Kulturë

Shkrimtari Virgjil Muçi, merr çmimin kryesor të Panairit të Librit në Tiranë

Me ndarjen e çmimeve tradicionale, ka përfunduar të shtunën edicioni i 24-t i Panairit të Librit në Tiranë. Shkrimtari Virgjil Muçi, ka marrë Çmimin për autorin më të mirë shqiptar të vitit 2021 për vëllimin me tregime “Fajin ma ka gjuha”.

Kryetarja e jurisë, Anila Mullahi, në fjalën e saj u shpreh se në Panair janë paraqitur 114 libra. “Juria ka vlerësuar të gjitha veprat e botuara, që nuk ishin vepra të pranishme në Panairin e vitit të kaluar. 114 libra janë paraqitur në shtëpinë botuese. Në panair janë paraqitur shumë vepra të përkthyera”, ka thënë Mullahi. Bashkë me anëtarët e jurisë, Enkel Demi, Albana Nexhipi, Aida Tuci dhe Xhimi Lazri, nga librat e botuar nga mesi i nëntorit të vitit 2020 e deri tani, vlerësuan me çmimi “Autori më i mirë”, Virgjil Muçin për tregimet fantastike “Fajin ma ka gjuha”. Çmimin “Përkthimi më i mirë” e ka marrë Flavia Kaba për veprën me tregime të Carlos Ruiz Zafon, “Qyteti i avullit”. Çmimin “Studimi më i mirë” e ka marrë Uran Butkën me vëllimin e gjashtë të Mithat Frashrit. Ambasada franceze për përkthimin më të mirë nga frëngjishtja, vlerësoi me çmim Mirela Kumbaron për përkthimin e “Ngadalësisë” nga Milan Kundera.

I pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve në Panairin e Librit “Tirana 2021” ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Kryebashkiaku Veliaj ia ka dorëzuar çmimin shkrimtarit Muçi.

“Shumë faleminderit të gjithë atyre që kanë investuar në një nga industritë më sfiduese, industria e librit, e përkthimit, dijes, e gjërave të mençura dhe gjërave të bukura. Në një kontekst si yni, është realisht një nga sfidat më të mëdha. Përtej këtij momenti, që është momenti më kulmor duke qenë që jemi në mes të panairit dhe e gjithë vëmendja është për ta, ajo që do të vlerësoja është që për të gjithë ata që janë të përkushtuar në këtë kauzë do të doja ta kishim çdo ditë të vitit me të njëjtin zell dhe pasion”, ka thënë Veliaj.

Kreu i bashkisë ka thënë se kjo është hera e dytë që Bashkia e Tiranës është sponsore gjenerale e Panairit të Librit, ndërsa theksoi se vitin e ardhshëm, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë do të ketë një edicion special kushtuar shkrimtarëve të rinj shqiptarë.

“Është e vërtetë që ne jemi për herë të dytë sponsorë gjeneralë të Panairit. Nuk është sekret, unë dhe Petriti (Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, v.j.) kemi pasur një debat të gjatë në vitet e mia të para në bashki, sepse në mendimin tim, nuk do të duhej që bota letrare të ishte mimikë, apo imitim i botës politike dhe më vjen mirë që për dy vjet kemi pasur një unifikim të këtij komuniteti, siç i ka hije. Jam shumë krenar për këtë”, ka thënë ai duke shtuar se përkrahjen do ta vazhdojnë edhe vitin tjetër. “Sigurisht edhe me një buxhet më të madh. Çdo vit kemi qenë në rritje, kështu që dua që vitin tjetër, duke qenë se Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Rinisë, të kemi dhe një edicion të veçantë për letrarët e rinj dhe një premium për të vlerësuar më të mirin”, ka thënë Veliaj.

Kreu i bashkisë u shpreh se vëmendja e Bashkisë së Tiranës kundrejt librit, me shtimin e modernizimin e bibliotekave, ka bërë që të rritet edhe interesi kryesisht i të rinjve drejt tyre.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që Bashkia e Tiranës ka dhënë për kulturën dhe për librin në veçanti.

“Dua të falënderoj kryetarin e bashkisë për fjalët e mira për premtimet dhe ftesën për bashkëpunim të cilën ne e përqafojmë. Viti që kaloi ishte shumë i vështirë dhe ne bëmë një panair digjital, një gjë e bukur vitin e shkuar mes atij pesimizmi nga ata që besuan. Ishte Bashkia e Tiranës që besoi te ne dhe ne bëmë një panair të veçantë ashtu siç e bën Frankfurti dhe Gjeneva, qytete të rëndësishme të librit”, ka thënë Ymeri.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Virgjil Muçi, i cili në këtë edicion të veçantë të Panairit të Librit, është shprehur mjaft i emocionuar, sa për çmimin, aq edhe për vlerësimin nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Autori i më shumë se 10 librave dhe përkthyes i 13 titujve të autorëve të mëdhenj, njëherësh fitues i çmimit “Kadare” në vitin 2018, ka thënë kjo është hera e parë që merr çmim nga një politikan dhe për këtë e falënderoi kryebashkiakun Erion Veliaj, të cilin vlerësoi se ka bërë shumë për promovimin e kulturës në qytetin e Tiranës.

“Dikush i krahasonte çmimet me kalushët e drunjtë të fëmijëve që i marrin kur janë të vegjël dhe kanë dëshirë të hipin dhe të zbaviten me ta. Unë sot po marr kalushin tim të drunjtë dhe ndoshta diku do ta lë dhe do ta kujtoj me shumë kënaqësi dhe mirënjohje. Falënderoj jurinë, falënderoj Shoqatën e Botuesve, falënderoj Erionin që është pranë kulturës dhe librit dhe kështu duhet të jetë gjithmonë”, ka thënë Muçi. Vëllimi me tregime “Fajin ma ka gjuha”, që u shpall fitues në Panairin e 24-t të librit në Tiranë, është një cikël tregimesh fantastike dhe pjesë e një trilogjie narrative që zë fill me “Përralla shqiptare 100+1 natë”, vijon me “Erotikoni e Satirikoni” dhe përmbyllet me “Fajin ma ka gjuha”. Libri “Fajin ma ka gjuha” përmban 14 tregime dhe 1 novelë.

Panairi i Librit në Tiranë u rikthye pas mungesës dyvjeçare për shkak të pandemisë. Për katër ditë, prej hapjes zyrtare të edicionit të 24-t të mërkurën, rreth 90 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi u bënë bashkë në Pallatin e Kongreseve. Ani pse me një numër më të vogël botuesish pjesëmarrës, në hapjen solemne është çmuar rilidhja e shtëpive botuese me lexuesin, shkrimtarët e me botën e librit në përgjithësi. Përkundër pjesëmarrjes më të ulët, titujt e rinj kanë qenë të shumtë. Panairi u zhvillua nën masat antiCOVID. Nga Kosova kanë marrë pjesë rreth 25 botues.

Ndërkohë, në edicionin e vitit 2020, për shkak të masave kufizuese, shtëpitë botuese dhe libraritë u munduan të gjenin mënyra alternative, duke e zhvendosur panairin në një platformë online.