“Kudo ku ka teatro që flasin shqip, Teatri Kombëtar i Kosovës është më i miri me të gjithë problemet që i ka”, ka thënë Kushtrim Sheremeti, të mërkurën mbrëma, në “Sonte me Rronin” në Kohavision, një ditë pasi ka nënshkruar kontratën si drejtor i përgjithshëm i TKK-së. Ka shpalosur synimet për ta rritur numrin e shikuesve e për ta ndërkombëtarizuar institucionin
Kushtrim Sheremeti e rangon Teatrin Kombëtar të Kosovës në krye të teatrove shqiptare. Ka një listë të gjatë të objektivave që synon t’i arrijë gjatë udhëheqjes së këtij institucioni. Synon që numrin e shikuesve ta rrisë nga 40 mijë deri në 45 mijë veta brenda një viti. Te publiku ka në program edhe fëmijët. Si diçka shumë pozitive e ka parë zgjedhjen e tij në këtë pozitë edhe shkaku i reagimeve të shkurtit, kur edhe u publikua emri i tij si kandidati më i vlerësuar në garë për pozitën udhëheqëse të TKK-së.
“Është hera e parë që politika nuk ka vendosur kush të jetë drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe ky është lajm i mirë për TKK-në dhe për politikën”, ka thënë ai të mërkurën mbrëma, në emisionin “Sonte me Rronin” në Kohavision.
Por sfidat s’janë të pakta. Problemet aty zënë vend në secilin aspekt, duke filluar nga ujërat e zeza në bodrum. Por sipas Sheremetit, Ministria e Kulturës është mbikëqyrëse e ndërtesës. MKRS-ja ka paralajmëruar renovim të TKK-së që si proces do të niste në mars, por kjo nuk ka ndodhur.
“Shumë probleme nuk janë kiamet, por ka probleme që duhet reviduar. Nga fundi i vitit 2018 kanë filluar të grumbullohen problemet, por nuk janë adresuar...”, ka thënë Sheremeti, i cili ka nënshkruar kontratën si drejtor të martën e kësaj jave.
Sipas tij, TKK-ja është teatri më i mirë dhe më i suksesshëm që flet shqip. “Kudo ku ka teatro që flasin shqip, Teatri Kombëtar i Kosovës është më i miri me gjithë problemet që i ka”, ka thënë ai. Ai ka thënë se shpreson se sikurse personeli administrativ edhe ansambli rezident do të kenë vullnet për punë pasi shumica janë gjeneratë së cilës edhe ai i takon.
Realisht komuniteti artistik e kishte përkrahur në shkurt kur edhe deputetë e militantë të partisë në pushtet ishin distancuar nga përzgjedhja e tij si drejtor shkaku i gjuhës kritike që Sheremeti kishte përdorur kundër VV-së e vetë kryeministrit Albin Kurti. Bile, në shkarkimin e Kurtit nga pozita e kryeministrit kishte shkruar se ai më nuk do të kthehet.
Njëjtë sikurse ka paraparë në programin e tij, edhe gjatë intervistës, ka treguar se një prej qëllimeve të tij si menaxher është ta anëtarësojë institucionin në organizatën “European Theatre Convention”, që është një rrjet i teatrove publike evropiane për të promovuar teatrin bashkëkohor të dramës.
Ai ka përmendur po ashtu qëllimin që t’ua lehtësojë qytetarëve të Kosovës rezervimin dhe pagesën e biletave për shfaqje përmes platformës online, duke thënë se kjo mund të bëhet e mundur deri në fund të mandatit të tij.
“Momentalisht staf jemi 68 në Teatrin Kombëtar. Ka mungesa të mëdha, edhe në trupë artistike, edhe në staf, edhe në administratë. Kemi nevojë për trupë shtesë dhe aktorë shtesë”, ka thënë Sheremeti. Sipas tij, të paktën një herë në javë duhet të ketë shfaqje edhe për moshat e reja.
“Do të mundohem në aspektin pozitiv ta imponoj si ide, që në një të diele, një herë në javë, të ketë shfaqje edhe për fëmijë. Është edhe teatri ‘Dodona’ që e bën atë punë, por e bën kryesisht për kukulla. Kjo mund të bëhet qoftë me marrëveshje apo mbështetjen e Ministrisë së Arsimit apo edhe me Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.
Nëse do të mund t’i çojë përpara këto pika të programit, por edhe të tjerat, mbetet të shihet. Por të mërkurën mbrëma e ka bërë një huq në raport me të kaluarën.
Kur është pyetur për mbarëvajtjen e procesit të rekrutimit ka thënë se për të ka qenë hera e parë në jetë që ka aplikuar për një pozitë pune.
“Paraprakisht kam punuar shumë, por nuk më ka ndodhur të aplikoj për punë. Zakonisht më kanë ftuar për ta marrë një kontratë dhe të kryej një punë të caktuar”, ka thënë ai.
Por Sheremeti kishte aplikuar për drejtor të TKK-së edhe më 2020 e më 2008. Në mars të atij viti ai kishte çuar pluhur në raport me procesin që po zhvillohej. Fillimisht nuk ishte ftuar në intervistë për këtë pozitë. Sheremeti kishte ngritur zërin se ishte larguar nga lista qëllimshëm, përderisa Këshilli drejtues i asaj kohe kishte thënë se në aplikacion nuk kishte paraqitur diplomën. Më pas ishte vendosur që të realizohen intervista dhe kandidatët t’i sillnin diplomat për t’i parë anëtarët e KD-së. Por Sheremeti nuk kishte shkuar fare në intervistë. Për dallim prej tij, gjashtë kandidatët e tjerë – Faik Ispahiu, Hazir Myftari, Xhavit Muçaj, Arian Krasniqi, Emine Toska dhe Qemajl Sokoli – kishin dalë para panelit që drejtohej nga Luan Daka, asokohe kryetar i Këshillit drejtues të TKK-së.
Por pas 14 vjetësh Sheremeti është ulur në karrigen e drejtorit të TKK-së.
Prej janarit të vitit 2020, kur TKK-ja mbeti pa drejtor të përgjithshëm, deri në dhjetor të atij viti, nuk u hap konkurs fare. Më 27 dhjetor ishte hapur konkursi, i cili ofronte mundësinë e kandidimit deri më 10 janar 2021. Në mars punonjësi i MKRS-së, Naser Shatrolli, u bë drejtor. Fiks dy muaj më vonë, më 12 maj 2021, u anulua krejt procedura. Ky vendim ishte marrë pas ankesës së kundërkandidatit Blerim Krasniqi. Kandidat tjetër ishte edhe Kushtrim Sheremeti, i cili kishte bërë edhe akuza për ndërhyrje politike në proces. Konkursi i radhës, që u anulua, qëndroi i hapur për dy javë, prej 13 deri më 27 nëntor 2021. E i fundit qe i hapur prej 8 janarit deri më 22 janar të këtij viti, nëpërmjet të cilit Sheremeti doli i pari në raport me Avni Dalipin, Xhemail Agajn e Blerim Krasniqin. Aktorja Vlora Merovci nuk i kishte plotësuar kushtet e konkursit.
Aktualisht TKK-ja është në proces edhe për zgjedhjen e udhëheqësit artistik. Kandidatë për këtë pozitë janë: Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj. Institucioni më i lartë teatror në vend është pa udhëheqës artistik qysh prej qershorit të vitit 2019, pasi regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar. Si pasojë, as për sivjet nuk ka repertor vjetor sa u përket dramave që do të inskenohen.