Ishin vetë muzikantët që përdorën Twitterin “për të shprehur zemërimin e tyre ndaj një faqeje interneti që po shiste muzikën e tyre si NFT pa leje. Ajo u mbyll disa orë më vonë, pas reagimeve në fillim të javës.
Në faqen e saj të internetit, “HitPiece” pretendoi se ofron NFT për “çdo regjistrim unik kënge”. Shndërrimi i këngëve në NFT – shkurtesë për fjalët non-fungible token, një njësi unike në kriptivaluta, certifikatë për një pronë digjitale që regjistrohet në blockchain – u lejonte anëtarëve të krijojnë një “Hitlist”, me këngët e tyre të preferuara.
Me sa duket, çdokush mund të regjistrohet në “HitPiece” për të shitur një pjesë muzikore si një NFT, madje edhe në emër të një artisti. “Sa herë që NFT-ja e një artisti blihet ose shitet, një honorar nga çdo transaksion kalon në llogarinë e mbajtësit të të drejtave”, thuhet në ueb-faqen e “HitPiece”.
Sidoqoftë, kishte një çështje të qartë: nuk ishin vetë artistët që shisnin punën e tyre si NFT, në shumicën e rasteve. Faqja kryesore e “HitPiece” kishte regjistrime nga “Pokémon” dhe parku tematik i Tokios “DisneySea”, si dhe artistë të njohur si John Lennon dhe Muse. Por kjo nuk ishte e gjitha; me sa duket, artistë të çdo zhanri ishin në platformë pa leje.
“Realiteti është një gjë e pamoralshme, joetike, pasi dikush vodhi dhe përfitoi nga puna e dikujt pa leje”, ka thënë Jordan Reyes, themeluesi i “American Dream Records”, i cili zbuloi se i gjithë labeli i tij ishte renditur në “HitPiece”.
“Këto lloj mashtrimesh kanë ekzistuar gjithmonë. Tani po përdoret kjo teknologji e re, por është një mashtrim i madh. Është vërtet absurde dhe disi qesharake që ata ofruan një ‘Beatles NFT’, një ‘Pinocchio NFT’. Në një vit të mbarë, labeli ynë shet 10 mijë deri në 15 mijë disqe në vit. ‘Disney’ shet 10 mijë e 15 mijë në një orë me gjasë. Çfarëdo mjeti ligjor që do të kisha për këtë, ka njerëz që janë peshq shumë më të mëdhenj se unë. Ndihem sikur më kanë zhvatur”.
Ndoshta duke parë zemërimin dhe potencialin së kanë bërë shkelje të të drejtave të autorit, “HitPiece” doli jashtë linje dhe zëvendësoi faqen kryesore me një mesazh të thjeshtë: “Ne filluam bisedën dhe po dëgjojmë”. Gjithashtu postoi një deklaratë në Twitter duke bërë me dije se gradualisht do të rikthehet.
“Është e qartë se ne kemi goditur një nerv dhe jemi shumë të etur për të krijuar përvojën ideale për fansat e muzikës”, shkruan në deklaratën e “HitPiece”. “Për të qenë të qartë, artistët paguhen kur mallrat digjitale shiten në ‘HitPiece’. Ashtu si të gjitha produktet beta, ne po vazhdojmë të dëgjojmë të gjitha komentet e përdoruesve dhe jemi të përkushtuar të evoluojmë produktin për t'iu përshtatur nevojave të artistëve, kompanive dhe fansave njësoj”.
“HitPiece” u lansua në versionin beta më 1 dhjetor me qëllimin e dukshëm për të “lidhur drejtpërdrejt artistët dhe fansat”. Platforma pretendon të funksionojë në një blockchain të personalizuar të quajtur “HitChain” që shkon paralelisht me zinxhirin e bllokut “Ethereum”. Sipas sajtit, NFT-të do të prodhoheshin dhe do t'u transferoheshin blerësve vetëm pasi të përfundonte një ankand. Eksploruesi i bllokut “HitPiece” zbulon se qindra NFT janë krijuar që nga fillimi i shërbimit.
Në “Instagram”, “HitPiece” promovoi bashkëpunimet zyrtare me dy artistë. Një këngë ishte remix i një kënge nga grupi indie-rock “The National Parks”. Kur u kontaktuan i njëjti menaxher i bendit ka thënë se “Posa kanë nënshkruar me grupin dhe prandaj janë të habitur po aq sa të tjerët”, duke shtuar se nuk kanë më shumë për të thënë. U kontaktua edhe Cort Dingman, por nuk pati përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij teksti.
Në mediat sociale, artistët e frustruar spekuluan se “HitPiece” ishte në gjendje të mblidhte një gamë kaq të gjerë muzike përmes API-ve të ofruesve të shërbimeve digjitale si “Spotify” dhe “Apple Music”, megjithëse “Pllaka amë” nuk ishte në gjendje ta konfirmonte këtë. Ekipi pas “Hitpiece” u identifikua relativisht shpejt në “LinkedIn” nga artistë të zemëruar. Bëhet fjalë për Rory Felton, dikur producent muzikor, i cili punonte për “Sony” dhe drejton labelin e tij; Michael Berrin, një producent muzikor dhe ish-reper i cili ishte një yll në fillim të viteve 1990, si “MC Serch”; dhe Ryan Singer dhe Blake Modersitzki, dy kapitalistë të sipërmarrjeve teknologjike.
Kur u kontaktua Berrin për një koment, ai tha se “HitPiece” ishte duke përgatitur një deklaratë.
Marrë nga vice.com. Përktheu: Alberina Haxhijaj