Kulturë

Shirine Morina kujtohet si mjeshtre në skenë e guximtare në jetë

Shirine Morina - perkujtime

Aktorja Shirine Morina u lind më 27 maj të vitit 1951 në Prishtinë. Hapat drejt aktrimit do t’i merrte me përgatitjen profesionale në grupin e aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Teatrit do t’i bashkohej më 1969, ku do të interpretonte rolet që do ta gdhendnin figurën e saj prej aktoreje

Është përkujtuar aktorja ikonë e komedisë, Shirine Morina, e cila vdiq të dielën, në moshën 72-vjeçare. Vepra e aktores që ka kaluar mbi katër dekada në skenë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës është vlerësuar si trashëgimi e rëndësishme për historinë e artit teatror në vend. Bashkëpunëtorë, miq e familjarë në komemoracion, në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e kanë vlerësuar atë për sharmin në skenë, profesionalizmin dhe guximin

Duartrokitjet e shoqëronin pas çdo shfaqjeje për katër dekada në skenë. Me të njëjtat ovacione, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, u nderua aktorja ikonë e komedisë, Shirine Morina. Ajo vdiq të dielën, në moshën 72-vjeçare. Në institucionin ku u dha jetë shumë roleve është nderuar figura e saj prej artisteje. 

Bashkëpunëtorë, miq e familjarë në komemoracion, në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, e kanë vlerësuar atë për sharmin në skenë, profesionalizmin dhe guximin. 

“I adhuroja edhe dërrasat e skenës së teatrit”, do të thoshte ajo në një intervistë në KTV para më shumë se një dekade. 

Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, e ka vlerësuar aktoren Morina si njeri të përkushtuar për komunitetin teatror dhe frymëzuese për ta. E ka kujtuar si të butë e të dashur për nga karakteri i saj. 

“Për kolegët e saj ishte mike dhe frymëzuese. Gjithmonë e gatshme për të ndihmuar dhe për të ndarë përvojën e saj me të tjerët. Sot, kur po përjetojmë humbjen e Shirinës, po përjetojmë një zbrazëti të thellë në skenën tonë dhe në zemrat tona. Edhe pse ajo nuk është më në mesin tonë fizikisht, trashëgimia e saj artistike do të jetë gjithmonë me ne duke na frymëzuar dhe udhëzuar në rrugën tonë”, ka thënë ai para të pranishmëve. 

Ka thënë se kujtimi për aktoren nderohet duke promovuar vlerat e teatrit dhe mbahet gjallë shpirti i saj në çdo shfaqje me të cilën arti shprehet e përjetohet. I ka ftuar të pranishmit për duartrokitjet e fundit në teatër për aktoren e ndjerë. 

“Le t’ia japim lamtumirën e fundit duke e kujtuar atë me dashuri, respekt, falënderim për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në skenën e teatrit kombëtar të Kosovës dhe në botën e teatrit në përgjithësi e për mënyrën se si aktorët nderohen më së miri në skenë: përmes një duartrokitjeje të përzemërt”, ka thënë Kushtrim Sheremeti, drejtor i TKK-së, institucion që e ka organizuar komemoracionin të hënën pasdite për aktoren Shirine Morina. 

Bashkëpunëtorja e mikja e aktores së ndjerë, Kumrije Hoxha, ka thënë se rolet i luante me mjeshtëri të madhe dhe atyre u përkushtohej. 

“Shirinja ka qenë  një aktore e mrekullueshme. Në çdo rol ka shkëlqyer, por roli i saj i madh ka qenë në ‘Prefekti’, kur e ka luajtur  Hajrinë. E ka luajtur me aq mjeshtëri të madhe, saqë kur dilte në skenë me sharmin dhe guximin e saj, gjë që në jetë ka qenë vullkan i vërtetë, rolin e kishte bërë për mrekulli”, ka thënë ajo.

Përtej skenës e ka kujtuar për bujarinë, guximin e atdhedashurinë. Ka thënë se ajo ishte rritur në frymë patriotike. 

“E mbaj mend në vitin 1967 ishte 27 apo 28 Nëntori, atëherë e festonim në heshtje Festën e Flamurit, por donim të defilonim nëpër shesh, në atë kohë shëtitore. E gjithë vërejtjen e njerëzve e kishte marrë. Ishte 17-vjeçare, në shkollë të mesme. Kishte qëndisur një shqiponjë të madhe në fustan përpara, ecte me krenari, me kokën lart. Ishte shumë sfiduese, por asaj kurrë syri nuk i ishte frikësuar. Dëshira dhe ëndrra e saj kanë qenë bashkimi kombëtar”, ka thënë aktorja Hoxha. 

Vigan Morina, nipi i aktores Shirine Morina, është shprehur se përkrah dhimbjes për humbjen, qëndrojnë kujtimet dhe krenaria që do ta mbajnë gjallë aktoren në zemrat e secilit. 

“Largimi i saj nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh për artin dhe familjen tonë. Janë të panumërta kujtimet për të. Mirësia, bujaria dhe kujdesi i vërtetë që ka treguar ishin cilësitë që e veçonin. Kishte aftësi të jashtëzakonshme për të ofruar shpresë, urtësi, optimizëm e dashuri. Ishte ajo që i theu të gjitha tabutë që nga viti 1965, kur të gjithë ishin kundër saj, por ajo prapë vazhdoi ëndrrën”, ka thënë ai. 

Aktorja Shirine Morina u lind më 27 maj të vitit 1951 në Prishtinë. Hapat drejt aktrimit do t’i merrte me përgatitjen profesionale në grupin e aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Teatrit do t’i bashkohej më 1969, ku do të interpretonte rolet që do ta gdhendnin figurën e saj prej aktoreje. 
Midis të tjerash, ka luajtur si Magjistarja në shfaqjen “Makbethi”, si Zonja në “Ana Karenina”, si Krali në shfaqjen “Me sytë e Kllaunit”, si Gruaja në shfaqjen “Golgota”, si e Bija në “Shtetrrethimi”, si Zhaneti në “Hotel Kashta”, si Meribanja në “Mosha e bardhë” e si plaka Nicë në shfaqjen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Pos në teatër, aktorja Shirine Morina kishte interpretuar edhe në filma, seriale e radiodrama. Rolet e saj përfshijnë edhe projektet: “Era dhe lisi”, “Kur pranvera vonohet”, “Përroi vërshues”, “Qesh e ngjesh”, “Fidani”, “Në autobus”, në serialin “Banda e Luta Fukarasë”, “Pa pengesa” e “Cimerat”.
I takon brezit të artë që kishin kultivuar vlerat e artit skenik, të cilat do të përcilleshin në gjeneratën e re të artistëve. Lamtumira i është dhënë pasditen e së hënës, kur u varros në Prishtinë, në varrezat e qytetit.