Në ish-Jugosllavi, Beogradi ishte qytet që tërhiqte të rinjtë e besimeve dhe kombeve të ndryshme. Kështu, nga fundi i viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, në degën e Aktrimit të Fakultetit të Arteve Dramatike të Beogradit, u gjetën Bekim Fehmiu, i biri i shqiptarit të ngritur Ibrahim Fehmiu, bashkëluftëtarit të Bajram Currit, luftëtarit për pavarësinë e Shqipërisë që vinte nga një familje myslimane nga Prizreni, dhe Branka Petriq, nga ana e të atit katolike prej Rjekës, ndërsa nga ana e së ëmës prej familjes Karamatijeviq të Sanxhakut, serbë në mesin e të cilëve kishte luftëtarë të dalluar nga fronti i Selanikut dhe partizanët.
Dashuria e tyre dhe martesa, që do t’i jetojë për pesëdhjetë vjet, nuk ishte dashuri në shikim të parë. Me vite para se të binin në dashuri, rrugët e tyre shpesh janë gërshetuar. Janë takuar në akademinë e aktrimit, e posaçërisht në orët e vallëzimit, ku Bekimi dallohej aq shumë, saqë profesoresha Sonja Dojçinoviq përpiqej ta bindte që të kalonte në balet, duke i thënë: “Më besoni, do t’ia kalonit edhe Nurejevit”. Më shpesh vallëzonte me Brankën “shtathedhur, këmbëgjatë dhe me flokë gështenjë të errëta”, siç e përshkruante.
Por, edhe pse profesoresha u fliste se janë një çift i mrekullueshëm, asokohe ata ishin vetëm dy kolegë. Bekimi në studime ishte i heshtur, punëtor, joimponues, ndërsa Branka, kur herën e parë e kishte pyetur nëse mund të bëheshin një çift, i kishte thënë: “Je shumë i ri për mua”.
Engjëlli dhe kalorësi
Në një moment dukej sikur mes tyre nuk do të ketë as miqësi – Bekimi në një rast është përplasur me shokun më të mirë të Brankës, Bata Stojkoviqin, i cili ia kishte sharë “nënën shqiptare”. Siç e kujton Bekimi në librin e tij, Branka pas kësaj as nuk e kishte përshëndetur, duke e shikuar “si xhelate”. Por, me gjithë këtë përplasje, Bekimi dhe Bata më pas u bënë shokë të mirë, ndërsa marrëdhëniet e Bekimit me Brankën u ngrohën, posaçërisht sa ai ishte në shërbimin ushtarak, gjatë së cilës kohë Branka i shkruante shpesh.
Duke i përshkruar këto vite të miqësisë, Bekimi e quan Brankën “engjëlli im” që kujdesej për të, ndërsa ajo atë si “kalorësi im”, një xhentëlmen që e mbronte dhe e përcillte deri te shtëpia. Në letrën e fundit dërguar Bekimit sa ishte ushtar, Branka i ofroi atij një rol filmik dhe e ftoi te familja e saj, në Novi Vinodolski. Aty, pranë detit, pas darkës në shtëpinë e Petriqëve, lindi dashuria mes tyre, të cilën Bekimi e përshkruan kështu në memoaret e tij:
“Nata është e ngrohtë dhe plot xixëllonja. Zefiri sjell aromën e detit. Dëgjohen gjinkallat dhe tingujt e largët të fizarmonikës. I ndezëm cigaret. Më duket se po e shoh një ëndërr të mrekullueshme. Nën qiellin ngjyrë vjollcë me yje ishin dy të rinj, shkëndijat e simpative të ndërsjella të të cilëve, të ndryshuara me vetëdije a pa vetëdije, kishin nisur të shkreptinin që nga takimi i parë... ajo natë e nxehtë gushti do të më binte në kokë’”.
Pas vitit të parë, lidhja e tyre u gjet në udhëkryq – ose do të ndërpritej, ose do të rritej në diç më të thellë dhe më të qëndrueshme. Atë verë, i ati i Brankës, Vinko, e pyet Bekimin se çfarë qëllimesh ka me të bijën e tij. “Pyeteni vajzën tuaj, çfarë janë qëllimet e saj me mua”, ishte përgjigjur Bekimi, i cili asokohe konsideronte që Branka ende nuk ishte e gatshme për lidhje martesore.