Kanë qenë fondet e SHBA-së që e rikthyen vëmendjen te Dresniku, i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut” midis Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Kulturës, siguronte 150 mijë dollarë në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Por tash, pak para përfundimit të projektit, implementuesit janë njoftuar se fondet amerikane janë ndërprerë. Në pikëpyetje mbetet faza e dytë që parasheh konservimin e mozaikëve që janë të mbuluar, konservimin e strukturave, infrastrukturën si parkingu e një amfiteatër aktivitetesh sikurse edhe një info-qendër e hapësira për punë të arkeologëve
Shkurtimi i fondeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndihmuar projekte në vendet tjera, ka prekur edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës. Pak para përfundimit të projektit “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut”, implementuesit janë njoftuar se financimi në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore është ndërprerë. Projekti për këtë fazë është në përfundim e sipër, por në pikëpyetje mbetet faza e dytë për të cilën është aplikuar në janar.
Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut si një prej më të rëndësishmëve në vend synohet të jetë i hapur për publikun duke i bërë të qasshëm mozaikët shumëngjyrësh të strukturave që kanë qenë një rezidencë perandorake në shekujt e parë.
Qenë fondet e SHBA-së që kishin rikthyer vëmendjen te Dresniku, i harruar qysh prej vitit 2019. Memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut” midis Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ministrisë së Kulturës, siguronte 150 mijë dollarë (141 mijë e 849 euro) në kuadër të Fondit të Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Në anën tjetër, Ministria e Kulturës kishte ndarë 51 mijë e 830 euro.
Sipas planit, projekti që nisi në shtatorin e vitit 2023, zgjat deri në qershorin e vitit 2025. Instituti Arkeologjik i Kosovës dhe Fondacioni trashëgimia kulturore pa kufij “CHwB Kosova” janë partnerët zbatues. Implementimi i takoi fondacionit kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova” dhe Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Sipas Nol Binakajt nga “CHwB Kosova”, 90 për qind e punëve të parapara në këtë projekt kanë përfunduar dhe pothuajse edhe kaq mjete janë shfrytëzuar.
“Faza e parë ishte më shumë planifikim. Masterplani i konservimit të strukturave, gjithashtu një projektpropozim për infrastrukturën bazike që lokaliteti të jetë funksional, janë në finalizim”, ka thënë ai. Sipas Binakajt plani i menaxhimit është në përfundim e sipër.
“Është punuar me të gjithë hisedarët e palët e interesit. Po ashtu jemi duke e bërë edhe planin e interpretimit, se cilat janë aspektet bazë të interpretimit që mund të ketë një lokalitet që të jetë sa më informues. Shpresojmë që të gjitha nga fundi i prillit të jenë të gatshme”, ka thënë Binakaj.
Sa i përket njoftimit për ndërprerje të financimit nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Binakaj ka thënë se pasi edhe Ministria e Kulturës është financuese, nuk beson që do të kenë telashe.
“Është një gatishmëri nga MKRS-ja që ta çojë këtë projekt deri në fund”, ka thënë ai. Paraprakisht në janar të këtij viti ata kanë aplikuar për fazën e dytë në Fondin e Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore. Por me kufizimet e financimeve jashtë ShBA-së, mundësia e përkrahjes është në pikëpyetje.
“Faza e dytë kryesisht do të fokusohet në konservimin e mozaikëve që janë të mbuluar, konservimin e strukturave, pastaj infrastruktura parkingu, një amfiteatër aktivitetesh e njëfarë info-qendre e hapësira për punë të arkeologëve. Do të jetë një ndërtesë multifunksionale”, ka thënë ai. Sipas Binakajt është paraparë një strukturë mbrojtëse te mozaiku i madh që të mund të vizitohet gjatë gjithë kohës.
“Nëse kalohen të gjitha proceset, lejet dhe ka planifikim buxhetor nga Qeveria mund të hapet tenderi për infrastrukturën. Instituti Arkeologjik do të bëjë konservimin e strukturave”, ka thënë ai. Ka parashikuar edhe kohën e implementimit.
