Kulturë

Shkodra me muze etnografik synon të fuqizohet si destinacion turistik

Ideja për muzeun etnografik në Shkodër

Ideja për muzeun etnografik në Shkodër është prezantuar jo vetëm si muze i kostumeve, por edhe i objekteve të çmuara që ia rrisin peshën një institucioni të tillë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është ndalur të mërkurën te projektet transformuese që synojnë nxitjen e turizmit në Shkodër. Ka veçuar ngritjen e muzeut etnografik. Në takimin në këtë qytet me sipërmarrës të rinj të kthyer nga emigracioni, Rama është shprehur se sfida kryesore mbetet se çfarë duhet të bëhet me atraksionet kulturore.

“Po diskutojmë pjesën e turizmit në qytet. Një pikë tjetër tërheqëse për të rritur fluksin edhe për të pasur kohëzgjatje të qëndrimit, se ajo është sfida kryesore, është edhe çfarë do të bëjmë me atraksionet kulturore”, citohet të ketë thënë kryeministri Rama. 

Ka vlerësuar se “Marubi” është një muze i vogël në dimension, por që ka luajtur rol.

“Tani kemi dy muzeume të tjera dhe pastaj Muzeun e Kujtesës, i cili nga ‘dyqan Vodafon’, që kishin bërë për të persekutuarit, po transformohet në një muze vërtet evropian. Projektin e prezantuam këtu, është shumë i bukur dhe tani do të fillojmë detajimin e projektit”, ka thënë Rama, raportojnë mediat në Shqipëri. 

Ndërkohë, sipas tij, “te projekti i hyrjes së Shkodrës është edhe Muzeu i Lundrimit, edhe ai i financuar dhe do të ndërtohet në këtë proces”.

“Qershia mbi tortë është ideja për muzeun etnografik, që do të jetë jo vetëm i kostumeve, por edhe i objekteve, i të gjitha këtyre sendeve të çmuara që do ta bëjnë një supermuze”, ka thënë Rama.

Sipas tij, Shkodra nga pikëpamja e fluksit të vizitorëve ka një rritje shumë të madhe dy vjetët e fundit dhe nga pikëpamja e njësive të akomodimit ka nevojë shumë të madhe. “Po të shikosh çfarë po ndodh me Shkodrën nga pikëpamja e shifrave është absolute që nevoja për më shumë njësi akomodimi do të rritet në mënyrë shumë-shumë të konsiderueshme”, ka thënë ai. 

Sipas tij, në Shkodër janë 200 njësi që janë mesatare ose të vogla, por duhet më shumë, edhe në zonën brenda. 

“Siç diskutonim të gjithë këto njësitë që janë më brenda, që janë në formën e agroturizmit ose hotele malore, kanë një vlerë jashtëzakonisht të madhe dhe Thethi e tregon shumë qartë. Thethi është shkollë, do të shikosh si është e ardhmja e mundshme, në shumë territore të Shqipërisë, se Thethi është i mahnitshëm, por nuk është i vetmi nga pikëpamja e bukurive natyrore. Bukuritë natyrore në forma të ndryshme i ke gjithandej, por aty është shkollë”, ka thënë Rama, duke shtuar se në Theth shumica e bizneseve janë hapur nga të rinjtë.