Kulturë

“Shëtitorja” e Adriatikut si thirrje për lidhje midis njerëzve

Izolimi thuajse 50-vjeçar këputi lidhjet e shqiptarëve me Perëndimin. Më shumë sesa kaq, dy brigjet e Adriatikut mbetën pa urën e vjetër të komunikimit ndërnjerëzor. Duke përkuar me 30-vjetorin e zbarkimit të anijes “Vlora” në brigjet puljeze, skulptura të qeramikta kanë rijetësuar emocione, gjendje e ndjesi të relikosura në kohë. Artisti 62-vjeçar nga Putignano, Nicola Genco, përmes hibridizimit të qeramikës së bardhë dhe hekurit ia ka dalë të sjellë një copë historie që erëmon shpresë, nostalgji, por edhe vuajtje të një kohe të vështirë. E hapur në mjediset e muzeut “Bunk’Art1” në Tiranë, instalacioni “Promenade” është edhe etyd mbi rëndësinë e kontaktit mes dy popujve e kulturave mike

Si ngarendje për lirinë e ëndërruar, disa mijëra njerëz do të hipnin në anijen “Vlora” për t’i rënë mespërmes Adriatikut. Edhe pse guximi kishte vënë në lëvizje gjithë atë rrëmet njerëzor, gjendja në anije ishte infernale. Anija e mbingarkuar me njerëz që mezi merrnin frymë më 8 gusht të vitit 1991 u duk në horizontin e brigjeve puljeze. Si dikur paraardhësit e tyre mesjetarë në shekullin e 16-të, dhjetëra mijëra shqiptarë shkelën në sterenë italiane si hapi i parë drejt Perëndimit të mohuar.

Duke i bërë tribut kësaj ngjarjeje në 30-vjetorin e saj, artisti italian, Nicola Genco, e ka bërë të prekshëm përmes artit kalvarin e vuajtjeve të shqiptarëve që zbarkuan në limanin e Barit.

I hapur në mjediset e muzeut “Bunk’Art1” në Tiranë, instalacioni “Promenade” ka në zemër të vet përjetësimin e anijes “Vlora” dhe fateve të ndryra brenda saj.

Qeramika në bardhësinë e vet mund të duket e ftohtë për emocionin njerëzor, por prej duarve të skulptorit puljez, ky material arrin të përçojë me plasticitet botë të thella ndjesore, sidomos të atyre “vulëhumburve”.

Dhjetëra skulptura në formë busti të bardhë, të ndërthurura edhe me hekur, nuk kanë fare ngjyrë. Ideja e qeramikës së bardhë është se ata njerëz përfaqësojnë çdo etni moshë, gjini dhe racë.

“E bardha është sinteza e të gjitha ngjyrave, por edhe nuancë e pafajësisë. Qeramika është një material i fortë, por edhe shumë i brishtë, njësoj si jeta e atyre 81 shpirtrave”, kishte thënë Genco më 2019 kur ky instalacion qe shpalosur në Brindisi dhe Bari.

Në një nga korridoret e “Bunk’Art1”, rreth 80 skulpturat e bardha kanë gjithë fokusin e projektorit të dritës së neontë përballë errësirës në pjesët e tjera.

Sytë e zgavërt të këtyre njerëzve reflektojnë përzier dëshpërim, shpresë e pritje. Ajo që del si ind lidhor për të gjithë këto fate është një si dorë e zgjatur për ndihmë tek fqinji i mohuar për dekada të tëra.

Mbi të gjitha, instalacioni i artistit 62-vjeçar është më shumë sesa vetëm një kujtesë e shpalosje sfidash njerëzore: aty është edhe pikëtakimi i dy kulturave që për pak vjet do të urëzonte në ta dyja anët e Adriatikut miqësinë shumëshekullore shqiptaro-italiane.

I lindur në Putignano, Nicola Genco është skulptor, stilist, piktor, fotograf e artist pamor. Sipas kritikëve të artit, krijimtaria e tij përshkohet nga interesi i pashuar për të gjitha skutat e natyrës njerëzore si dhe marrëdhënien e gjallë e të fortë me materialin. Sipas një përshkrimi kuratorial, “fragmente të botëve të ndryshme përmes sintezës krijuese u japin jetë veprave të artit të karakterizuara nga hibridizimi i disa materiale”.

Në një lexim kuratorial të instalacionit “Promenade”, kritikja italiane e artit, Lia De Venere, i cilësonte skulpturat e vogla si imazhe burrash të ardhur nga larg e që kanë kaluar dete e lumenj, duke kapërcyer lartësi e duke përshkuar ura, fusha e pyetje.

“Ata janë hijet e atyre që e kanë bërë shtëpinë e tyre në një vend të huaj”, kishte shkruar De Venere. Ajo ka vënë re se këmbët e gjata të formësuara prej shufrash të holla e të ndryshuara simbolizojnë kohëzgjatjen dhe ngurtësinë e udhëtimit, por në të njëjtën kohë edhe vendosmërinë dhe këmbënguljen e atyre që u përballën me të.

“Kështu, Genco bashkon shumë krijesa në një truall të mesëm, si një va midis dy brigjeve me qëllim të vënies në pah të vlerës së paçmueshme të takimit të kulturës, marrëdhënieve njerëzore, shkëmbimin e ideve dhe përvojave”, kishte shkruar ajo. “Fytyrat e udhëtarëve, të modeluara në mënyrë sintetike, pamundësojnë identifikimin e gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike. Ata janë thjesht njerëz që duhet të vendosin dhe takojnë tjetrin, që është gjithashtu njohje më e mirë e vetes”.

Ndryshe, në Bari të Italisë të dielën është mbajtur edhe një manifestim përkujtimor, i cili ka sjellë në vëmendje episode historike mes takimit të barezëve dhe shqiptarëve.