Gjersa publiku ka zënë të ulet pas intonimit të Himnit të Kosovës, kalimi te tingujt e çiftelisë ka qenë punë sekondash. Kur perdet janë ngritur, në fokus ka qenë instrumentisti 25-vjeçar Gent Hoxha, i cili, i përcjellë nga orkestra, ka ekzekutuar veprën që e ka përgatitur e luajtur vetë. Çiftelia nuk ka qenë i vetmi instrument me të cilin janë përçuar tinguj tradicionalë tek publiku. Pranë vetes e ka mbajtur edhe fyellin e në gërshetim të vazhdueshëm të melodive nga këto dy instrumente së bashku me orkestrën e ansamblit shtetëror të këngëve dhe valleve “Shota”, ai ka hapur koncertin festiv që organizohet tradicionalisht nga “Shota”.
Më pas koncerti ka bërë bashkë edhe shumë valle e melodi për të kremtuar përvjetorin e 13-të të shtetësisë së Kosovës. Përmes lëvizjeve e këngëve, anëtarët e ansamblit kanë “vallëzuar” nëpër histori të ndryshme.
Gent Hoxha i cili bashkëpunon me ansamblin “Shota” tash e pesë vjet, është një nga anëtarët më të rinj të ansamblit që në lëvizje përcjellë historitë e vendit. Ka thënë tregon se nëpërmjet veprës së luajtur nën orkestrim të Ylber Asllanajt ka dashur ta hapë programin me tinguj që përfshijnë rajonet e Kosovës.
“Orkestralja që e kam punuar unë për ansamblin, duke e falënderuar drejtorin artistik Ylber Asllanaj dhe udhëheqësin e orkestrës Fitim Bytyçin që ma kanë dhënë mundësinë ta shpreh veten edhe në fushën e krijimit. Kjo ka filluar si rastësi duke menduar që edhe ansamblit ndoshta i duhet një gërshetim i tingujve të çiftelisë dhe të fyellit. Janë motive të tingujve folklorikë të trevës së Kosovës”, ka thënë Hoxha për KOHËN, pas koncertit.
Me mbi një orë program me këngë e valle, ansambli “Shota” kanë bërë bashkë motive nga të gjitha trevat shqiptare. Qysh në pikën e dytë të programit, ata kanë “rrugëtuar” në Tiranë. “Vallja e Tiranës” ka nxjerrë në skenë valltarët me veshje që karakterizojnë kryeqytetin e Shqipërisë. Pas kësaj valleje nën koreografinë e Besim Jazexhiut janë interpretuar këngët “Mora fjalë” nga Majlinda Cikaçi, “Zëri i Atdheut” nga Sokol Latifi dhe “Kënga për Vëllezërit Gërvalla” e interpretuar nga Mirvete Bajrami- Haziri. Vallja që ka pasuar me “Lulet e marsit” nën koreografi të Xhemali Berishës i është ndalur hovi i hapave të parë të vallëzimit me kumtin e “pushtimit” të vendit. Harmonizimin e valltarëve në skenë e ka stepur një zë nga prapaskena që paralajmëron ardhjen e “hasmit” nga të katër anët. Kjo ka bërë që valltarët të ngrihen në një qëndrim stoik, për ta manifestuar rezistencën nëpër lëvizje më të shpejta. Pandemia e ka mbajtur edhe ansamblin “Shota” për shumë muaj larg skenës gjatë vitit të kaluar.
“Duke e rrezikuar shëndetin, jemi munduar maksimalisht që të përgatisim një koncert të denjë për këtë festë të rëndësishme të Kosovës dhe gjithë popullit shqiptar. Programi i është dedikuar festës me këngë e valle që kujtojnë sakrificën që kanë bërë të gjithë ndër shekuj që të arrihet kjo dite”, i ka thënë KOHËS drejtori artistik i ansamblit “Shota”, Ylber Asllanaj.
Gjatë programit janë kënduar edhe këngët “Me besmele selamet” nga Ismet Bogujevci, “Arbëria” nga Violetë Kukaj dhe “Përballë topit” nga Riza Bytyçi. Por që atmosfera festive ka kulmuar në vallen “Festa e bashkimit” që është e bazuar në motivet e këngës “Xhamadani vija-vija”. Vallja e punuar me koreografinë e Fehmi Shaqirit është një nga vallet që i mbyllë tradicionalisht koncertet e “Shotës” për shkak të fuqisë që përcjellë përmes gërshetimit muzikor me vallëzim e lëvizjeve të duarve. Kjo ka bërë që loja e përcjellë më bashkim të shuplakave të duarve të përcillet edhe nga publiku i kufizuar në numër. Mungesa e skenës gjatë vitit që lamë pas dhe vallëzimi për 13-vjetorine Pavarësisë së Kosovës, sipas valltarit Besnik Grajçefci kanë bërë që të vallëzojnë me përgjegjësi e shumë emocion.
“Më pak fjalë, kjo është skena jonë. Ne kur nuk kemi skenë, jemi të vdekur si artistë dhe komunitet. Sonte kishim një emocion shumë të madh dhe na ka munguar kjo skenë dhe paraqitje. Interpretuam valle që i janë kushtuar kësaj lirie, në njëfarë forme në një kohëzim të shkurtër u munduam të pasqyrojmë vuajtjen dhe qëllimin e kësaj feste”, ka theksuar valltari Grajçevci.
Takim i valltarëve me skenën nuk ka lenë shenja veç pjesëtarët e “Shotës”. Për Fjolla Bylykbashi-Matoshin që përcjell vazhdimisht aktivitetet koncertale të ansamblit “Shota” ky koncert ishte i veçantë edhe për publikun.
“Për një kohë na kanë munguar. Zakonisht koncerte të tilla na ngjallin shumë emocione”, ka thënë ajo pas koncertit.
Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve “Shota”, këtë koncert festiv të mërkurën do ta dërgojë në Gjakovë në pallatin e sporteve “Shani Nushi”, duke filluar nga ora 17:00. Po ashtu për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës do ta shënojnë me dy aktivitete edhe jashtë Kosovës, në Turqi dhe Japoni ku nga ansambli “Shota” kanë dërguar video e fotografi me koreografi enkas për banorët shqiptarë që jetojnë atje.