Është një rrëfim nga goja e një korbi: fillon me vojvodën zulmëmadh të Moldavisë, Dimitrie Cantemir, e zgjatet deri në kohën e sotme me Putinin e sundues gjithëfarësh, shkruan sot Koha Ditore.
Ky është romani, faqet e të cilit u nxinë nga një shkrimtar i ri moldav që qëndroi vitin e kaluar në Prishtinë. Një prej letrarëve më të njohur në shtetin me një popullsi pak më të madhe se të Kosovës, Alexandru Vakulovski, ka qëndruar si mysafir mbi një muaj në Prishtinë.
Pjesë e rezidencës artistike të organizuar nga “Traduki”, ai ka banuar në një apartament në “Bregun e Diellit”. Emri i kësaj lagjeje tashmë i është mbivënë si titull disa poemave që i shkroi gjatë kësaj kohe.
“Nuk m’u duk që Prishtina nuk ka lumë për shkak se gjithandej ka male, është një qytet mes gjelbërimit”, kujton Vakulovski 41-vjeçar. Ai thotë se para se të nisej kishte dëgjuar lloj-lloj gjërash për Kosovën: disa e kishin këshilluar që të bënte kujdes se ishte punë me rrezik qëndrimi aty, e të tjerë i kishin dhënë zemër se gjithçka ishte qetë aty.
“Por kur erdha në Kosovë, pashë se ishte një vend fort autentik ballkanik. Njerëz aq miqësorë që nuk të linin vetëm kur ngatërroje rrugën apo kur kishe nevojë të gjeje diçka”.
Bashkë me bashkëshorten e tij, po ashtu letrare, Moni Stănilă, ai ka vizituar manastirin e Graçaniçës e tutje edhe Ulpianën. I ka të thadruara në kujtesë edhe peizazhet e Grykës së Rugovës me currilat e ujit që përshkonin faqet e gurta të bjeshkëve të thikta.
“Nuk më shqitet nga mendja as shija e suxhukut të jashtëzakonshëm që keni. Sa shkonte me birrën e Pejës”, thotë Vakulovski teksa vë buzën në gaz. Por, jeta në Prishtinë nuk ishte aq e huaj për të. Për shembull, ngrehinat e shumta brenda hapësirave të ngushta ishin krejt të njohura nga Moldavia e tij, ku, siç e thotë, “transicioni është i pambarimtë”.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën “Koha Ditore”)