Në fund të këtij viti shënohet 15-vjetori i gurit themeltar për teatrin e operës dhe baletit “Ibrahim Rugova” dhe mbi një milion eurove të shkuara huq pa llogaritur ato të konkurseve e jurive. Por, 2024-a ka nisur keq me dështimin e përzgjedhjes së projektit. Krejt kjo sherri i shkeljes së procedurave, në radhë të parë nga vetë Ministria e Kulturës. Ky tentim qe pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019. Tash hyn në episodin e radhës
Dështimi i procesit të përzgjedhjes së projektit për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit qe një kronikë e paralajmëruar. Pas më shumë se një viti procedurë, shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës ky institucion nuk ia ka dalë që ta bëjë hapin e parë për projektin më të madh kapital në kulturë, të cilin shteti e synon tash e dy dekada. Nëpërmjet vendimit, paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik ka anuluar procesin e nisur në tetor të vitit 2022.
“Anulohet ‘Njoftimi mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues’ i datës 11.08.2023, i AK, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për aktivitetin e prokurimit me numër; 207-22-11955-4-1-2., dhe anulohet aktiviteti i prokurimit”, shkruhet në pikën e dytë të panelit shqyrtues të OShP-së. Ky panel, sipas vendimit të publikuar të hënën, e ka aprovuar pjesërisht ankesën e operatorit ekonomik “BIG Partners Ltd”. Zbulimi i identitetit të një prej kompanive pjesëmarrëse gjatë procesit të vlerësimit ka bërë që krejt lënda të shkojë huq.
“Paneli shqyrtues pas diskutimeve të palëve në këtë seance dëgjimore dhe pas shtjellimit të provave dhe argumenteve të paraqitura ka ardhur te konstatimi se në këtë aktivitet të prokurimit, me rastin e hapjes dhe vlerësimit të ofertave tenderuese të operatorëve ekonomikë, ka pasur elemente identifikuese që kanë zbuluar identitetin e ofertuesve dhe ky fakt është në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit dhe Ligjit për prokurim publik”, shkruhet në arsyetim të vendimit. Sipas vendimit, është gjetur se pretendimet e operatorit ekonomik ankues janë pjesërisht të bazuara dhe “aktiviteti i tërësishëm i aktivitetit të prokurimit u përcoll me shkelje ligjore”. “Paneli shqyrtues konstaton se në ketë aktivitet prokurimi/konkurs projektimi ka pasur disa shkelje ligjore. Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, me kodin 6842, ka shkelur nenin 80 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të pikës 1.5 Exhibition materials të ofertës. Po ashtu të njëjtën shkelje kanë bërë edhe dy operatorët e tjerë të përfshirë në listën finale të rezultateve, përkatësisht Operatori Ekonomik me shifrën 0703 dhe ai me shifrën 2008, duke dhënë informata të zbulimit të identitetit, përmes të cilave komisioni ka mundur të kuptojë qartë se kujt i përket projekti ideor”, shkruhet në vendim.
Në këtë rast paneli ia ka falur besimin raportit të ekspertëve të angazhuar nga OShP-ja, të cilët kishin konstatuar shkelje ligjore, kishin rekomanduar anulim të krejt procedurës së prokurimit.
Kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. Kompania gjermane mori më së shumti pikë në vlerësim e në rivlerësim. Pasoi ankesa. Qe kompania londineze që e bëri këtë për ta përfshirë më pas OSHP-në. Para komisionit vlerësues – që po ashtu proceduralisht nuk bëhet publik – do të duhej të hapeshin zarfet pa u ditur emrat e kompanive, por vetëm nëpërmjet kodeve. Kështu edhe kishte ndodhur. Komisioni në përbërje të anëtarëve vendorë dhe një ndërkombëtar kishte bërë vlerësimin e vet. Me 71 pikë kishte vlerësuar kompaninë gjermane, kurse me 54.2 dhe 51.4 pikë dy të tjerat.
Por dy kompanitë me më pak pikë kanë kërkuar qasje në dokumentacion, kanë gjetur një vjegëz ligjore për të bërë ankesa. Në versionin online të kompanisë “Gerber Architektekten International GmbH”, projekti i së cilës është vlerësuar si më i miri, qëndronte edhe logoja e saj.
Të hënën vonë kabineti i ministrit të Kulturës s’e ka komentuar këtë çështje.
Për Baletin Kombëtar të Kosovës, institucion që pritet ta shfrytëzojë ndërtesën e Teatrit të Operës dhe Baletit, Vendimi i OShP-së është një lajm i rëndë.
“Por fatkeqësisht jemi mësuar me lajme të tilla tash e dy dekada. Përderisa aktualisht jemi duke provuar që të gjejmë një hapësirë për të mbajtur ushtrimet, shpresat ishin te projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit si zgjidhje e përhershme. Por, edhe kësaj radhe duket sikur procesi do të kthehet prej fillimit. Shpresojmë fort që MKRS-ja nuk do të ndalet dhe menjëherë do ta bëjë thirrjen tjetër në mënyrë që ky projekt kapital, do të thosha jetik për institucionet e Baletit dhe Operës, të nisë realizimin”, ka thënë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi. Sipas tij, në Baletin Kombëtar të Kosovës do të ishte përtej një lajmi nisja e një projekti të tillë.
“Ne kemi performuar në vënien e një guri themeltar në vitin 2009, por fatkeqësisht ai projekt nuk eci para. Shpresojmë që së shpejti të performojnë për një gur themeli tjetër, por kësaj radhe në një projekt që do të realizohet”, ka thënë ai.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kur KOHA raportoi se procesi ishte në prag të dështimit, Besa Luzha, profesoreshë e Fakultetit të Arteve e një prej zërave më të shpeshtë në kërkim të përmirësimit të infrastrukturës kulturore, kishte thënë se te rasti i Operës nuk ka nevojë për ngutje.
“Ka nevojë për transparencë dhe diskutim publik, sepse është projekt madhor. Procedurat e prokurimit janë tepër të komplikuara dhe po e zvarrisin procesin”, kishte thënë ajo.
Tentativa për të pasur një projekt për këtë ndërtesë është e katërta me radhë pas luftës. Ky tentim vjen pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009 dhe dy konkurseve të vitit 2019.
Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh. Kaq qenë paraparë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2023. Sivjet janë paraparë 2.7 milionë.
Vendi i parë do të shpërblehej me kontratë, kurse i dyti me 30 mijë euro, ndërsa i treti me 20 mijë euro. Sipas konkursit, vendi i parë do të merrte edhe shërbimet për fazën e mëtutjeshme “të projektimit, përkatësisht të zhvillimit të projektit të hollësishëm të arkitekturës dhe të inxhinierisë për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës”.
Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.
Në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në lokacionin paraprak – te Fakulteti Teknik në “Kodrën e Diellit” – është afër konkretizimit ndërtimi i vrazhdë i një kampusi të ri universitar për Universitetin e Prishtinës.
I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.
Prej asaj kohe deri më sot nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve.