Kulturë

Shndërrimi i ish-Burgut të Prishtinës në muze mbetet projekt

Me telat gjemborë që rrinë përsipër mureve të vjetruara, shëtitoren e ngushtë, hajatet e ftohta dhe qelitë tashmë të hapura, ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës ende ruan diçka të frikshme brenda tij. Por Ministria e Kulturës mendon që këtë ndërtesë ta shndërrojë në muze tematik, i tillë që do të “muzeojë” kujtimin për fatin e mijëra shqiptarëve që pësuan nga torturat, persekutimet dhe burgosjet e organeve represive të shtetit jugosllav. Megjithatë, pos themelimit të një grupi punues, institucioni më i madh kulturor në vend ende nuk ka lëvizur në drejtim të funksionalizmit të muzeut, të parit të këtij lloji në Kosovë

Dyert e mbyllura janë përgjigjja e shurdhër për këdo që mësyn te ndërtesa e ish-Burgut të Prishtinës. Si vend i trishtë për mijëra shqiptarë të persekutuar, ngrehina dykatëshe në formë gjysmëharkore në rrugën “Luan Haradinaj” ishte menduar të bëhej muze tematik për të kronikuar historitë e përjetimet tragjike prej viteve ‘50 të shekullit të kaluar.

Ndonëse kjo ndërtesë deri më 2016 kreu funksionet e burgut, vetëm vitin e kaluar hapi dyert jo për të pranuar të burgosur, por vizitorë.

Të parët që hynë në të ishin pikërisht të burgosurit politikë e familjarët e tyre ku panë nga afër qelitë ku dikur koha dukej sikur nuk përfundonte kurrë mes torturave e agonisë.

Për disa ditë me radhë, me rastin e 21-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, Ministria e Kulturës organizoi aktivitetin e quajtur “Streha e kujtimeve nga burgu i përndjekjeve”. Një vendim i nënshkruar nga ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, për formimin e një grupi punues për hartimin e konceptit ishte konsideruar si hapi i parë drejt shndërrimit të objektit të ish-Burgut në muze.

Sipas Ligjit nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, për ndërtesën e ish-Burgut – që është përfshirë tek projektet kapitale për nivelin qendror – janë paraparë 75 mijë euro, kurse për vitin 2022 planifikohen 25 mijë euro.

Me vetëm dy mbledhje të mbajtura, ky grup punues nuk e ka të qartë se cilët do të jenë hapat e radhës për të shtyrë tutje këtë projekt.

KOHA ka provuar më kot të kontaktojë drejtoreshën në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, Vjollca Aliu – e cila kryeson grupin në fjalë – por ajo nuk u është përgjigjur pyetjeve me shkrim.

Anëtari tjetër i këtij grupi, Hydajet Hyseni, kryetar i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë, ka thënë se deri më tash janë mbajtur vetëm dy takime.

“Nuk jam adresa e përshtatshme për këtë çështje, por në takime është folur vetëm në përgjithësi për projektin”, ka thënë Hyseni, teksa ka bërë me dije se janë angazhuar edhe arkitektë për konceptin ideor të burgut-muze.

Në hartimin e konceptit për muzeun janë përfshirë edhe Luan Mulliqi, anëtar korrespodent i ASHAK-ut, Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, Xhavit Loshaj, këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë, Meriman Braha, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Fikrije Berisha, zyrtare e Agjencisë së Arkivave, Haxhi Ademi, hulumtues në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, si dhe Ajshe Kamberi nga Ministria e Brendshme.

Qerim Ondozi, këshilltar në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se grupi punues ka zhvilluar takime fillestare për qasjen dhe mënyrën e hartimit të konceptit – detyrës projektuese teksa është kërkuar edhe hartimi i rilevimit gjeodezik dhe përpunimit grafik të ndërtesës.

Image

Aktualisht ish-Burgu i Prishtinës është me dyer të mbyllura


“Projekti i rilevimit gjeodezik dhe përpunimit grafik është hartuar dhe dorëzuar në fillim të këtij viti”, ka bërë të ditur Ondozi.

Ai ka thënë se ky institucion është në fazën e vlerësimit të nevojave dhe prioriteteve në fushën e trashëgimisë kulturore, duke shtuar se projekti për burgun-muze “ka mbështetjen tonë dhe do të trajtohet me prioritet”.

Më 23 maj të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e saj të 34-të, kishte marrë vendimin për nisjen e procedurave për shpalljen muze tematik të ish-Burgut, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë.

Kësaj i kishte paraprirë një kërkesë e komisioneve parlamentare, ndërkohë që Ministria e Kulturës bashkë me Ministrinë e Brendshme, Administratën Publike, si dhe atë të Drejtësisë kishin nisur punën që ligjërisht dhe përmbajtësisht ky objekt të shndërrohej në muze.

Në gusht të vitit të kaluar, kur ishte formuar grupi punues, ministrja Dumoshi kishte thënë se vendimi ishte marrë duke pasur në konsideratë ndjeshmërinë e çështjes, kompleksitetin e ndërtesës, duke përfshirë edhe aspektin shoqëror dhe historik.

“Shndërrimi i ndërtesës së ish-Burgut të Prishtinës me destinim Muze shënon një hap të rëndësishëm për dokumentimin e së kaluarës tonë, krijimin e një hapësire të përshtatshme dhe të nevojshme për të institucionalizuar përjetimet e të burgosurve shqiptarë të Kosovës nën regjimin jugosllav e më pas atë serb. Muzeu, i cili do të jetë si rezultat final nga vendimi i sotëm, do të shërbejë si një kujtesë e sakrificës që kanë bërë shqiptarët e Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë”, kishte thënë ministrja e asokohshme e Kulturës.

Sipas të dhënave nga Arkivi i Prishtinës, ndërtesa e Burgut të Prishtinës është ndërtuar në fund të viteve ’40 dhe në fillim të atyre ‘50.

Ndërtimi i tij përkon me kohën kur u ngritën edhe ndërtesat e Komunës së Prishtinës, si dhe ajo e ish-Komitetit në qendër të qytetit.

Forma e saj gjysmëharkore lë të kuptohet se qysh në konstruksionin e vet origjinal ajo ishte projektuar për të funksionuar si burg, ndërkohë që pjesa tjetër si administratë policore. Më vonë, në këtë ndërtesë ka vepruar edhe SUP-i serb, me të cilin akronim famëkeq ishte njohur në popull. Por, në bazë të disa shënimeve, duket se aty ka ekzistuar edhe një shkollë e vjetër e muzikës. Pas ndërtimit të burgut, kompleksi ishte plotësuar edhe me ndërtesën e zjarrfikësve, si dhe atë të gjykatës.