Skelet e vendosura në të dy anët e “Shkollës së parë shqipe” në Prishtinë dëshmojnë se punimet nuk kanë lëvizur asnjë hap përtej “intervenimeve emergjente” të vitit 2018.
Objekti, i cili është në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, tash e disa vjet ka mbetur në këtë gjendje. Në kuadër të ndërhyrjeve ishte paraparë stabilizimi i themeleve të ndërtesës, pastrimi i pjesës së brendshme dhe sigurimi i dyerve të reja. Ishte paralajmëruar edhe një projekt konservimi e restaurimi.
Monumenti i shekullit XIX, ndonëse në një pozicion të dukshëm, nuk ka asnjë tabelë që i informon qytetarët për funksionin që kishte dikur. Madje edhe kalimtarët që i bien përskaj nuk ia kanë idenë se ky objekt ishte i pari në Prishtinë që shërbente për mësim.
Sipas të dhënave zyrtare që gjenden në “Databazën e Trashëgimisë Kulturore”, “Shkolla e parë shqipe” në Prishtinë ishte hapur në vitin 1908 me rreth 250 nxënës. Sipas këtyre informacioneve të pakta, ky objekt ishte rindërtuar pasi në vitin 1880 ishte djegur.
“Ndërtesa me etazhitet P+1 është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XIX nga Avdurrahman Pasha, shqiptar nga Prishtina. Në vitin 1880 është djegur, por është rindërtuar prapë nga djemtë e Avdurrahman Pashës. Më 1908, në këtë ndërtesë hapet gjimnazi (Idadije) që kishte rreth 250 nxënës shqiptarë. Pas Luftës së Dytë Botërore, një kohë është shfrytëzuar si kazermë e ushtrisë së ish-Jugosllavisë”, është përshkrimi zyrtar për historikun e ndërtesës që në Listë numrin rendor e ka 3194.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore kishte paparaparë ta përfundojë projektin për restaurimin dhe konservimin të kësaj ndërtese. As ky institucion e as nga Ministria e Kulturës nuk i janë përgjigjur interesimit të KOHËS lidhur me përfundimin e projektit dhe hapat e mëtejmë të ndërhyrjes në objekt. Për monumentin nuk kanë pranuar të flasin as zyrtarët e Komunës së Prishtinës. Që të tria këto institucione janë përgjegjëse për monumentet e kryeqytetit.
“Shkolla e parë shqipe” gjendet në pjesën perëndimore të qendrës historike të Prishtinës, në trekëndëshin që e formojnë rrugët “Trepça” dhe “Ilir Konushevci”.