Përdoruesit nga Kosova nga sot e tutje mund ta përdorin “Netflixin” pa probleme. Platforma e njohur e streamingut e ka përfshirë Kosovën në listën e saj të shteteve, ashtu sikurse edhe kodin e saj telefonik. Ky pranim pason peticionin e nismuar qysh në shkurt të këtij viti, që u nënshkrua nga rreth 37 mijë njerëz. Studenti nga Prizreni, Sovran Hoti – që ishte nismëtar i këtij peticioni – ka vlerësuar se pranimi i Kosovës në “Netflix” është ndihmesë edhe për kinematografinë e Kosovës, e cila, sipas tij, “mund të negociojë më lehtë për t’i futur filmat tanë në ‘Netflix’”. E kjo s’u ka shpëtuar as autoriteteve më të larta në Serbi. Me cinizëm e ka komentuar këtë lajm presidenti serb Aleksandër Vuçiq
Peticioni që brenda dy muajsh mblodhi dhjetëra mijëra nënshkrime është kurorëzuar me fitore. Nga e mërkura, Kosova është përfshirë në listën e shteteve në platformën e njohur amerikane “Netflix”, me kodin e saj telefonik +383.
Lajmin e ka bërë të ditur nismëtari i këtij peticioni, Sovran Hoti, i cili ka thënë se “Netflix” e dëgjoi thirrjen e qytetarëve nga Kosova.
“’Netflix’ ka shtuar Kosovën në listën e shteteve me kodin telefonik +383 në platformën e tyre. Presim të pasojë e njëjta edhe për vendndodhjen e përdoruesve kosovarë”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në “Facebook” teksa ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën në këtë “arritje simbolike, por të dinjitetshme”.
Faqja e peticioneve “change.org” e ka cilësuar si fitore kërkesën e nënshkruar nga 37.233 mbështetës që Kosova të njihet nga platforma më e njohur në botë për shërbime të streamingut.
“Derisa ka ende gjëra për t’u bërë, secila nismë, e madhe ose e vogël që dëshmon për Kosovën si shtet të pavarur, siç është dhe siç do të jetë gjithmonë, ia vlen”, ka shkruar Hoti edhe në platformën e peticioneve.
“Propaganda e Serbisë synon ta përjashtojë Kosovën nga platformat online”
Shfaqja e vendndodhjes së përdoruesve nga Kosova sikur të ishin në Serbi kishte shërbyer si pikënisje për peticionin e nisur më 10 shkurt të këtij viti.
Studenti nga Prizreni, Sovran Hoti, që mësyu i pari me këtë nismë, kishte bërë të ditur se ai as nuk mund të verifikonte numrin e tij telefonik për shkak se Kosova nuk shfaqej në listën e vendeve me kodet e tyre përkatëse telefonike. Me thirrjet që të përhapej nënshkrimi i peticionit e të forcohej presioni, asokohe ishin vënë në kontakt edhe drejtuesit e “Netflixit” për kërkesën e përdoruesve nga Kosova.
“Propaganda e Serbisë për ta dobësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare vazhdon, sidomos në platformat e mëdha online. Kjo ka nevojë të ndryshohet. Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë dhe në institucionet e saj, dhe pavarësia jonë nuk mund të minohet prej tyre. ‘Netflixi’ është kompani e SHBA-së, dhe derisa SHBA-ja e njeh Kosovën, a nuk do të duhej që edhe ‘Netflixi’ të shtonte Kosovën si shtet në shërbimet e tij të streamingut?”, ishte thënë, ndër të tjera, në tekstin e peticionit.
Hoti: “Pranimi do ta ndihmojë edhe kinematografinë tonë”
Në një prononcim për KOHËN, Hoti e ka përshkruar si ndjenjë të mirë faktin që nisma ka pasur rezultat.
“Por ka ende rrugë për më shumë”, ka thënë ai të mërkurën teksa ka folur për epërsitë që do t’i sjellë pranimi i Kosovës nga “Netflixi”.
