Kulturë

Shkolla e muzikës në Pejë me objekt të ri, pas gjashtë vjetësh punë dhe përplasje

Shkolla e Muzikes ne Peje

Me 14 klasa mësimore, dy salla për ushtrime e një holl për koncerte, nxënësit e shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë pas gjashtë vjetësh të nisjes së procedurave të ndërtimit, tashmë kanë kushte infrastrukturore moderne krejtësisht larg atyre që i kanë pasur më parë

Nga një hapësirë e ngushtë, pa kushte të denja dhe shpeshherë edhe me pamundësi të zhvillimit të orëve mësimore nga mungesa e klasave, shkolla e mesme e lartë dhe e ulët e muzikës “Halit Kasapolli” në Pejë tashmë është bërë me objekt të ri. Me lokacion afër parkut “Karagaç”, muzikantët e rinj të hënën kanë prerë shiritin e ndërtesës së re shkollore, e cila për nga kushtet është nga objektet e rralla të institucioneve arsimore publike në vend.

Me 14 klasa mësimore, dy salla ushtrimesh e një holl për koncerte në tri kate objekt, nxënësit e kësaj shkolle pas gjashtë vjetësh të nisjes së procedurave të ndërtimit tashmë kanë kushte infrastrukturore moderne e krejtësisht larg atyre që i kanë pasur më parë.

Drejtoresha e shkollës së muzikës “Halit Kasapolli”, Rreze Kastrati, në një prononcim për KOHËN ka thënë që akustika është veçantia e objektit të ri, duke e cilësuar infrastrukturën si evropiane.

“Secila klasë është e pajisur me akustikë fenomenale për instrumente”, ka treguar ajo. “Gjëja më e rëndësishme për ne instrumentistët është akustika, kështu që ajo është shumë në nivel të mirë në shkollën tonë të re”.

Ka treguar se ka studiuar për piano në Vjenë dhe, sipas saj, objekt kaq bashkëkohor edhe në qytete evropiane rrallë mund të gjendet.

“Ne vijmë nga një ndërtesë shumë e vjetër. Vijmë nga një ndërtesë me katër a pesë klasa, ku mësimi është mbajtur në kushte shumë të vështira”, ka thënë ajo.

Kastrati ka treguar se problemi kryesor në objektin e vjetër ka qenë koordinimi i profesorëve për të mbajtur orët mësimore në salla shkaku i mungesës së hapësirave përderisa prej të hënës ky problem është tejkaluar.

Përderisa nxënësit profilizohen në drejtimin e përgjithshëm muzikor ose në instrumente si piano, violinë, flaut, kitarë, klarinetë, trombon, violë e harmonikë, drejtoresha Kastrati ka thënë se është në përpjekje të hapjes së drejtimeve të reja në mënyrë që të kompletohet edhe formimi i orkestrës së shkollës.

“Me instrumente s’jemi edhe keq. Kemi nevojë për to, por po besoj se në këtë objekt do të plotësohemi në vazhdim. Çka na duhen tashmë janë drejtimet e reja, solokëndimi, violonçeli e kontrabasi. Do të luftoj t’i hap sa më shpejt”, ka thënë ajo.

Përderisa kolegët e saj maturantë diplomuan në ceremoninë e inaugurimit të objektit të ri, nxënësja e vitit të parë në flaut, Arjeta Rrahmani, ka vlerësuar se ka dallime të dukshme në kushtet nga objekti në objekt.

“Në shkollën ku kemi qenë atje në objektin e vjetër s’kemi pasur vende e klasa, s’kemi pasur ku me ushtru. Jemi shumë të gëzuar që jemi në objektin e ri shkollor dhe që do t’i vazhdojmë mësimet këtu”, ka thënë ajo, duke e veçuar ngrohtësinë dhe akustikën e objektit.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e cilësoi objektin si të jashtëzakonshëm.

“Është një shkollë model jo në Kosovë por edhe më gjerë. Këso shkolle të muzikës nuk ka. Ka pasur peripeci të shumta nga fillimi i ndërtimit e deri sot”, ka thënë ai.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Naser Gega, ka thënë se përmes këtij inaugurimi rikapitullohet esenca dhe qëndrueshmëria e talenteve pejane.

“Peja është djep i kulturës dhe artit dhe ka çka të prezantojë. Arti dhe kultura ato që na bënë të njohur nëpër botë, ato nuk njohën kufij e barrierë, civilizimi ynë u shfaq anekënd botës me përkushtim e cilësi të jashtëzakonshme. Kjo është kurora e parë e shkollës së muzikës, kurora tjetër na pret në shkollën e artit “Odhise Paskali”, përfundoi ai.

Sipas pianistes e profesoreshës universitare Lejla Pula, ky është moment historik duke e cilësuar Pejën si meritore për këtë objekt për shkak të talenteve që ka.

“Kam bërë çmos të gjendem këtu, sepse ndërkohë gjatë këtyre 20 vjetëve që punoj në Fakultetin e Arteve, kam parë të rinj të jashtëzakonshëm, pianistë që kanë dhënë shumë në fushën e kulturës në Pejë”, ka thënë Pula.

Sipas saj, kjo shkollë e re do të jetë stimul për nxënësit.

“Veç në këtë mënyrë mund të trasojmë rrugën drejt Evropës, duke ndërtuar institucione, duke i fuqizuar institucionet me anë të ndërtimit të infrastrukturës, sepse talentet jashtë institucioneve s’mund të bëjnë shumë. E dimë që në shumë qytete në Kosovë improvizohen shkollat, hapësirat, sallat koncertale. Kjo është jashtëzakonisht me rëndësi”, ka përfunduar ajo.

Shkolla e mesme e muzikës, e cila funksionon në Pejë nga viti shkollor 2008-2009, por që ka ekzistuar si degë e shkollës së mesme të ulët edhe nga viti 1976, ka emrin e kompozitorit pejan Halit Kasapolli, i cili ka vdekur në moshën 22-vjeçare. Me përfundim të shkollës së mesme të muzikës në Prizren ai kishte nisur studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd, për të mbetur një nga ikonat përfaqësuese të muzikës klasike pejane. I pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të objektit të ri ishte edhe nipi i kompozitorit, Xhevdet Kasapolli.

“Unë s’e kam njohur axhin tim Halitin, për shkak se në kohën kur jetoi ai unë isha shumë në moshë të re, por për jetën dhe veprimtarinë e tij kam mësuar nga kolegët, prindërit e mi, revistat e mediat. Që në moshën e re ai u dallua në muzikë, talentin dhe pasionin ndaj muzikës e pati që në bankat e shkollës së mesme të muzikës në Prizren, e sidomos pas saj si instrumentist, dirigjent i dalluar”, ka thënë gjatë fjalës së tij Kasapolli.

Ndërtimi i objektit të ri të shkollës së muzikës “Halit Kasapolli” i ka kushtuar gjithsej 467 mijë euro vetëm për atë që është përshkruar si “faza e dytë” e punës. Në korrik të vitit 2016 kishte nisur ndërtimi i objektit të ri të kësaj shkolle në lokacionin buzë parkut “Karagaç”. Por gjatë natës së një shtatorit kishte shpërthyer gypi kryesor i ujësjellësit në skaj të punishtes dhe uji kishte dëmtuar tërësisht punën e porsapërfunduar në pllakën e betonit të podrumit dhe themelin e objektit. Dëmet llogariteshin rreth 80 mijë euro, gjë kjo që kishte shkaktuar përplasje në Kuvendin e Komunës.