“Si dinamikë për dy vjet e gjysmë deri në tre do të përfundonte projekti”, ka thënë Binakaj.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për këtë vit, për lokalitetin e Dresnikut i ka bartur 50 mijë nga viti i kaluar.
Arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala, i cili ka udhëhequr punimet në këtë lokalitet arkeologjik ka thënë se MKRS-ja prej fillimit ka treguar se do ta mbështesë këtë projekt deri në fund. Sipas tij është duke u pritur produkti final i planifikimeve që të nxirret kostoja.
“Projekti është në përfundim e sipër dhe besoj që në prill do të dorëzohet”, ka thënë ai. Ka shtuar se nuk sheh ndonjë problem sa i përket implementimit.
“Problemi kryesor ka qenë shpronësimi dhe ai është bërë. Tash kemi një projekt shumë të mirë e të detajuar”, ka thënë Shala. Sipas tij, kuadrot vendore mjaftojnë për të realizuar konservimin e mozaikëve dhe strukturave.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur në lidhje me planet e veta për këtë lokalitet.
Lokaliteti i shekujve të parë të erës sonë që gjendet afër Klinës së voni është shpronësuar, gjë që u ka hapur rrugë edhe më shumë investimeve. Sipas punës që po bëhet, pritet që kjo hapësirë të jetë prej më tërheqëseve sa i përket trashëgimisë kulturore.
Vendimi i Qeverisë për shpronësim është parë tejet i rëndësishëm për lokalitetin arkeologjik, i cili që prej vitit 2016 është futur në listën e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme me perimetër 16.72 hektarë. Zonë e mbrojtur llogariten 64 hektarë. Por, shtetëzimi kap pak më shumë sesa dhjetë për qind të kësaj hapësire.
“Është hapi më i rëndësishëm deri më tash në arkeologji”, kishte thënë Shala për shpronësimin e 7.8 hektarëve.
Procesi i shpronësimit të lokalitetit kishte nisur një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës, e cila riktheu vëmendjen te Dresniku. Marrëveshja qe nënshkruar më 26 shtator të vitit 2023, kurse në Qeveri vendimi që i ka hapur rrugë shpronësimit qe votuar në ditën e 27-të të atij muaji.
Burimet e KOHËS kishin treguar se shpronësimi ishte kusht i Ambasadës së SHBA-së për të financuar projektin.
Shpronësimi në Dresnik, që shtrihej në prona private, ka qenë një temë prejse doli në pah mozaiku unik më 2013, kur punimeve u printe arkeologu tash i pensionuar, Masar Valla. Asokohe njëra nga pronaret e tokës së gjetjes që u bë sensacion botëror do të tregohej e gatshme që prona e saj t’i nënshtrohej procesit të shpronësimit. Slagjana Shmiliq, bashkë me bashkëshortin e saj, Desko Srblak, kishin thënë se do t’u përshtateshin ligjeve në fuqi të Kosovës për shpronësimin e tokës së tyre.
Lokalitetin arkeologjik të Dresnikut rreth 1.5 kilometra në lindje të qytetit të Klinës, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore e cilëson si një prej lokaliteteve arkeologjike më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Në gërmimet e viteve 2012-2015 janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha.
“Kjo lloj Aule mund t’u përkasë vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. Pallati është i vendosur në qendrën e këtij lokaliteti dhe gjithashtu është identifikuar muri rrethues me gjerësi 3,7 metra dhe 3 kulla që karakterizohen nga madhësia dhe trashësia e mureve. Brenda mureve është gjetur edhe një kompleks banimi në të cilin u identifikuan gjurmë të pikturave murale të hipokausteve që dëshmojnë nivelin e lartë shoqëror, ekonomik dhe artistik të banorëve të këtij kompleksi”, shkruhet në përshkrim. Po ashtu, janë gjetur edhe shumë monedha të perandorëve të ndryshëm romakë të shekujve III dhe IV, si dhe disa copëza të shtatoreve të punuara nga mermeri.