Kulturë

Shkurte Fejza feston gjysmë shekulli karrierë si zë i lirisë

Shkurte Fejza

Pos si zë magjik i këngëve me të cilat thirrej liria, shfaqeshin vuajtjet e popullit i cili ftohej në përbashkim në kohë të vështira, koncerti që ka shënuar jubileun pesëdekadash të Shkurte Fejzës ka qenë edhe zbulim i  figurës së saj shumëdimensionale sa i përket kontributit për vendin (Foto: Ministria e Kulturës)

Me koncertin “Shkurte Fejza – 50 vjet, zëri i kombit” të mbajtur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë është festuar gjysmëshekulli në skenë i këngëtares që është vlerësuar zë i lirisë e interpretuese e himneve të këngës shqipe. Fejza është    konsideruar frymëzim në kohë të vështira për popullin shqiptar. Koncerti është organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës në kuadër të ngjarjeve që shënojnë 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës

Gjysmëshekulli në skenë i këngëtares Shkurte Fejza është festuar me vargjet e këngëve që u janë thurur lirisë e atdhedashurisë. Koncerti “Shkurte Fejza – 50 vjet, zëri i kombit” i mbajtur në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve e ka sjellë artisten në interpretimin e atyre që konsiderohen himne të skenës muzikore.

Pos si zë magjik i këngëve me të cilat thirrej liria, shfaqeshin vuajtjet e popullit i cili ftohej në përbashkim në kohë të vështira, koncerti që ka shënuar jubileun pesëdekadësh të Fejzës ka qenë edhe zbulim i  figurës së saj shumëdimensionale sa i përket kontributit për vendin. Shfaqja e një dokumentari të përgatitur nga televizioni publik ka qenë një pjesë e ilustrimit. Fejza është vlerësuar si heroinë e gjithëkohëshme.

Muret me blozë të sallës së djegur të Pallatit të Rinisë janë mbuluar edhe njëherë tjetër pas edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës vjeshtën e kaluar. Salla ishte zhbërë. Mungesa e një hapësire koncertale ka çuar drejt improvizimeve në sallën pa kushte për koncerte. Estetika ka qenë një lloj maskimi i defekteve në akustikë e avarisë me zërimin.

Por mjeshtëria e një prej këngëtareve ikonike të skenës shqiptare ka bërë që këngët e saj të kenë jehonë. Fejza ka përcjellë emocione të veçanta në interpretimin e secilës. E ka nisur me “E kam emrin kosovar”- për të vazhduar me këngët “Kthimi i Skënderbeut”, “Mbahu nëno mos ke frikë se ke djemtë në Amerikë”, “Kosovë oj nëna ime” e “Pa duvak s'kam me u ba nuse”.

Gjatë krejt karrierës së saj, pos këngëve solo ka bashkëpunuar me figura të shquara të këngës shqipe. Në koncert ka sjellë edhe fragmente nga kjo pjesë. Me Nikollë Nikprelaj ka kënduar duetin “Ah moj motër”, “Besa e shqiptarit” me Ilir Shaqirin, “Një zemër” me tenorin Kastriot Tusha e potpuri këngësh me vajzat e saj Gresa e Besiana Behluli.

“Kam filluar shumë herët të punoj dhe si të gjithë fëmijët e talentuar që veçohen nga mësuesit, qoftë edhe një anëtar i familjes, nuk e kam menduar këtë sukses. Por tani jam shumë e lumtur që preka 50 vjet dhe më lumturon edhe më shumë, sepse ishte një publik i mrekullueshëm që të shtyn të vazhdosh. E sheh se je e dashur, e mirëpritur, e admiruar me gjithë ato duartrokitje. Mendoj se mbase duhet të vazhdoj, sepse mendoja të pushoja, por po më duket se jo”, ka thënë këngëtarja Shkurte Fejza pas koncertit (Foto: Ministria e Kulturës)

Kënga e saj lidhet ngushtë me dashurinë për vendin. Para një publiku prej mijëra vetash të akomoduar pos në hapësirën kryesore pranë skenës, edhe në dy tribunat anash saj, ka kënduar këngët “Shqipëri të dua”, “Kosovë, Shqipëri” këngën ikonike “Jo nuk ndahet Mitrovica” e “Falma lotin”, që u kushtohet fëmijëve shqiptarë të vrarë në luftë.

Të pranishmit shumë herë janë ngritur në këmbë e kanë kënduar njëzëri me të. Fejza ka thënë se admirimi i publikut e shtyn drejt viteve të ardhshme të karrierës.

“Kam filluar shumë herët të punoj dhe si të gjithë fëmijët e talentuar që veçohen nga mësuesit, qoftë edhe një anëtar i familjes, nuk e kam menduar këtë sukses. Por tani jam shumë e lumtur që preka 50 vjet dhe më lumturon edhe më shumë, sepse ishte një publik i mrekullueshëm që të shtyn të vazhdosh. E sheh se je e dashur, e mirëpritur, e admiruar me gjithë ato duartrokitje. Mendoj se mbase duhet të vazhdoj, sepse mendoja të pushoja, por po më duket se jo”, ka thënë këngëtarja Fejza pas koncertit.

Programi i koncertit ka qenë veç një mostër e opusit të këngëtares Fejza. Gjatë karrierës së saj ka realizuar 45 albume me mbi 500 këngë, nga to 400 origjinale. Ka thënë se pjesa më e vështirë ka qenë përzgjedhja e këngëve për t’i interpretuar.

