Janë 18 rrëfime të realizuara me banorë dhe ruajtës të traditave ushqimore dhe 12 receta bashkëkohore të bazuara në produkte vendore dhe metoda tradicionale. Jeton Jagxhiu e Fejsal Demiraj, për një vit kanë hulumtuar nëpër gjashtë komuna të Rrafshit të Dukagjinit e prej aty nuk i kanë marrë vetëm shijet, por kanë dokumentuar traditën gastronomike dhe jo vetëm.
“Shijet e Dukagjinit” nuk ka të bëjë vetëm me kulinari a receta gatimesh. Traditën autentike të ushqimit tradicional e zbërthen si recetë të forcimit të identitetit të popullit. Gjeneratë më gjeneratë janë bartur gatesat e veçanta, duke u ruajtur si të çmuara të rajonit perëndimor të Kosovës. Është publikim i organizatës “Trashëgimia kulturore pa kufij” dhe nëpërmjet një hulumtimi si ky, konstatohet se diversiteti kulturor e gjeografik ka formësuar traditën gastronomike, e cila do ta zhvillonte rajonin me anë të agroturizmit.
Pas një viti hulumtim në gjashtë komuna të Rrafshit të Dukagjinit është shpalosur potenciali i kuzhinës vendore. Me “Shijet e Dukagjinit” synohet edhe zhvillimi dhe zgjerimi i mëtejmë i këtyre ushqimeve si trashëgimi e vendit. Gjeografia dhe kultura janë vlerësuar si dy elemente kryesore, që u japin formë traditave ushqimore, andaj edhe fokusi i hulumtimit, siç është bërë e ditur të enjten mbrëma në ngjarjen e organizuar në “Menzën Ramiz Sadiku”, ka qenë identifikimi i veçorive gjeografike dhe kulturore të rajonit. Karakteristika më e shprehur është vlerësuar të jetë kontrasti i madh mes Bjeshkëve të Nemuna dhe toka pjellore së cilës hulumtuesit Fejsal Demiraj dhe Jeton Jagxhiu i janë referuar në libër si “tokë e bukës”.
Në libër janë përfshirë receta, kultura bujqësore e blegtorie. Në kapituj të veçantë përfshihen të mirat e tokës, kërpudhat e Bjeshkëve të Nemuna, bulmeti dhe mishi, si dhe gatesat tradicionale. Janë 18 rrëfime të realizuara me banorë dhe ruajtës të traditave ushqimore dhe 12 receta bashkëkohore të bazuara në produkte vendore dhe metoda tradicionale.
Hulumtimi mbi traditat ushqimore të rajonit perëndimor, që përfshin komunat e Deçanit, Gjakovës, Istogut, Junikut, Klinës dhe Pejës, u realizua në kuadër të projektit të “CHwB Kosova”, “Zhvillimi rajonal i rajonit ekonomik perëndimor përmes trashëgimisë kulturore”. Sipas vetë organizatës, projekti ka për qëllim ta forcojë identitetin kulturor të rajonit nëpërmjet zhvillimit të bashkëpunimit rajonal dhe mobilizimit të komunitetit si pjesëmarrës aktiv në skenën kulturore.

Hapësira e “Menzës Ramiz Sadiku” dhe krejt elementet e tjera kanë qenë pjesë integrale të ngjarjes së promovimit. Ambienti i ngrohtë me këngë qytetare e popullore ka qenë intro e përurimit. Derisa të mbledhurit prisnin, në mur janë projektuar pamjet e disa prej fotografive të përfshira në libër. Ato kanë shfaqur ushqime e kafshë shtëpiake, mjetet për përgatitjen e ushqimit e të alkoolit, sikurse edhe mënyra e servimit.
Ngjarja është hapur prej menaxheres së projektit, Adea Mekuli. Ka thënë se një prej traditave më të shprehura që janë përcjellë brez pas brezi janë gatesat tradicionale dhe mënyrat e trajtimit dhe përgatitjes së produkteve vendore. Mekuli ka treguar se përgjatë një viti, hulumtuesit Jagxhiu dhe Demiraj kanë vizituar fshatra e qytete të Rrafshit të Dukagjinit, duke u ndalur derë më derë për t’i mësuar sekretet gastronomike të familjeve të tyre.
