Kulturë

“Shadows” në Nevada me hijet e disiplinave të ndryshme të artit

Nga 22 deri më 26 janar “Shadows” do të mbledhë artistë të njohur ndërkombëtarisht. Sikurse kishte ngjarë me edicionin e parë, Festivali do të hapet me tingujt e pianos nga Adea Badivuku, që është edhe drejtoreshë e “Shadows”. Koncertin e saj recital e pason prezantimi i audio-instalacionit të artistëve Deniz dhe Günes Çaglarcan. E njëjta vepër ishte ekspozuar edhe në Prishtinë, në Galerinë e Fakultetit të Arteve. Programi sivjet zgjerohet me aktivitete, ndërsa edicioni i dytë është nisje e eksplorimit të artit bashkëkohor nëpër shtete të ndryshme

Festivali i artit bashkëkohor “Shadows”, pas edicionit të parë në Prishtinë verën e kaluar, do të shtrihet edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arti me hije nëpër piktura, instalacione artistike, si dhe muzika moderne do të shpalosen në galerinë e arteve të bukura “Sheppard” në Universitetin e Nevadas për pesë ditë. Programi sivjet zgjerohet me aktivitete, ndërsa edicioni i dytë është nisje e eksplorimit të artit bashkëkohor nëpër shtete të ndryshme. Gjendja shpirtërore e njeriut synohet të eksplorohet përtej.

Nga 22 deri më 26 janar “Shadows” do të mbledhë artistë të njohur ndërkombëtarisht. Sikurse kishte ngjarë me edicionin e parë, Festivali do të hapet me tingujt e pianos nga Adea Badivuku, që është edhe drejtoreshë e “Shadows”. Koncertin e saj recital e pason prezantimi i audio-instalacionit të artistëve Deniz dhe Günes Çaglarcan. E njëjta vepër ishte ekspozuar edhe në Prishtinë, në Galerinë e Fakultetit të Arteve.

Vepra përfshin pamje e cicërima zogjsh, valë deti e imazhe njerëzish në formatin bardhezi, ku shpërfaqen edhe hijet e tyre. Shpërthen në ngjyra me pamjet e perëndimit të diellit e llavën e zjarrtë të vullkanit. Aty është edhe pjesa enigmatike si labirint i pafund me figura abstrakte që krijon lloj-lloj efektesh e iluzionesh. Vjen si një version me audio e pamje të tri pikturave.

Tri piktura që në qendër kanë hijet do të shfaqen edhe në Universitetin e Nevadas, por do të jenë premierë në edicionin e dytë të festivalit. Programin do ta pasurojë edhe arti digjital i artistit turk Deniz Caglarcan. Dy artistët turq janë vëllezër e njëkohësisht edhe pjesë e stafit drejtues të festivalit të artit bashkëkohor “Shadows”. Paneli i diskutimit në anën tjetër do të ketë për temë zhvillimin e biznesit në art e muzikë.

Drejtoresha e Festivalit, pianistja Adea Badivuku, ka bërë të ditur se sivjet programi do të jetë më i larmishëm dhe se do të prekë edhe aspektin edukativ.

“Sa u përket koncerteve, për shkak se artistët janë të tjerë, repertori edhe ka ndryshuar. Krejt muzika është bashkëkohore. Do të jenë tri koncerte, pos kësaj do të ketë edhe prezantime dhe ligjërata në Universitet në mënyrë që të përfitojnë edhe studentët nga Festivali. Kemi dy ligjërata, do të kemi edhe një panel diskutimi ku do të bisedojmë për aspektin e biznesit në art dhe muzikë”, ka thënë Badivuku. Ajo aktualisht është në studimet e doktoratës për piano, si dhe në të njëjtin drejtim edhe është pjesë e stafit akademik në institucionin që e pret Festivalin.

Ajo ka thënë se ideja për Festivalin ishte shpalosur në Amerikë paralelisht me atë në Kosovë. Sipas saj, procedura deri në finalizim kishte zgjatur deri në sigurimin e fondeve dhe hapësirës.

“Unë e kam shpalosur së pari në Universitet dhe kam aplikuar për një grant, e kemi fituar dhe kemi marrë mbështetje shumë të madhe nga Departamenti i Muzikës dhe i Artit në përgjithësi. Krejt profesorëve u ka pëlqyer shumë ideja dhe është hera e parë që një projekt i tillë realizohet nga një studente, edhe pse unë jam në studime të doktoratës. Është shumë delikate që disa disiplina të bëhen bashkë dhe të krijohet një art”, ka thënë Badivuku derisa e ka theksuar edhe rëndësinë e shpalosjes së programit dhe konceptit të Festivalit para një publiku të huaj.

“Është shumë e rëndësishme për mua dhe është nder i madh, sepse sikurse në secilin vend në botë, edhe në Amerikë nuk është e lehtë të realizosh një festival. Unë jam shumë me fat që kam pasur mbështetje të madhe edhe nga artistët që do të vijnë të interpretojnë. Për mua është shumë i rëndësishëm realizimi i këtij projekti”, ka thënë drejtoresha e Festivalit, Adea Badivuku.

Ajo ka treguar se në tri koncerte do të performojnë artistët amerikanë si Katherine Parker, Bryan Chuan, Eric Fassbender, Josh D. Reed, Keidi Sada, Aren Long, Alyssa Jacobucci dhe Dennis Dairon. Do të interpretohet repertor bashkëkohor i kompozitorëve po ashtu amerikanë si John Cage, Karlheinz Stockhausen, Alexina Louie, Deniz Caglarcan, Jean Paul Perrotte, Max Deger dhe jo vetëm. Hapësirë në Festival do t’u jepet edhe kompozitorëve të rinj.

Edicioni i parë i Festivalit ishte organizuar nga 22 deri më 28 qershor të vitit të kaluar. Në Galerinë e Fakultetit të Arteve krahas me veprat audiovizuale bashkëkohore arti modern kishte kulmuar. Me muzikë e kishte shëtitur publikun nëpër tingujt e kompozimeve moderne, derisa me piktura e instalacione audiovizuale e kishte futur publikun në një botë të panjohur që zbërthente konceptin e hijeve.

Festivali ishte emërtuar pikërisht prej veprave artistike “Shadows” që ishin ekspozuar e që përcillnin gjendjen shpirtërore të njeriut. Në përgjithësi ai ka për qëllim të sjellë inovacion kulturo-artistik në skenën vendore dhe eksperiencë gjithëpërfshirëse të rrethuar prej veprave bashkëkohore.

“Shadows” (Hijet) është projekt që gërsheton disiplina të ndryshme artistike me koncept bashkëkohor. Edhe sivjet synon të magjepsë me frymën e re artistike duke prekur edhe skenën e huaj. Edicioni i dytë pritet të jetë veç nisje e një serie të prezantimeve të Festivalit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.