Ani se Kosova ende s’e ka një rrjet kinemash të shtrirë gjithandej, ato që funksionojnë në disa qytete, bazuar në shifra theksojnë se po këndellen pas goditjes prej viteve pandemike, përderisa edhe kriza ekonomike e ka bërë të veten. Për vitin 2022, prin “Cineplexxi” me 233 mijë e 679 bileta të shituara në Prishtinë e Prizren, përderisa dukshëm më pak shikues kanë edhe kinematë e tjera. Nëpërmjet shifrave, kinematë “lexojnë” trendët
Mbi 300 mijë shikues në vit, është shifër shpresëdhënëse se kinematë në ato qytete që i kanë funksionale, po rikthehen ani pse jo në nivelin që kishin para pandemisë COVID-19. Bilancet e nxjerra nga shikueshmëria gjatë vitit të kaluar, janë optimiste edhe në vitin kur goditi kriza ekonomike. Në total, janë 333 mijë shikues gjatë 2022-s, që kanë parë filma në ekran të madh. Prin “Cineplexxi” me 233 mijë e 679 bileta të shituara në Prishtinë e Prizren, përderisa dukshëm më pak shikues kanë edhe kinematë e tjera. Pavarësisht faktit se vjet në “Cineplexx”, u dhanë premierat e mbi njëqind filmave artistikë, një numër i tillë vazhdon të mbetet i vogël në krahasim me vitet para pandemisë, që i goditi keqas.
“Këtë vit i kemi shfaqur 115 filma të ndryshëm gjatë tërë vitit, që nëse e krahasojmë me periudhën para-pandemike 2019, janë diku 80 filma më pak. Kjo ka ndodhur për shkak të goditjes së madhe që ka marrë industria e kinematografisë në tërë botën gjatë vitit 2020, kur u ndërprenë xhirimet e shumë filmave të studiove të mëdha filmike, dhe sot e asaj dite ende vërehen dëmet e pandemisë edhe në zinxhirin e distribuimit të filmave”, ka thënë Dëfrim Puka, zyrtar për media dhe marketing në “Cineplexx Kosovo”.
Rritje e numrit të vizitorë është vërejtur edhe në kinemanë “ABC”, e cila funksionon qysh prej vitit 2000.
“Për dallim nga viti 2021, numri i vizitorëve në Kino ABC është rritur dukshëm dhe sillet te diku mbi 10 mijë vizitorë. Po ashtu, rreth 43 filma premierë janë shfaqur në të njëjtën kohë me të gjitha kinematë e vendit dhe rajonit”, ka thënë Avni Dobraj, menaxher marketingu në “Kino ABC”
Me 15 mijë vizitorë e ka mbyllur vitin kinemaja “Hyrije Hana” në Gjakovë, e cila ka vetëm një vit prej se është hapur. Këtë vit ajo kishte ofruar mbi njëqind premiera filmash.
“Si çdo kinema, edhe ne gjithmonë pretendojmë që adhuruesve të filmave t’u sjellim premierë filmat më të fundit, madje edhe në dy versione, 2D dhe 3D (gjithmonë varësisht prej filmit). Në vitin 2022 kemi pasur 102 premiera të filmave të të gjitha zhanreve (aksion, aventurë, animacion, horror, thriller, dramë, fantazi etj..)”, ka thënë menaxherja e “Hyrije Hanës”, Erëza Braha-Avdija.
“Cinemarine Europe” në Prizren ka numëruar mbi 70 mijë vizitorë.
“Për gjatë vitit 2022 kishim më shumë se 200 premiera të filmave botërorë dhe vendore. Vitin që lamë pas kishim një repertor të gjerë me llojllojshmëri të filmave botërorë dhe vendorë, ku pritëm më shumë se 70 mijë vizitorë vendës dhe të huaj në kinema”, ka bërë të ditur Vigan Luboteni, projekt menaxher në “Cinemarine Europe”.
Kinemaja “Jusuf Gërvalla” në Pejë, nuk ka repertor të rregullt. Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar”, gjatë verës është ngjarja që e gjallëron, bashkë me festivalin e muzikës jazz, “Peja Jazz”, në nëntor.
“Përgjatë vitit 2022 kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’ në Pejë e kanë vizituar rreth 4 mijë e 600 shikues të cilët kanë pasur mundësinë të ndjekin programet e ndryshme që organizohen nga ‘Anibar’, duke filluar nga vizitat studimore me fëmijë të shkollave fillore dhe të mesme, ekspozita, shfaqje të filmave, koncerte, festivale si ai i filmit të animuar ‘Anibar’ dhe ai i muzikës jazz, “Peja jazz”, konferenca, panele, punëtori, diskutime e të tjera”, ka bërë të ditur Vullnet Sanaja, themelues dhe drejtor i “Anibarit”, organizatë e cila ka nën menaxhim kinemanë “Jusuf Gërvalla”.
Në vazhdën e dëmeve që ka lënë pas pandemia, një hendikep ka shkaktuar edhe kriza ekonomike, e cila u ndje me të madhe gjatë vitit 2022. Si pasojë e kësaj, statistikat e vitit 2022, tregojnë se kjo gjë u vërejt edhe në kinema.