Sipas tij, përdoruesit kosovarë tashmë e kanë shtetin e tyre që figuron në listën e shteteve në platformën me mbi 200 milionë përdorues në nivel global, ashtu sikurse që edhe kodi telefonik +383 është shtuar aty.
“Besoj që edhe më tutje kjo do t’i vijë në ndihmë kinematografisë kosovare që të negociojë më lehtë për t’i futur filmat tanë në ‘Netflix’”, ka vlerësuar Hoti.
Me sukses ishte përmbyllur edhe një tjetër peticion i nisur gjatë vitit të kaluar: 197.022 veta kishin vënë nënshkrimet e tyre në “change.org” në kërkesën që “Apple Maps” ta shfaqte Kosovën me kufijtë e saj, e jo si pjesë të Serbisë.
E gjithë kjo kishte filluar në korrik të vitit të kaluar, kur këngëtarja shqiptare në Britani, Dua Lipa, përmes Instagramit të saj i kishte kërkuar “Apples” ta vendoste Kosovën në harta. Të njëjtën kërkesë e kishte zëruar edhe këngëtarja tjetër e njohur shqiptare Rita Ora.
Kërkesa ishte shtyrë përpara edhe nëpërmjet rrugëve institucionale kur ish-ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj, nëpërmjet një letre zyrtare në adresë të drejtorit ekzekutiv të “Apple”, Tim Cook, kishte kërkuar që Kosova të paraqitej korrektësisht me kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarë në “AppleMaps Service”.
Ndërkohë Hoti thotë se përdoruesit nga Kosova janë të kufizuar edhe në platforma të tjera, si “PayPal”, “Payoneer” e të tjera. Kjo, sipas tij, bën që shumica e të rinjve që punojnë nga shtëpia të detyrohen të paguajnë “provizione të hatashme” për shkak se Kosova nuk njihet si shtet.
“Këtu duhet të ndikojnë kompanitë e sigurimit të internetit dhe MPJ-ja, që ta zgjasin ndikimin e tyre më tepër në mënyrë që Kosova të ketë sovranitet digjital”, ka vlerësuar Hoti.
Reagimi i Vuçiqit
E, ndërkohë, jo të gjithëve u ka pëlqyer lajmi që “Netflix” ka njohur Kosovën. Në vazhdën e plot komenteve polemike në adresë të titullarëve të institucioneve në Kosovë, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Novi-Sad, ka thënë se askush nuk duhet as të ëndërrojë që Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Sot gjatë gjithë ditës po festoni që ‘Netflixi’ iu ka futur në listën e shteteve. ‘Netflixi’ iu përfshiu në listë, çka po ju duhen Kombet e Bashkuara, Interpoli. Shikoni filma, goditni topin, gjithçka është në rregull”, ka thënë Vuçiqi duke mos kursyer cinizmin.
Ndryshe, “Netflix” është një platformë amerikane dhe kompani produksioni me seli në Los Gatos të Kalifornisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E themeluar 24 vjet më parë, vetëm në fillim të këtij viti “Netflix” arriti shifrën prej 203 milionë abonentësh nga mbarë bota.
Veprimtaria parësore e kompanisë përbëhet prej shërbimeve të streamingut që ofron shfaqje online të filmave dhe serialeve televizive.
Me një shtrirje në mbarë botën, shërbimet e “Netflixit” mungojnë vetëm në Kinën e brendshme (për shkak të kufizimeve lokale), Siri, Kore të Veriut dhe Krime (për shkak të sanksioneve nga SHBA-ja).
Vitin e kaluar u njoftua se të hyrat operative të kësaj kompanie arrijnë në 1.2 miliardë dollarë. “Netflix” ka zyra në Francë, Brazil, Holandë, Indi, Japoni, Kore të Jugut, si dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Është edhe anëtare e Motion Picture Association, duke prodhuar e shpërndarë përmbajtje nga të gjitha vendet e botës.