“Këto rrëfime janë shpalosur në libër, lokacionet e të cilave krijojnë një hartë të lokacioneve gastronomike të rajonit. Hulumtimit i kanë paraprirë një sërë analizash nga ‘ChwB Kosova’ për potencialin e rajonit në fushën e trashëgimisë kulturore, natyrore, analiza sociale ekonomike, të cilat kanë potencuar gastronominë si një nga sektorët më me potencial për zhvillimin e rajonit”, ka thënë Mekuli për librin, i cili pritet të botohet edhe në anglisht.
Në shpalosjen e hulumtimit, në panel diskutimi është potencuar rëndësia e ruajtjes dhe e dokumentimit të traditave gastronomike. “Trashëgimia e Ushqimit e Rajonit të Dukagjinit”, ka qenë temë e panelit.

Hulumtuesi e udhëheqësi i hulumtimit, Jeton Jagxhiu, ka thënë se ka qenë sfidë për shkak të rajonit të panjohur për ta, por se ka pasur përvojë me një hulumtim paraprak në territorin e Prizrenit.
“Këtu janë gjashtë komuna, përafërsisht në pjesën e epërme të lumit Drini i Bardhë. Në këtë ekspeditë, kemi udhëtuar nëpër një rajon të panjohur për ne, pasi nuk jemi asnjëri nga ai rajon. Mirëpo gjatë hulumtimit të mëparshëm në Prizren kam postuar një formulë matematikore se si po llogarisim trashëgiminë kulturore. Kjo ka qenë si guidë e jona në terren”, ka thënë Jagxhiu.
Ai ka thënë se sipas formulës, “ushqimi është i barabartë me diversitetin gjeografik të një rajoni, shumëzuar me diversitetin kulturor të atij rajoni”. “Me këtë formulë do ta vërtetojmë se rajoni i Dukagjinit është një rajon i jashtëzakonshëm, i pasur me trashëgiminë ushqimore”, ka thënë ai. Sipas Jagxhiut, shumë fshatra dhe qytete dallojnë për nga tradita ushqimore, derisa të veçanta i ka konsideruar stanet në male.
“Përveç fshatrave dhe qyteteve, në këtë rajon ka edhe vendbanime të përkohshme, që janë stanet në male e që është e rrallë gjithkund në Evropë. Në fshatra janë të ruajtura traditat jashtëzakonisht të vjetra”, ka thënë Jagxhiu.
Bashkëpunëtori i tij në hulumtim, Fejsaj Demiraj, që punon për dy dekada si shef kuzhine në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka vlerësuar librin si të parin të këtij lloji për nga përmbledhja e rrëfimeve dhe aspektet kulinare që i përkasin këtij regjioni. Në panel ka thënë se njerëzit duhet të fillojnë ta njohin këtë traditë të ushqimit dhe se libra të tillë që e dokumentojnë atë zgjerojnë njohuritë për tradicionalitetin shqiptar.
Sipas tij, vetë mënyra e përgatitjes së disa prej gatesave në zjarr të hapur është e veçantë. “Maza e vjetër është produkt shumë specifik, prodhuar në një vend shumë specifik prej kafshëve që përdorin bimë dhe ujë specifik. Kjo për mua ka të gjitha vlerat sikurse djathërat më të mirë në Francë. Për mua e reprezantojnë kuzhinën tonë”, është shprehur Demiraj.
Florina Skeja, pronare e pastiçerisë “Thana”, ka treguar se përdorin vetëm produkte nga toka shqiptare.
“Kam filluar të marr produkte nga fermerët e Kosovës dhe aty kam parë që kemi plot fermerë që tentojnë të rrisin me përgjegjësi produkte. ‘Thana’ ka filluar me atë koncept që unë marr nga tradita, nga produktet që kemi ne dhe fillojmë që ato t’i paraqesim në një mënyrë më të avancuar në mënyrë që të tregojmë se edhe ne kemi çfarë t’i japim botës për nga aspekti kulinar”, ka thënë Skeja, derisa për gatesat tradicionale ka vlerësuar se nuk janë të vështira të përgatiten.

