Kulturë

“Shkrimtaret shqiptare...” në thyerje të heshtjes për zërat unikë në letërsi

Monografia “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” është vlerësuar si referencë e domosdoshme për këdo që në të ardhmen merret me shkrimtaret shqiptare e që synon ta luftojë harresën në kulturën shqiptare (Foto: IAP)

Monografia “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” është vlerësuar si referencë e domosdoshme për këdo që në të ardhmen merret me shkrimtaret shqiptare e që synon ta luftojë harresën në kulturën shqiptare (Foto: IAP)

Zëri letrar i grave do ta frymëzonte Meliza Krasniqin për t’i hyrë punës katërvjeçare për monografinë e cila në fakt u shndërrua në mision që ta thyejë heshtjen duke nxjerrë në pah një kapitull unik të letërsisë shqipe. “Janë mbi 60 autore, 230 vepra të analizuara dhe të interpretuara dhe mbi të gjitha, një histori kolektive e një zëri që shpesh ka kaluar në heshtje, por që kurrë nuk ka ndaluar së shkruari”, ka thënë Krasniqi, autore e monografisë “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990”, të përuruar të premten në Institutin Albanologjik të Prishtinës

Rrugëtimi letrar i grave nga vitet ’50 e deri në fundvitet e shekullit të kaluar, rrëfehet në monografinë “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” të Meliza Krasniqi. Botimi shkencor që përfshin mbi 60 krijuese letrare të një gjysmëshekulli, që nga shkrimtarja e parë, Musine Kokalari, është konsideruar si referencë e domosdoshme për studimin e shkrimtareve. Jo rastësisht, vepra është promovuar një ditë para shënimit të Ditës së Gruas. Ngjarja është vlerësuar si festë për gruan nëpërmjet dijes e kujtesës për gratë krijuese.

Në promovimin e veprës “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” ajo është vlerësuar si rrugëtim i zërit letrar të grave në letërsinë shqipe. Mesditën e së premtes, një nga sallat e Institutit të Albanologjisë ka qenë e mbushur me të pranishmit për këtë ngjarje. Shkallëve për në katin e sipërm, të pranishmit janë ndeshur me portretet e shkrimtareve. Ka qenë edhe një lloj homazhi i veprës e kontributit në skenën letrare shqiptare.

Autorja Meliza Krasniqi ka thënë se zëri letrar i këtyre grave e ka frymëzuar në punën mbi katërvjeçare me monografinë “Shkrimtaret…”.

“Janë mbi 60 autore, 230 vepra të analizuara dhe të interpretuara dhe mbi të gjitha, një histori kolektive e një zëri që shpesh ka kaluar në heshtje, por që kurrë nuk ka ndaluar së shkruari. Nuk do të gënjej. Ka pasur ditë kur jam ndier e zhytur në këtë det emrash, fatesh, poezish, romanesh e dramash. Ditë kur më është dukur se këto gra ishin gjithmonë me mua duke më folur, duke më recituar e kënduar në vesh. Dhe ka qenë pikërisht ky zë i tyre që më ka frymëzuar pa pushim”, ka thënë Krasniqi, hulumtuese e pavarur në IAP.  

Ka thënë se me këtë botim ka kthyer sytë te gratë që kanë lënë gjurmë në letërsi.

“Më kujtohet vargu i parë i vëllimit të parë të autores që është e pranishme këtu, Natasha Lakos: ‘ngado që shkoj do të kthehem te ti grua’. Dhe ja ku jemi sot, për ta kthyer shikimin nga gratë që kanë lënë gjurmë në letërsinë tonë”, është shprehur ajo derisa i është referuar vargut të poetes Lako.

Po ajo është njëra nga personazhet në monografinë e Krasniqit. Lako ka thënë se gratë letrare përherë kanë qenë nën hije.

“Është fat i madh të kem këtë libër që, më frymëzoi puna e Melizës për ta gjykuar, sepse shumë herë ne jemi mësuar me kështjellën, sepse librat janë të gjithë për figurat e mëdha historike. Janë aq të domosdoshme. Të lexuara shumë, sidomos kur ne fillojmë dhe rimësojmë historinë tonë. Atje nuk gjen gruan, ajo është brenda, si rrëkezë. Edhe sot autoret gra nuk janë të vendosura ndonjëherë në faqen e parë”, ka thënë poetja shqiptare Natasha Lako.

