Italisë i janë kthyer 600 artefakte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që llogaritet se kapin vlerën e 65 milionë dollarëve, e që janë grabitur vite më parë dhe janë shpërndarë nëpër muze, galeri dhe te koleksionistë të ndryshëm. Ky thesar përfshin monedha të lashta ari, mozaikë, dorëshkrime dhe statuja bronz. Të gjitha u gjetën gjatë një hetimi të gjerë.
Artefaktet iu prezantuan Karabinierëve të Italisë nga disa përfaqësues të SHBA-së – ambasadori Jack Markell dhe Matthew Bogdano, kreu i njësisë së Kundër Trafikimit të Antikiteteve në Zyrën e Prokurorit të Qarkut të New Jorkut – dhe disa anëtarë të Departamentit të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Prej së martës së kësaj jave eksponatet janë riatdhesuar.
Markell ka thënë se Qeveria amerikane ishte e përkushtuar për të kthyer këtë plaçkë “vendit që i përket” se dorëzimi është një sinjal i respektit të saj për trashëgiminë kulturore të Italisë.
“Ne e dimë se ruajtja e kësaj historie kërkon kujdes dhe vigjilencë dhe kjo është arsyeja pse ne bëjmë atë që bëjmë”, ka thënë ai.
Siç u potencua fillimisht nga “The Guardian”, në mesin e artefakteve të riatdhesuara mungonte “Atleta di Fano”, një statujë klasike greke prej bronzi në qendër të një mosmarrëveshjeje dekadashe midis Italisë dhe muzeut “Getty” me seli Kaliforni. Në vitin 2018, gjykata më e lartë e Italisë, Gjykata e Kasacionit, vendosi që vepra duhet të kthehet në Itali. Në kohën e vendimit, një zëdhënës i “Getty” kishte thënë se udhëheqja e muzeut do të “vazhdojë të mbrojë të drejtën e saj ligjore për statujën” dhe citoi një vendim gjykate të mëparshme që nuk gjeti “asnjë provë të pronësisë italiane”.
Bogdanos dhe zyrtarët e sigurisë së vendit thanë në një deklaratë se statuja është pjesë e një hetimi që vazhdon.
Në koleksionin e artefakteve më të vjetra të riatdhesuara janë disa vazo etruske, një figurë bronzi me përmasa reale dhe koka bronzi, të gjitha që datojnë nga shekulli IX deri në shekullin II. Punime të tjera të kthyera përfshijnë piktura vaji nga shekujt XVI dhe XIX, të grabitura në mënyra të ndryshueshme nga muzetë italianë, institucionet fetare dhe rezidencat private.
Një nga pjesët më të vlefshme të koleksionit ishte një monedhë argjendi Naxos e shekullit IV me perëndinë greke të verës, Dionysius, e kapur nga një vend gërmimi ilegal në Sicili diku rreth vitit 2013 dhe e trafikuar në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas Bogdanos, monedha u zbulua si pjesë e një hetimi ndaj një tregtari britanik të monedhave, i cili e kishte ofruar për shitje për 500 mijë dollarë.
“Plaçkitja është lokale”, ka thënë Bogdanos, pasi vendasit “e dinë kur vijnë e dalin rojet e sigurisë. E dinë kur rojat e sigurisë po ruajnë vende të veçanta dhe jo të tjera. Ata e dinë kur ka gërmime arkeologjike shkencore, të duhura, të miratuara dhe më pas e dinë kur mbyllen ato gërmime arkeologjike, për shembull, për dimër ose për mungesë fondesh”.
“Detyra jonë është ta minimizojmë atë, të rrisim rrezikun për ata që do të përfshihen në këtë trafik, t'i ndalim edhe kur është e përshtatshme t'i dënojmë”, ka thënë ai.
Marrë nga artnews.net. Përktheu: Enis Bytyqi