrimtarësh që nuk janë gjermanofolës dhe të atyre ndërkombëtarë që prej vitit 2000.
Festivali “Balkantage Munchen” që zhvillon aktivitetin nga 1 marsi deri më 21 prill, u dedikohet segmenteve të ndryshme të artit, si filmit, teatrit, vallëzimit e diskutimeve të ndryshme që kanë për temë vendet e Ballkanit. Selmani do të jetë pjesë e “Ditës së Letërsisë” që mbahet më 9 mars.
Kjo ngjarje do të shënohet me një panel diskutimi, ku Shpëtim Selmani do të jetë folës bashkë me shkrimtarin, botuesin e përkthyesin Adrian Kasnitz nga Gjermania dhe autoren e aktivisten serbe, Marija Ratkovic. Diskutimi do të moderohet nga boshnjako-gjermanja Maja Gebhardt, që merret me çështje gjuhësore.
“Aty do të flasim për librin dhe natyrisht për relacionin midis Evropës dhe Ballkanit. Pra a është relacion toksik apo jo”, ka bërë të ditur Selmani në një video promovuese.
“Manifesti i mbijetesës” vjen edhe si një tjetër botim i përkthyer nga përkthyesja e njohur e lindur më 1959 në Sala të Çekosllovakisë së asaj kohe. Ka studiuar gjuhët sllave dhe Ballkanologjinë në Universitetin e Berlinit dhe për doktoratë ka pasur temën “Komunikimi i komunitetit sllovako-hungarez”. Në vitet 2013, 2014 dhe 2015 ajo ka qenë lektore e Albanologjisë në LMU në Münich. Ajo përkthen në gjermanisht nga gjuha shqipe, serbe, sllovake dhe çeke.
Përveç Selmanit, ndër autorët shqiptarë që ka përkthyer në gjermanisht janë edhe Eqrem Basha, Arben Idrizi, Jeton Neziraj, Doruntina Basha, Halil Matoshi, Ervina Halili, Ballsor Hoxha e të tjerë. Finger po ashtu, ishte pjesë e rezidencës letrare “Prishtina nuk ka lumë”, që organizohej nga Qendra “Multimedia”.
Selmani ka studiuar për sociologji e aktrim në Universitetin e Prishtinës. Përveçqë shkruan poezi dhe prozë, ai rregullisht luan në shfaqje teatrore. Kohëve të fundit, pos skenës teatrore, është edhe një prej aktorëve më të angazhuar edhe në film.
Ka botuar edhe librat “Shënimet e një grindaveci” (2016) dhe “Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit” (2010-2017), Me veprën “Libërthi i dashurisë” u shpall laureat i Çmimi Letrar i Bashkimit Evropian , bashkë me 12 shkrimtarë të tjerë.
E vlerat evropiane synohen të përcillet edhe nëpërmjet festivalit kulturor “Balkantage Munchen” që sivjet zhvillon edicionin e 18-të. Tema e sivjetme është “Ballkani dhe BE – Një marrëdhënie toksike?”.
“Analogjia e ‘marrëdhënieve toksike’ me gjuhë tregon një problem serioz midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit. Edhe këtu ka manipulime (emocionale), jobesnikëri dhe ndonjëherë – jo shpesh – dashuri reale. Në këtë ngjarje ne do të donim të shqyrtonim këtë ‘marrëdhënie toksike’ me përzierjen pasionante të dritës dhe thellësisë që është tipike për festivalin tonë unik kulturor”, shkruhet në ueb-faqen elektronike të “Balkantage Munchen”.