“Ka pasur ditë kur jam ndier e zhytur në këtë det emrash, fatesh, poezish, romanesh e dramash. Ditë kur më është dukur se këto gra ishin gjithmonë me mua duke më folur, duke më recituar e kënduar në vesh. Dhe ka qenë pikërisht ky zë i tyre që më ka frymëzuar pa pushim”, ka thënë Meliza Krasniqi, në përurimin e monografisë së saj, të premten në Institutin Albanologjik të Prishtinës (Foto: IAP)

Studiuesja Resmije Kryeziu ka thënë se në letërsinë shqipe, gruaja deri vonë është trajtuar si personazh.

“Nëse deri tani ajo ka qenë kryesisht personazh në letërsinë tonë, në veprën e shkrimtarëve shqiptarë, tash gruan e kemi autore”, është shprehur ajo në fillim të fjalës së saj.

Ka përmendur rëndësinë e veprës në aspektin shkencor.

“Në këtë vepër, autorja Meliza Krasniqi shpalos sa me shtrirje të hartës letrare, ajo edhe i vlerëson veprat e autorëve në hartën kohore 1954-1990. Kjo vepër ka vlerë për studiuesit e letërsisë që me shtrirjen e horizontit letrar t’i ndihmojnë thellimit të studimit. Pra, kjo vepër është një shkallë kulturore që ndihmon studiuesit e letërsisë të analizojnë gjerësitë dhe thellësitë e veprës letrare”, është shprehur Kryeziu.

Ka thënë se deri tash nuk ka pasur vepra kaq të thella të këtij lloji.

“Deri tani nuk kemi pasur vepra të shtrira që studiuesve t’u mundësonin thellësitë për ta studiuar një letërsi së cilës i takojnë. Më vjen mirë që janë përfshirë në këtë vepër e organizuar në kronologji, gjeografi, lehtësim, grumbullim i autoreve, vepër e çmuar me elemente të leksikonit dhe enciklopedisë”, ka thënë Kryeziu.

Monografia “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” ka katër pjesë të mëdha. Në të parën analizohen shkrimtaret nga Shqipëria, në të dytën ato nga Kosova, në pjesën e tretë janë shkrimtaret shqiptare të Maqedonisë së Veriut ndërsa në pjesën e fundit janë shkrimtaret shqiptare të Italisë. Përmbyllet me paraqitjen e rezultateve të hulumtimit dhe bibliografia e shkrimtareve shqiptare.

Redaktori i kësaj monografie, studiuesi Gëzim Aliu, ka bërë të ditur se shkrimtareve më të mira dhe veprave të tyre u jepet më shumë hapësirë në këtë monografi. Ka thënë se literatura e përdorur nga Krasniqi përfshin libra teorikë, historikë-letrarë, shkrime, recensione, kritika, intervista të ndryshme.

“Duke e njohur mirë gjendjen e gruas shqiptare, në të kaluarën dhe në të tashmen, edhe në familje, edhe në jetë, edhe në kulturë, sidomos në letërsi, Meliza Krasniqi ia ka vënë vetes mision të hulumtojë, të gjejë dhe analizojë të gjitha veprat letrare të shkruara e të botuara nga shkrimtaret shqiptare, jo vetëm në periudhën 1954-1990, si dëshmi se gruaja shqiptare është gjysma e barabartë e natyrshme e shoqërisë, e familjes, e jetës, e kulturës, edhe e letërsisë shqipe, dhe nga ajo vajza e gruaja me lak në fyt, ka arritur përgjatë dekadave të shekullit të njëzetë ta shfaqë e ta krijojë identitetin e vet kulturor përkundër shumë pengesave”, ka thënë ai.

Ka vlerësuar se duhet vetëbesim i madh dhe kompetencë e lartë profesionale për të bërë një punë të tillë.

“Meliza Krasniqi ka bërë punë të madhe, të jashtëzakonshme dhe mendoj se kjo monografi do të jetë referencë e domosdoshme për këdo që në të ardhmen merret me shkrimtaret shqiptare, për këdo që synon ta luftojë harresën në kulturën tonë, sidomos harresën ndaj nënave tona që na e kanë mësuar gjuhën, ndaj mësueseve tona që na e kanë mësuar shkrim-leximin, ndaj shkrimtareve tona, që na kanë treguar përmes krijimtarisë së tyre letrare e intelektuale se gruaja shqiptare nuk është thjesht objekt frymëzimi për poetët e shkrimtarët, por subjekt veprues në jetë, në punë, në shoqëri, në letërsi e në kulturë”, është shprehur Aliu.

Monografia “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990” nga Meliza Krasniqi është vlerësuar si vepër që i nxjerr në dritë veprat e shkrimtareve, duke i vënë në pah edhe sfidat e tyre.