Kulturë

“Shkolla verore si shkollë” anulohet, “Stacioni” fajëson Ministrinë

"Shkolla verore si shkollë"

Drejtuesi i “Stacionit”, Albert Heta, ka thënë se mjetet prej 20 mijë eurosh – përfituese e të cilave është nga thirrja publike për mbështetjen e organizatave joqeveritare nga Ministria e Kulturës – nuk u janë alokuar ende, as kur kanë mbetur edhe dy javë deri në edicionin e “Shkollës verore si shkollë” që ishte paraparë për sivjet

Kur i duhet edhe një vit që të shënojë dekadën, ”Shkolla verore si shkollë” ishte bërë gati për edicionin e radhës, por qendra për art bashkëkohor “Stacion”, që e organizon atë, ka marrë vendim ta anulojë, dhe krejt kjo ngjan sherri i vonesës së bartjes së mjeteve nga Ministria e Kulturës. Për organizatorët, anulimi i një ngjarjeje si kjo është alarm. “Ne nuk kemi gjetur mënyrë tjetër pos ta anulojmë për fat të keq dhe në të njëjtën kohë të ngremë një lloj alarmi për këtë gjendje në skenën e pavarur të artit dhe kulturës në vend”, ka thënë Albert Heta, udhëheqës i “Stacionit”

“Shkolla verore si shkollë” gjatë 13 ditëve sivjet do të shtrinte programin në Prishtinë me studentë vendorë e të huaj. Në dhjetë kurse parashihej të merrnin pjesë rreth 150 veta. Por qendra për art bashkëkohor “Stacion” e ka anuluar atë për shkak të “financimit të pamjaftueshëm dhe mungesës së mbështetjes institucionale”. 

Datat ishin caktuar – nga 5 deri më 17 gusht, ani se paraprakisht nuk kishte thirrje publike për pjesëmarrës. 

Drejtuesi i “Stacionit”, Albert Heta, ka thënë se mjetet prej 20 mijë eurosh –  përfituese e të cilave është nga thirrja publike për mbështetjen e organizatave joqeveritare nga Ministria e Kulturës –  nuk u janë alokuar ende, as kur kanë mbetur edhe dy javë deri në edicionin që ishte paraparë për sivjet.

“Institucioni ynë, sikurse edhe institucionet e tjera të pavarura, ende nuk ka marrë buxhet publik as prej Ministrisë së Kulturës e as prej Komunës së Prishtinës. Në të njëjtën kohë institucionet publike e marrin buxhetin publik prej fillimit të vitit dhe funksionojnë pa asnjë problem. Llogariteni se deri në këtë kohë, gjithçka që funksionon, pa marrë parasysh se përmendet përkrahja e Ministrisë së Kulturës, mjetet ende nuk janë alokuar”, ka thënë ai. 

Nuk është parë mundësia që datat e këtij aktiviteti të shtyhen për shkak të angazhimeve të studentëve e personelit akademik. Anulimin e shkollës së sivjetme verore e ka konsideruar si mënyrë për të ngritur alarm për gjendjen e skenës së pavarur kulturore e artistike. 

“Kjo bllokadë totale e ka bërë të pamundur organizimin e një programi kaq të madh. Ne nuk kemi gjetur mënyrë tjetër pos ta anulojmë për fat të keq dhe në të njëjtën kohë të ngremë një lloj alarmi për këtë gjendje në skenën e pavarur të artit dhe kulturës në vend”, ka thënë Heta në një përgjigje për KOHËN, të dielën. 

Pos kurseve, kishin qenë të planifikuara tri ekspozita, diskutime e ngjarje të tjera. Njëjtë ngjante edhe në edicionet e kaluara. 

Kjo është hera e dytë që anulohet kjo shkollë. Në vitin 2020 ishte ndërprerë si rrjedhojë e pandemisë. Heta ka thënë se do të gjejnë alternativa për zhvillimin e edicioneve të ardhshme, por se brenga kryesore është përgjegjësia e institucioneve dhe zvarritja në të tilla procedura. Ka thënë se institucionet e skenës së pavarur artistike e kulturore po penalizohen. 

“Të alokohet buxheti në gusht, kjo tregon qëllimin e qartë që prioritet t’u jepet institucioneve publike të cilat i mirëmban shteti. Është shumë e padrejtë që ato institucione të marrin buxhet nga janari, ndërsa institucionet e tjera të cilat në shumë raste e mbajnë jetën kulturore në një pikë, të diskriminohen në këtë mënyrë dhe buxhetin publik ta marrin në gusht, shtator a tetor. Penalizohen për më shumë se gjysmë viti”, ka thënë ai, derisa ka vlerësuar se ky lloj penalizimi po bëhet me tendencë.
“Nuk është se ministri aktual nuk i di problemet e skenës së pavarur. Ai ka qenë për shumë gjatë pjesë e skenës së pavarur. Ne për shumë gjatë kemi punuar pranë njëri-tjetrit, por tendencat janë të tilla. Artet pamore janë penalizuar prej vitit 2015. Brenda vitit kemi kulturë, brenda vitit nuk kemi. Buxheti është vonë i komunikuar, nuk e dimë kur realizohet, është i mangët dhe nuk i përshtatet programit”, ka thënë ai. 

Heta ka thënë se me këtë qasje po rrezikohet edhe programi vjetor i kësaj qendre, pos shkollës verore edhe programi i Muzeut të Artit Amerikan, ekspozita vjetore “Artistët e së nesërmes” dhe ngjarje të tjera vartëse të programit të “Stacionit”. Por mbështetjen vjetore prej 20 mijë eurosh e ka konsideruar të pamjaftueshme. 

“Në kushte normale, programi vjetor në norma modeste zakonisht kap shifrën 100 mijë euro. Me gjasë nuk lexohet projekti çfarë ka të paraparë brenda dhe kriteret në bazë të të cilave vendoset nuk janë transparente dhe nuk u përgjigjen programeve që vendosen”, ka thënë ai duke shprehur dilemën nëse edhe mbështetja në këtë shumë do të realizohet. 

Edhe vitin e kaluar “Stacion” ishte përkrahur me 20 mijë euro. 

“Është dhënë një shumë prej 20 mijë eurosh, si vitin e kaluar, që është e pamjaftueshme për ta organizuar shkollën verore, por edhe pjesë të tjera të programit publik. Vitin e kaluar kemi dërguar ankesë, nuk kemi marrë përgjigje. Edhe sivjet nuk kemi pasur zgjidhje pos ta anulojmë programit dhe të shpresojmë se kjo qasje do të ndryshojë. Unë kam pak shpresa që me këtë qeverisje do të ndryshojë”, ka thënë Albert Heta. 

Artistë, arkitektë e studiues të arteve pamore, shkencave shoqërore, historisë së artit dhe studimeve kuratoriale, arkitekturës dhe dizajnit e ndjekin këtë shkollë. Akomodoheshin në konviktet e Qendrës së Studentëve në Prishtinë. Drejtori i organizatës “Stacion” ka thënë se edhe ky institucion “sivjet ka qenë i ngathët të përgjigjet me kohë”. 

Vitin e kaluar “Shkolla verore si shkollë” ishte mbajtur prej 7 deri më 20 gusht. Me organizimin e saj gjithçka kishte nisur në vitin 2015, kur edicioni i parë ishte zhvilluar nga 26 korrik deri më 9 gusht. Ajo është e dizajnuar për të bashkuar dhe për të përhapur dijen e për të trajtuar sfidat e ditëve të sotme duke zbatuar modele të reja dhe mundësi në arsimimin artistik dhe bashkëpunim.