Me një pankartë të madhe me mbishkrimin “Udhëtim në kohë”, lëvizja Vetëvendosje në Gjakovë, të dielën ka shprehur revoltën e saj kundër dëmtimit të kullës së Sylejman Vokshit.
Sipas saj, e njëjta në një të ardhme të afërt, mund të ndodhë edhe me kullat në Gllogjan e Prekaz, raporton KTV.
E, shoqëria civile në Gjakovë, mëngjesin e së hënës do të organizojë protestë, për të kërkuar shfuqizimin e planit për ndërtimin e banesave shumëkatëshe në afërsi të kullës së Vokshit, me moton “Mos e prek kullën”.
Një veprim i tillë, për ndërtimin e objekteve të ndryshme, sipas tyre, do të ketë vetëm një rezultat, që përgjithmonë, vlerën historike dhe kulturore të kullës në fjalë, ta zhdukë.
GSJP: Veprimet që cenojnë Kullën e Vokshit përbëjnë sulm banditesk ndaj trashëgimisë dhe historisë
Kundër thirrjes së kryetarit Gjini, ka votuar edhe opozita, e cila vlerëson se duhet rishikuar mirë plani, i cili do të mund të shkatërronte një pjesë të rëndësishme kulturore të Gjakovës.
Ndërkaq, ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari - Lila, thotë se kryetari aktual Ardian Gjini, duhet të mos lejojë shkatërrimin e kullës, duke lejuar ndërtimin e objekteve të larta në afërsi të kullës.
Sipas saj, kulla duhet që të restaurohet sa më shpejt dhe pronarëve të kullës t’u paguhet vlera e shpronësimit.
Kusari - Lila, tregon se vite më parë, pa dëshirën e tyre, i është dhënë leje një kompanie për ndërtimin e një objekti shumëkatësh, e tani kjo rrezikon të ndodhë edhe në distancë 20-metërshe nga kulla e Sylejman Vokshit.
Por, kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka thënë gjatë javës se me planin e tij nuk do të cenohet Kulla dhe se komuna nuk i ka paratë që duhen për kthimin e pronës në komunale.