Paneli është moderuar nga drejtori i “CHwB Kosova”, Sali Shoshi. E ka pyetur profesorin e antropologjisë Arsim Canolli për shoqërimin e gatesës me bukë në këtë rajon e më gjerë. Në përgjigjen e tij, Canolli ka vlerësuar se në vend, buka është themel i solidaritetit.
“Është një prej gjërave që i karakterizon marrëdhëniet shoqërore prej familjes, fisit e deri në marrëdhëniet diplomatike. Duke hulumtuar këto dhjetë vjetët e fundit për ta kultivuar e interpretuar njëfarë portreti ‘buknor’ të Kosovës, që është po ashtu edhe portet kulturor i Kosovës, pa dyshim se njeriu gjen elemente të shumta që e shkruajnë atë”, ka shpjeguar Canolli, autor edhe i librit “Flija”, një trajtim unik i kësaj gatese dhe kulturës buknore.
Canolli ka thënë se ka prej ushqimeve që përgatiten si rituale të festave, kryesisht atyre pagane.
“Në këtë interpretim të portretit buknor njeriu gjen mikpritje, rituale të ndryshme, për shembull rreth flisë janë rreth pesë a gjashtë rituale. Janë festa nëpër të cilat flija është njëfarë ushqimi festiv. Për mua pa dyshim se një portret i tillë që unë e kam quajtur ‘buknor’ është fort i rëndësishëm dhe është mëkat që nuk kemi mjaftueshëm hulumtime e dokumentime. Një libër i tillë është shumë i vogël në kultura të tjera”, ka treguar Canolli.
Në përurimin e hulumtimit “Shijet e Dukagjinit” ka qenë i pranishëm kryeministri Albin Kurti. Ka adresuar pyetje në lidhje me atë nëse ushqimet do të mund të avancoheshin në atë shkallë që të jenë të shëndetshme.
“Një lloj shpjegimi që është bërë për ne shqiptarët se jemi më shumë popull blegtor sesa bujqësor në fillet e veta, pra se jemi marrë më shumë me bagëti sesa me punim të tokës. Një lloj lirie e bariut që ka delet, fyellin, kavallin e zërin e thekshëm që dëgjohet në shpatin tjetër, me flinë përpara. Mendoj se për shembull flinë mund ta avancojmë shumë nëse kishim provuar ta bëjmë një ndryshim të vogël sa i përket përbërjes së brumit dhe llojit të vajit për shkaqe shëndetësore”, ka thënë Kurti.
Pyetjes së tij i është përgjigjur Canolli. Duke e marrë parasysh simbolikën e flisë për solidarizim, ia ka propozuar ta ketë në tavolinë në raste të veçanta. “Sa u përket lirisë dhe flisë, mendoj se është ushqimi ku familjet ndihen më të lira për ta treguar veten, për ta shprehur solidaritetin, shpeshherë edhe të pajtohen kur kanë ndonjë konflikt. Kështu që ua sugjeroj fort edhe në raste specifike, sepse presidenti Ibrahim Rugova e vendoste në qendër të tavolinës në Darkën e Lamës, që ishte darka e tij diplomatike, për arsye se simboli si rrezet e diellit, ngashënjen një lloj bashkimi”, ka thënë Canolli.
Derisa pyetjes së kryeministrit, hulumtuesi Fejsal Demiraj i është përgjigjur se nuk mund të ndodhë një gjë e tillë pasi “ushqimi është çështje identiteti”.
Të enjten në “Menzën Ramiz Sadiku” është vlerësuar se njohja e traditave, në mesin e tyre edhe të gatimit, forcon lidhjet brenda komunitetit dhe ruan identitetin kulturor të rajonit e vendit në përgjithësi. Gjithashtu se kultura e ushqimit ndikon në krijimin e lidhjeve midis njerëzve të kulturave të tjera.
Krejt në fund ngjarja është përmbyllur me muzikë nga Nezafete Shala me bend.