Pjesëmarrja në bienale e trienale të njohura ndërkombëtare ishte dëshmi se individualiteti i tij artistik çmohej e vlerësohej kudo. Artist i lindur e grafist i shkolluar, Ymer Shaqiri nëpërmjet opusit të tij të larmishëm i përjetësoi si rrallëkush tjetër realitetet shqiptare. “Jetoj me të kaluarën e Kosovës dhe i dua njerëzit e varfër”, thoshte ai sa herë që shpaloste veprat e tij. Të enjten Shaqiri është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare
Mes përvijëzimeve të sakta e hollësi kuptimplote zbulohej një mikrobotë e njëmendësive shqiptare. Me vokacionin përherë të veçantë, Ymer Shaqiri e kishte hak reputacionin e tij si një nga artistët më të njohur pamorë në Kosovë e tejetej hapësirave shqiptare.
“Jetoj me të kaluarën e Kosovës dhe i dua njerëzit e varfër”, pëlqente të thoshte grafisti modest sa herë zihej në gojë krijimtaria e tij.
Ymer Shaqiri, artisti që prej vitit 1995 jetoi e veproi në Gjermani, është shuar në moshën 67-vjeçare. Ka qenë Galeria Kombëtare e Kosovës e cila të enjten ka dhënë mandatën për vdekjen e emrit që u bë pjesë e historisë dhe trashëgimisë së arteve pamore të Kosovës.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për vdekjen e parakohshme të artistit tonë të grafikës moderne, Ymer Shaqiri, e cila është një humbje e madhe për artin tonë pamor, por veprat e Ymer Shaqirit do të mbesin pjesë e historisë dhe trashëgimisë të arteve pamore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e GKK-së, teksa u janë shprehur ngushëllime familjes Shaqiri, artistëve dhe kolegëve të tij.
Çeku: “Një person shumë i veçantë”
I lindur në fshatin Sveçël të Podujevës, Shaqiri i mbaroi studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë më 1981. Studimet pasuniversitare do t’i vijonte në Akademinë e Arteve në Beograd, ku tre vjet më vonë mori titullin akademik. Krijimtaria e tij artistike përfshin kryesisht grafikën si disiplinë e aplikueshme në artin bashkëkohor.
Kolegë e bashkëpunëtorë të tij e kanë cilësuar ndarjen nga jeta të Shaqirit si humbje të madhe për komunitetin e artistëve pamorë në botën shqiptare. Sipas tyre, dhuntia si artist bëri që vlerat e tij të depërtonin edhe jashtë vendit.
Nëpërmjet një telegrami ngushëllimi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se vendi ka humbur një artist me vlera, një “person shumë të veçantë që pas vetes ka lënë veprimtari të gjerë artistike”, me të cilën do të kujtohet gjithmonë.
“Veprat e grafistit dhe piktorit Shaqiri do të mbesin pjesë e kulturës dhe e trashëgimisë së artit pamor të Kosovës. Shaqiri, i cili ishte një kuadër që doli nga institucionet akademike artistike të Kosovës, ka depërtuar me veprat e tij edhe në arenën ndërkombëtare”, ka shkruar ministri Çeku. “Talentin e ka paraqitur me pjesëmarrje në shumë ekspozita, që prej viteve ‘80, si në Slloveni, Japoni, Itali, Holandë, Gjermani, në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, duke e prezantuar artin e Kosovës përtej kufijve të saj”.
Në telegram është përmendur që vlerat e mëdha të artit të Shaqirit bënë që ai të vlerësohej lart nga kritika artistike e të shpërblehej me çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare, ashtu sikurse që veprat e tij u bënë pjesë e shumë koleksioneve të galerive dhe muzeve në vend e jashtë vendit.
“Ne do ta kujtojmë gjithmonë si shembull për punën, atdhedashurinë dhe mirësinë e tij. Ndërsa krijimtaria që ka lënë pas do t’u shërbejë gjeneratave të tëra”, thuhet në fund të telegramit të nënshkruar nga ministri Çeku.
