Njohja e një tjetër Serbie – larg asaj të regjimeve prej Millosheviqit e të sotmes politike që s’njeh e pranon as gjenocid e gabime – është e mundshme nëpërmjet disa figurave si puna e avokatit Srgja Popoviq. Pikërisht profili i këtij aktivisti, vjen me të tretin vëllim të “Sërbia tjetër”, nismë e projekt udhëhequr prej aktivistit Shkëlzen Gashi. Figura si këto kanë qenë temë diskutimi edhe në temën “Trashëgimia tjetër”, ku panelistët kanë thënë se ka shtigje pajtimi shqiptaro-serb, por kusht është pranimi i gabimeve
“Mirëdita, dobar dan!” në esencë ka urat e bashkëpunimit, shtigjet e pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve. Kultura – që e ka në thelb festivali i cili sivjet në edicionin e dhjetë i kthehet Prishtinës – është vetëm njëra prej mundësive për komunikim. Njohja dhe promovimi i figurave që i kanë parë dhe i shohin këto mundësi, është e domosdoshme për ta jetësuar krejt këtë qëllim. Njohja e një tjetër Serbie – larg asaj të regjimeve prej Millosheviqit e së sotmes politike që s’njeh e pranon as gjenocid e gabime – është e mundshme nëpërmjet disa figurave si puna e avokatit Srgja Popoviq. Pikërisht profili i këtij aktivisti, vjen me të tretin vëllim të “Sërbia tjetër”, nismë e projekt udhëhequr prej aktivistit Shkëlzen Gashi. “Sërbia tjetër 3: Srđa Popoviq” ka qenë titulli i përuruar, të premten në ditën e dytë të “Mirëdita, dobar dan!”, një ditë pas hapjes ku ndër të tjera, në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës u ndezën qirinj në shenjë solidarizimi me nëntë viktimat e një sulmi në një shkollë fillore në Beograd, tetë prej të cilëve nxënës dhe roja e shkollës. Një hapje e tillë qe në kontrast me edicionet e “Mirëdita...” në kryeqytetin serb, gati përherë të shoqëruara me protesta nacionalistësh, me thirrje për vrasjen e shqiptarëve. Ana e kundërt e kësaj Serbia ka qenë Popoviqi. Po të premten, si vazhdimësi e përurimit qe edhe debati në temën “Trashëgimia tjetër” ku aktivistë shqiptarë e serbë u bënë bashkë në idenë se të gjithë duhet së pari t’i pranojnë gabimet e veta.
Gashi: Srgja Popoviq, njëri prej patriotëve më të mëdhenj serbë
Qysh në vitet ‘90 dhe më vonë, Srgja Popoviq kishte dalë hapur në mbrojtje të shqiptarëve, për çka ishte detyruar edhe të ikte nga Serbia. Aktivisti Shkelzen Gashi ka kujtuar se ishte ende në vitin e parë të gjimnazit kur Shkëlqen Gashi kishte nisur ta pëlqente politikanin, veprimtarin e shkrimtarin Adem Demaçi. Nga ai kishte dëgjuar edhe fjalime për Bogdan Bogdanoviqin, Srgja Popoviq, Millosh Miniqin e të tjerë, për të cilët thoshte se ata ishin Serbia e vërtetë. Do të ishin pikërisht këto figura për të cilat Gashi do të niste hulumtimet e për të cilët do të shkruaj në projektin që do ta pagëzonte “Sërbia tjetër”. Pas vëllimit të parë të botuar në vitin 2021 e i cili i kushtohet Bogdanoviqit, dhe numrit të dytë që i kushtohet Miniqit, Gashi tashmë ka sjellë në dritë edhe numrin e tretë i cili i kushtohet avokatit e aktivistit serb, Srđa Popoviq.