“Kjo ishte pjesa më e vështirë, të them të drejtën, sepse shumë këngë të bukura i kam lënë anash të cilat ka qenë e pamundur të përfshihen. Koncerti live është një mundësi shumë e mirë që artisti thjesht ta përcjellë emocionin direkt te publiku. Por edhe interpretimi më pas i ka vështirësitë e veta. Është sfidë më vete. Por unë u kënaqa pasi dhashë aq sa munda dhe publikut faleminderit që këndonte bashkë me mua”, ka thënë Fejza.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë e pranishme në koncert, ka thënë se këngëtarja Shkurte Fejza u shndërrua në zërin e lirisë në kohët e vështira për popullin e Kosovës.

“Zëri i Shkurte Fejzës për gjysmë shekulli jehon cep më cep hapësirës shqiptare. ‘Xhamadani vija-vija’ dhe ‘Mora fjalë’, janë himnet tona të përbotshme, të përjetësuara nga zëri magjik i të madhes sonë. Në kohët më të vështira kur synohej shfarosja jonë, ajo i dha gjithë popullit të Kosovës zë nëpërmjet këngës. U shndërrua në zërin e lirisë!”, ka shkruar Osmani.

E kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këngët e Fejzës mbarë Kosova mori harkun e përbashkimit.

“Ky gjysmëshekulli i këngës suaj është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë neve këtu dhe motrat e vëllezërit tanë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë forcë e shpresë që zemra kurrë të mos harrojë dashurinë për Kosovën dhe këngën”, ka thënë kryeministri Kurti para të pranishmëve.

Të pranishëm kanë qenë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, deputetë të Kuvendit të Kosovës e emra të njohur të skenës muzikore në vend.

Këngëtari Kastriot Tusha është shprehur krenar për gjithë bashkëpunimet që ka pasur me Fejzën.

“Është një artiste e madhe, me vlera kombëtare. I uroj gjithë të mirat dhe ta shohim sa më gjatë në skenë”, ka thënë ai duke e vlerësuar karakteristike këngën e saj.

“Më vjen jashtë mase mirë që mbështeten artistë që kanë ADN shqip. Shkurta është ajo me të cilën krenohet e gjithë shqiptaria. Besoj edhe të ftuarit sonte kishin përgjegjësi të madhe, sepse janë këngë karakteristike dhe janë orkestruar me aq shije dhe nuk e kanë humbur atë karakteristikë”, ka thënë Tusha.

Këngëtari Nikollë Nikprelaj e ka quajtur legjendë të gjallë të këngës derisa është shprehur i privilegjuar që i është bashkuar në skenë në koncertin e së shtunës mbrëma.

“Shkurten e kam të gjeneratës dhe ka decenie mund të them që bashkëpunojmë. Kisha kënaqësinë dhe privilegjin që sonte të isha një nga pak mysafirët e saj në këtë koncert jubilar. E falënderoj shumë që ma dha këtë mundësi dhe privilegj. Shkurta është një legjendë e gjallë e këngës dhe me të vërtetë u ndjeva i nderuar dhe i respektuar”, ka thënë këngëtari Nikprelaj.

Ka thënë se ngjarja me të cilën është shënuar 50-vjetori i karrierës së Shkurte Fejzës ia kujton bashkëpunimin e gjatë me të.

“Më kujton një jetë të tërë. Unë prej viteve studentore njihem me të dhe kemi bashkëpunuar në shumë turne e koncerte. Jemi edhe miq shtëpie dhe sonte ishte një mrekulli që duhej të ndodhte më herët. Por ajo priti që 50-vjetorin ta festojë në këtë mënyrë”, ka thënë ai.

Me interpretim krejtësisht aty për aty, bashkë me ansamblin e instrumentistëve nën përcjellje me muzikë, kanë bërë që koncerti të jetë krejt origjinal.

Orkestra është udhëhequr nga Valton Beqiri. Ka thënë se janë munduar të sjellin edhe këngë më të hershme.

“Duke pasur parasysh një opus të gjerë të këngëve që ka pasur Shkurta, përzgjedhja ka qenë pak e vështirë pasi të gjitha këngët kanë qenë të mira. Jemi munduar t’i prezantojmë edhe ato që ndoshta janë kënduar më herët, tek një gjeneratë që nuk i ka dëgjuar pasi ‘Xhamadanin...’ dhe ‘Mora fjalë’ i dinë të gjithë. Ka pasur këngë edhe nga krijimtaria e hershme nga folklori, muzika popullore, e lehtë”, ka thënë Beqiri.

Ka bërë të ditur se orkestrimet e këngëve kanë qenë nga orkestrues nga Kosova e Shqipëria. Ka vlerësuar edhe punën e intrumentistëve. E ka konsideruar sakrificë që u shpërblye me prezantimin e tyre në koncert.

“Sa u përket autorëve të këngëve kanë qenë të gjithë emra eminentë të këngës nga Pjetër Gaci, Xhevdet Gashi, Zef Qoba. Në këtë rast pos Shkurtes, e cila ka qenë iniciatore për këtë koncert, e kam shumë obligim t’i falënderoj të gjithë instrumentistët të cilët kanë qenë shumë të përpiktë në prova, pa mungesa, me orë të tëra pa lëvizur nga vendi”, ka thënë kompozitori Beqiri.

Koncerti është organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës në kuadër të ngjarjeve që shënojnë Ditën e Çlirimit të Kosovës.