“Padyshim se kriza ekonomike ka ndikuar në shitjen e biletave, por jo vetëm ajo”, ka thënë Puka nga “Cineplexx Kosovo”.
Dobraj thotë se bazuar në shifra, vizitorët e kësaj kinemaje kanë mbetur besnikë ndaj saj, e kjo për shkak të mosngritjes së çmimit të biletave.
“Kriza ekonomike nuk është vërejtur edhe aq, sepse dashamirët e filmit që janë të pasionuar nuk hezitojnë ta vizitojnë Kinemanë ‘ABC’, por edhe ne kemi mbetur besnikë ndaj tyre, duke mos rritur çmimin e biletave, por janë ato standarde që kanë qenë gjithmonë”, ka thënë Dobraj.
Një politikë pak a shumë të njëjtë ka ndjekur edhe kinemaja “Hyrije Hana” e cila nisi punën mu në periudhën kur virusi veçse kishte mbërritur në Kosovë, gjë që e vështirësoi edhe më rrugëtimin e saj.
“Kinemaja ‘Hyrije Hana’ është hapur në kohë të pandemisë, do të thotë që nga fillimi jemi përballuar me sfida të ndryshme duke filluar nga shfrytëzimi jo i tërësishëm i sallës gjë për të cilën edhe kjo përfshin kosto financiare, por me kalimin e kohës pas rënies së masave anti-COVID jemi munduar që gjatë gjithë kohës të ofrojmë oferta të ndryshme dhe çmime më të volitshme të biletave për klientët tanë, në mënyrë që të dyja palët të ndahemi të kënaqura”, ka thënë Braha-Avdija.
E natyrshme, që hitet botërore dominojnë repertorët e kinemave në Kosovë, por e paprekur prej pandemisë nuk ka mbetur as kinematografia shqiptare dhe një konstatim si ky del prej numrit të filmave shqiptarë.
“Ka pasur më pak filma shqiptarë në dallim me vitet e kaluara”, ka thënë Puka. Më i shikuari film shqiptar ka qenë “Sofia” nga Shqipëria.
“Hyrije Hana” ka numëruar gjashtë filma shqiptarë – “Zgjoi”, “Në kërkim të Venerës”, “Vera Andrron Detin”, “Gjurmë pa Shenjë” dhe “Illyricvm” – e Kino “ABC”, tre.
“Gjatë vitit 2022 janë shfaqur tre filma shqiptarë, prej tyre: ‘Bomba’ nga James Fetahu, ‘Një jetë me ty’ nga Erion Kame dhe ‘Vera andrron detin’ nga Kaltrina Krasniqi”, ka thënë Dobraj.
Ka vjet që kinemaja me më së shumti vizitorë në Kosovë, “Cineplexx Kosovo”, e cila përfshinë “Cineplexx Prishtina” dhe “Cineplexx Prizren”, ka kryesuar top-listat si vendi me numrin më të madh të biletave të shitura, në Ballkan. Këtë e ka bërë edhe vitin e kaluar. “Zakonisht për ditët premierë të disa prej filmave të mëdhenj për të cilat edhe kemi organizuar evente, ku çdo herë kemi thyer numrin e biletave të shitura për ditën e premierës, domethënë, ditës së parë që është shfaqur filmi në kinema. Kjo ka ndodhur për filmat si: ‘Top Gun: Maverick’, ‘The Batman’, ‘Minions: The Rise of Gru’, ‘Scream’ e të tjerë’”, ka thënë Puka. Filmi i animuar “Minions: The Rise of Gru”, është filmi që kryeson për numrin e biletave të shituara, me mbi 25 mijë bileta të shitura.
“Kjo është hera e parë prejse e kemi hapur ‘Cineplexx’ në Kosovë që një film i animuar (fëmijëve) është filmi më i shikuar i vitit, por për këtë film ishte e pritshme, sepse të gjithë fëmijët i njohin karakteret e Minions dhe kjo ka bërë që ky film të ketë interesim të madh”, ka thënë Puka duke shtuar se animacioni i njohur pasohet nga “Spider-Man: No Way Home” dhe “Avatar: The Way of Water”.
“Minions: The Rise of Gru” ka hyrë në mesin e filmave më të shikuar edhe në kinemanë, “Cinemarine Europe” në Prizren dhe “Hyrije Hana” në Gjakovë.
“Çdo film ka shikueshmërinë e tij dhe fansat e tij, por në vitin 2022 në Kino ‘Hyrije Hana’ filmat më të shikuar të vitit ishin: ‘Scream 5’, ‘Minions: The Rise Of Gru’ dhe ‘Sonic: The Hedgehog 2’ dhe disa të tjerë të cilët po na përcjellin në vitin 2023”, është shprehur Braha-Avdija.
Në “Kino ABC” vendin e parë me katër mijë shikues e zuri ai i zhanrit aventurë-komedi: “Puss In Boots: The Last Wish” në rolet kryesore të së cilit luajnë aktorët e njohur: Antonio Banderas, Salma Hayek, Florence Pugh. Filmi numëroi mbi 4 mijë shikues.