Kulturë

“Shkodra Elektronike” me “Zjerm” drejt “Eurovisionit” për Shqipërinë

Shkodra Elektronike

“Shkodra Elektronike” ka marrë në përgjithësi 143 pikë, përderisa Elvana Gjata me këngën “Karnaval”, 135 dhe Alis me “Mjegull”, 59 pikë. E njëjta renditje sa u përket vendeve ka qenë edhe në vlerësimin e jurisë. Sipas jurisë, renditja është bërë 78 pikë për “Zjerm”, 74 për “Karnaval” dhe 52 për “Mjegull”

 

 

 

 Grupi “Shkodra Elektronike” në përbërje të Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës me këngën “Zjerm” do ta përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin evropian të Këngës, “Eurovision”. Në edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, vlerësimi i jurisë dhe ai i publikut kanë qenë thuajse të njëjtë. Që të dyja palët e kanë nxjerrë “Shkodrën Elektronike” në vend të parë.

“Shkodra elektronike” ka marrë në përgjithësi 143 pikë, përderisa Elvana Gjata me këngën “Karnaval”, 135 dhe Alis me “Mjegull”, 59 pikë. E njëjta renditje sa u përket vendeve ka qenë edhe në vlerësimin e jurisë. Sipas jurisë, renditja është bërë 78 pikë për “Zjerm”, 74 për “Karnaval” dhe 52 për “Mjegull”.

Më pas, votat e diasporës dhe ato me “sms” nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi kanë bërë që renditja të mos ndryshojë.

Nga juria, Ramona Tullumani ka dhënë pikët maksimale, 12 për “Karnaval” të Elvana Gjatës, sikurse edhe Florent Boshnjaku dhe kryetarja e Jurisë, Zana Çela. Kurse Ylljet Aliçkaj, Jonida Maliqi dhe Alma Bektashi kanë dhënë pikët maksimale për “Zjerm”.

Këngëtarja Gjata është parë të ketë manifestuar nervoz pas shpalljes së rezultateve. Fillimisht, pas pranimit të luleve dhe trofeut, ka dashur të lë skenën. Moderatori Enkel Demi ka insistuar që ajo të qëndrojë. E më pas Gjata i është drejtuar publikut.

“Faleminderit me gjithë zemër... Jeta më ka mësuar që 10 herë të bie dhe 11 të ngrihem”, ka thënë ajo. 

Kurse Beatriçe Gjergji nga “Shkodra elektronike” pas interpretimit të këngës ka thënë se është pa fjalë.

“S’kam fjalë me ju falënderu”, ka thënë Gjergji nën brohoritmat e publikut.

Tri netët e Festivalit e “tkurrën” numrin e finalistëve në 15 nga 30 konkurrentë gjithsej.

Në finale kanë qenë në garë edhe këngët “Gjallë” nga Jet, “Kur bota hesht” nga Kejsi Jazxhi, Lutem” nga Vesa Smolica, “E kishim nis’” nga Stine, “Larg” nga “Djemtë e Detit”, “Zemrës” nga Nita Latifi, “Larg jetës pa ty” nga Gjergj Kaçinari, “I pare” nga Orgesa Zaimi, “Amane” nga Ardit Çuni, “Bosh” nga Algert Sala, “Frymë” nga Lorenc Hasrama dhe “Antihero” nga Mal Retkoceri.

Çmimin e Kritikës e ka fituar “Shkodra Elektronike”, të cilët janë autorë të muzikës, tekstit dhe orkestrimit të këngës “Zjerm”. Çmimi shpërblen artistët që janë vlerësuar nga paneli i kritikëve të muzikës për cilësinë e interpretimit, kompozicionit, dhe performancës së tyre.

“Ky çmim vlerëson artistin për kontributin e tij në art dhe muzikë, duke e nxjerrë përpara për aftësitë e tij profesionale dhe përkushtimin në muzikë”, shkruan RTSH.

Ndërsa Çmimi për tekstin më të mirë i është dhënë Vesa Smolicës për këngën “Lutem” me tekst të Erjona Rushitit. Me këtë çmim, RTSH shpërblen autorët e teksteve të këngëve që paraqesin mesazhe të fuqishme, poetike dhe që shtrijnë ndikimin e tyre në publik. Por në edicionin e radhës së “Eurovisionit” që do të mbahet në Basel të Zvicrës në maj, “Shkodra Elektronike” do të përfaqësojë Shqipërinë.

“Shkodra elektronike” u themelua më 2019 dhe repertori i tyre kryesisht përfshin rikrijime e ripërpunimeve të perlave të këngës shqiptare.  Kishin filluar si grup projekti në vitin 2019 dhe në këtë kohë ata performuan në shumë ngjarje të rëndësishme italiane dhe shqiptare. E para ishte me rastin e hapjes së Pavijonit Kosovës dhe Shqipërisë në Bienalen e Venecias më 2019. Më tej kishin vazhduar të thellojnë zhanrin e tyre me hapjen e ekspozitës personale në Tiranë të artistit Adrian Paci, e në edicionin e katërt të Festivalit “Zā Fest” e të tjera. Në vitin 2020 filluan të publikojnë këngët e para. Kënga origjinale “Ku e gjeta vendin” ishte fituese e çmimit special në “Festivalin Lule Borë" e më tej kishin nxjerrë edhe të tjera një vit më pas si “Synin si qershia” e “Turtulleshë”.

Në edicionin e kaluar, me votat e publikut, të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision” e pati Besa Kokëdhima me këngën me titull “Zemër n’dorë”. Ndërsa fitues i edicionit kishte dalë Mal Retkoceri me këngën “Çmendur”. Në finale ishin interpretuar 22 këngë.

Sivjet në natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të cilët kanë ndjekur këngët në sallën e Pallatit të Kongreseve përkrah Aurora Polos, zëvendësdrejtoreshë e RTSH-së, njëkohësisht edhe drejtoreshë e Festivalit. Nata finale e Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar është hapur me këngën “Era” nga artisti MC Kresha. Ka thënë se secila nga këngët meriton duartrokitjet dhe vlerësimet e publikut.

“Kjo është hera ime e parë në festival, bëra një gafë të vogël gjatë performancës. Kjo është e bukura e këngës live, të gjithë këngët konkurrente meritojnë duartrokitjet dhe vlerësimet e publikut, pasi është sfidë për të kënduar një këngë në nivelin absolut përcjellë nga orkestra dhe banda fantastike”, ka thënë ai.