“Jetoj me të kaluarën e Kosovës…”
Ishte janari i vitit 2016 kur Shaqiri do të mbante një ekspozitë personale me veprat e tij, kryesisht grafika, që u tokradhitën në mjediset e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Tela të ndryshëm, kova, kusi, dritare, dyer të vjetra e shtëpi të djegura e të rrënuara ishin lajtmotivet që farfuritnin nga vepra në vepër në këtë ekspozitë. “Jetoj me të kaluarën e Kosovës dhe i dua njerëzit e varfër”, kishte thënë grafisti në një bisedë të asokohshme për KOHËN. Njësoj sikur veprat e tij të ekspozuara, edhe atelieja e tij në kryeqytet ishte e mbushur me një stivë krijimesh.
“Puna nuk bën të zëvendësohet me asgjë. Pikë”, ishte përshkrimi fjalëpakë për mjeshtërinë e vet teksa copa të marra nga drunjtë, pupla pulash e hekura të ndryshkur sikur ia pohonin këtë.
Me një bagazh të admirueshëm artistik – si pjesëmarrës në bienale e trienale të rëndësishme në Slloveni, Japoni, Holandë, ShBA, Norvegji, Suedi, Francë e Gjermani – Shaqiri ishte i lidhur gjithnjë me vizatimin, një tërheqje që e kishte bërë t’i donte librat me ilustrime.
“Vizatimi për artistin është sikur alfabeti për shkrimtarin. Nuk mund të fantazosh pa ditur të vizatosh mirë. Të gjithë krijuesit e mëdhenj e kanë njohur mirë vizatimin”, kishte thënë grafisti.
Ballazhi: “Vepra që frymëzojnë”
Artisti Zeni Ballazhi, i cili kishte qenë kurator i ekspozitës së hapur para 5 vjetësh, ka thënë se ka qenë me fat që i ka njohur dhe studiuar nga afër veprat e Shaqirit. Pavarësisht se jetonte në Gjermani, ai thuajse çdo vit merrte rrugën drejt Kosovës për të sjellë grafikat e tij që i cilësonte si më të arrirat.
“Ekspozitën e vitit 2016 e mirëpriti me mjaft dëshirë, dashuri dhe shpirtërisht i lidhur me Kosovën”, ka thënë Ballazhi të enjten për KOHËN.
Duke evokuar punën e tij si përzgjedhës i grafikave të tij, ai ka vlerësuar se karakteristikë e veprave të Shaqirit ishte paraqitja me vlera origjinale e profesionale. Sipas Ballazhit, stilin dhe teknikën i kishte përdorur si shprehje të veçantë, duke ofruar origjinalitetin e një kulture të lashtë.
“Gjendja mendore dhe psikologjike shkrihen në një përfytyrim që vepron mbi fragmentimin e të dhënave pamore ku rezultati është një arkitekturë e brendshme, e cila mbledh brenda vetes të gjitha veprimet dhe emocionet e përfshira në konceptin e veprës”, ka thënë ai.
Në këto vepra, ka vijuar ai, kishte detaje të kompozuara me kujdes e mjeshtri që shprehnin mesazhe të fuqishme të realitetit ballkanik me ngjyra neutrale, madje duke kërkuar edhe një realitet evropian. Dhe e gjithë kjo, sipas Ballazhit, mundësoi të njihej edhe diçka e shumëfishtë: asociacionet me referencat e veta të panumërta.
“Pata fatin që njoha natyrën e tij rebele ndaj këtij realiteti që e jetojmë me intensitet. Ymer Shaqiri me veprat e tij do të mbetet pjesë e trashëgimisë dhe historisë së arteve pamore në vendin tonë. Vepra e tij le të na shërbejë si frymëzim në rrugëtimin tonë të ardhshëm, neve dhe gjeneratave që vijnë pas nesh”, ka thënë mes të tjerash Ballazhi.
Ndryshe, artisti Shaqiri ka marrë pjesë edhe në evenimente të njohura ndërkombëtare si: Art Karlsruhe, Art Koln, Art Santa Fe, Art Chicago, Art San Francisco, Art Vilnius, Arco Madrid, Art Lisbon, Art Istanbul, Art Seoul, Art Innsbruck, Art Bodensee, Art Zurich, Art San Diego e të tjera, ku dhe mori çmime e mirënjohje.
Sipas njoftimit të familjes Shaqiri, varrimi i të ndjerit do të bëhet sot (20 gusht) në orën 12:00, në varrezat e kryeqytetit.