Në një kohë kur teknologjia e fundit ka vënë në sprovë leximin, por edhe e ka lehtësuar atë përmes bibliotekave të digjitalizuara, shpesh mbesin të harruar mu ata që shkruajnë. Nga autorë bestsellerë që qarkullojnë në gjithë botën e deri tek ata që i shtyjnë ditët në qeli si të burgosur të fjalës, “raca” e shkrimtarëve, megjithatë, ka një ditë të saj. E nisur si traditë 35 vjet më parë nga PEN Club – shoqata që përfaqëson të gjithë shkrimtarët në botë – Dita Botërore e Shkrimtarëve ofron mundësinë për të kremtuar krijuesit e fjalës së shkruar. Ndonëse nuk është mbajtur asnjë aktivitet nga ministritë e Kulturës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni e Veriut, shkrimtarë e letrarë kanë ndërmendur vështirësitë me të cilat përballen. “Sot shkrimtarët letërsinë e kanë pasion e jo profesion”, është konstatimi që emërzon brengën e tyre të përbashkët
Prishtinë, 3 mars – Fuqia e fjalës së shkruar ngjall përfytyrime, tëhollon të bukurën e diku tjetër trand themelet e regjimeve dhe autokracive. Disa të njohur nga miliona e miliona lexues e të tjerë që kanë veçse pak lexues ose kryevepra që dremisin në sirtarët e harresës, shkrimtarë, lexues e botues tashmë janë në epokën sprovuese të teknologjisë dhe mediave sociale, që jo gjithherë e cytin leximin.
Si për ironi, kjo kontraston me qindvjetëshin e tetëmbëdhjetë kur romanet ishin bërë të njohur si zhanre, e shoqëria e atëbotshme tundte alarmet e shqetësimit se si të rinjtë kalonin tepër kohë pas leximit të librave. Etjen për lexim shpesh e përshkruanin edhe si “përçartja e leximit”, “ethet e leximit”, “mania e leximit”, apo “babëzia e të lexuarit”.
Teksa flitet për libra e për lexim, shpesh harrohet për ata që shkruajnë. Megjithatë, 3 Marsi, si Dita Botërore e Shkrimtarëve, është rasti kur vlerësohen e kujtohen shkrimtarët.
Që prej 3 marsit të vitit 1986, Kongresi i PEN Clubit – një organizatë e themeluar më 1921 në Londër – kremton përvitshëm festën dedikuar shkrimtarëve, në synimin e përhershëm për t’i tejkaluar kufijtë e për të kumtuar me gjithë botën.
“Një alarm për shkrimtarët”
Gjersa ministritë e Kulturës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut të mërkurën nuk kanë mbajtur ndonjë aktivitet, letrarë shqiptarë në mediat sociale kanë përkujtuar Ditën Botërore të Shkrimtarëve.
Kryetari i PEN Qendrës së Kosovës, Binak Kelmendi, ka vlerësuar se vetëm një ditë në vit është fare pak për shkrimtarët e botës. Kjo sepse, sipas tij, shkrimtarët ua kushtojnë të gjitha ditët e tyre botës dhe ndryshimit të saj me porositë përmes shkrimeve.
“Megjithatë, kjo ditë duhet të jetë një alarm për shkrimtarët: ku janë në këtë kohë teknologjie, por edhe pandemie e mbarsesh të tjera të botës që paranjoftojnë për trazimin shpirtëror të lexuesit kudo qoftë ai”, ka thënë Kelmendi në një prononcim për KOHËN.
Në emër të PEN Qendrës së Kosovës, ai ka uruar që shkrimtarët e vendit të kenë frymëzime për shkrime të reja artistike, që tejkalojnë vlerat vendore dhe kufijtë nacionalë.
“Të mos presin shumë që këto vlera do të shpërblehen si duhet, ku duhet dhe kujt duhet. Sepse edhe shpërblimet letrare ka kohë që siten nga kastat politike”, ka shtuar Kelmendi.
“Shkrimi si luks, shkrimtarët pa mirëqenie”
Edhe në emisionin “Express” në Kohavision, kushtuar Ditës Botërore të Shkrimtarëve, studiues të letërsisë e shkrimtarë kanë vënë në pah vështirësitë e sprovat me të cilat përballen të gjithë ata që shkruajnë.
Studiuesi i letërsisë dhe shkrimtari Agron Gashi ka evokuar kohën kur në biografitë e shkrimtarëve të rëndësishëm të shekullit të kaluar përmendej shpesh edhe togfjalëshi “shkrimtar i lirë”. Sipas tij, bëhej fjalë për njerëz që profesion të parë e kishin letërsinë.
“Ne letërsinë sot e kemi pasion dhe jo profesion”, ka thënë Gashi, teksa ka shtuar që nga letërsia nuk mund të jetosh.
“Gjithnjë është e nevojshme të merresh me një punë tjetër për të pasur mirëqenie, e për të pasur statusin e shkrimtarit”.
Në vazhdim të bisedës, Gashi – romani i të cilit “Talianka” është përkthyer edhe në italisht – ka evokuar momente nga përvoja e tij me botuesin italian, si dhe promovimin e romanit të tij.
“Ishte një trajtim krejt ndryshe, për faktin që gjithçka bëhej sipas kontratës”, ka thënë ai, për të shtuar se në promovim kishin marrë pjesë kryesisht njerëz që e kishin lexuar librin, apo e njihnin përmbajtjen e tij.
Edhe poetja dhe eseistja Blerina Rogova – Gaxha ka vlerësuar se shkrimi në këto kohëra është luks, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. Me këtë rast ajo ka bërë krahasimin me vende evropiane, në të cilat shkrimtari ka kontratë me botuesin dhe paguhet me honorar.
“Do të doja të kishte kushte më të mira për autorët”, ka thënë mes të tjerash Rogova–Gaxha.
“Të mos heshtim”
Gjatë ditës, Qendra e Botimeve për Diasporën ka përkujtuar Ditën Botërore të Shkrimtarëve me një afishim në faqen e saj në “Facebook”, në të cilin është dhënë një përshkrim mbi historinë e këtij shënimi ndërkombëtar të nismuar nga PEN Clubi, shoqata që promovon miqësinë dhe mbështetjen intelektuale për shkrimtarët nga të gjitha anët e botës.
Me këtë rast, QBD ka zgjedhur edhe disa vargje nga poezia “Vrasja e Poetit”, e shkrimtarit Martin Camaj. “Liria e fshehun mas vargjeve të poezisë/nuk ishte vetëm/ Para tyne rrishin galue roje/shpend mishngranës/me fytyrë njerëzore”, janë disa prej vargjeve të Camajt të zgjedhura për këtë ditë.
Shkrimtarja dhe autorja korçare Kozeta Zavalani, bashkë me kolegen e saj poete Emrije Krosi, kishin zgjedhur diskutimin mes vete për të kremtuar Ditën Botërore të Shkrimtarëve.
“Diskutuam romanet tona që do të botohen së shpejti, për vërtetësinë e figurat e personazheve, ngjarjet interesante e rrëqethëse, të jetuara nga gra të dhunuara seksualisht dhe të përshkruara bukur, që janë gjithnjë të pëlqyera dhe tema tashmë jo-tabu që duan diskutim e studim të gjatë, nën moton “Të mos heshtim”, ka thënë Zavalani.
Kurse poeti Ligori Stafa, në një dedikim të bërë në Facebook për 3 Marsin, ka thënë se shkrimtarët “përmes shpirtit të fjalës dhe humanizmit të thellë kanë arritur në bërjen e librit një vlerë, një thelb, leximin një model të jetës”.