Sikurse edhe botimet e para, “Sërbia tjetër” edhe kësaj radhe vjen në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht. Në 90 faqe në shqip, shpalos dëshmi të jetës dhe veprës së Popoviqit. Pas një hyrjeje të shkruar nga vetë Gashi dhe pas biografisë, lexuesi mund të gjejë edhe fragmente nga intervista të Popoviqit botuar në gazeta si: “Borba” të Beogradit, “Stav” të Novi Sadit, “Danas” të Zagrebit, “Demokratija” në Beograd, KOHA në Prishtinë e të tjera. E përbashkëta e tyre janë qasjet e tij për raportin Kosovë – Serbi. Nisin prej vitit 1990 e deri më 2013 kur ai kishte vdekur. Aty lexohet edhe dënimi që ai i bën gjenocidit serb.
Ideja për të hulumtuar rreth intelektualëve të cilët kishin pasur guxim të madh sa për ta kundërshtuar edhe Sllobodan Millosheviqin dhe që kishin dalë hapur në mbrojtje të Kosovës, Gashit i kishte lindur qysh në dekadën e kaluar. Sipas tij, emrat si Bogdan Bogdanoviq, Srgja Popoviq e Millosh Miniq e të tjerë, janë model i një patrioti të vërtetë.
“Ashtu siç e kam pasur model Adem Demaçin se si duhet ta duam vendin, unë e kam model, Bogdan Bogdanoviq dhe Srgja Popoviqin se qysh duhet ta duam vendin. Srgja Popoviq është patrioti më i madh serb për mendimin tim bashkë me Bogdan Bogdanoviqin, Lazar Stojanoviqin dhe një plejadë e tanë të intelektualëve serbë që e kanë kundërshtu pushtetin serb. Këta janë pasardhës të drejtpërdrejtë të atyre social-demokratëve serbë që në Luftërat Ballkanike të vitit 1912-13 e kanë kundërshtuar okupimin e Kosovës prej Serbisë”, ka thënë Gashi në ngjarjen e cila u mbajt në qendrën “Barabar” në hotel “Grand”. Është ngjarja që e përuron këtë hapësirë, në katin e katër të hotelit që mbrohet si monument.
Megjithatë, ky grup intelektualësh të cilët e kishin kundërshtuar një regjim aq të rreptë si ai i Millosheviqit dhe të cilët ishin shpallur tradhtarë në vendin e tyre, nuk ishin mirëpritur as në Kosovë.
Një rrugë në Kosovë me emrin “Sërbia tjetër”
“Jam ndier shumë keq kur kam filluar të hulumtoj dhe me pa që këta njerëz për fat të keq në Serbi po trajtohet si tradhtarë të kombit. Domethënë, këta kanë qenë të stigmatizuar për një dekadë të tërë të anatemuar, të fyer, të poshtëruar e të përbuzur në shoqërinë serbe. Në anën tjetër, në shoqërinë shqiptare të shpërfillur. Domethënë nuk u ka besuar kush. Unë kam vjet që e propozoj një rrugë me pas emrin ‘Sërbia tjetër’ në Prishtinë dhe që rrugicat e saj me qenë me emrat e këtyre intelektualëve”, ka thënë Gashi.
“Serbia tjetër” sipas Gashit, është një “mirënjohje shumë modeste” karshi kontributit tyre të madh në kundërshtimin e Serbisë. Është shprehur se kundërshtimi i krimeve, pavarësisht nëse ato i kryen dikush i kombit tënd, përbën model të një intelektuali të vërtetë.
Por, për të zgjedhur se kë do ta trajtojë në këtë projekt, Gashi kishte pasur disa kritere. Kishte përcjellë fjalimet dhe qëndrimet e tyre karshi një sërë çështjesh që kishin të bënin në Kosovës, sepse ai kishte hasur edhe në të atillë që shpesh ndërronin qëndrim. Nisur nga kjo, Gashi u shpreh se një kriter kishte qenë edhe që ai të mos ishte gjallë e kjo për t’u siguruar se ai nuk do të ndërronte më qëndrim.
“Kërkimi është bërë në atë mënyrë që unë kam hyrë dhe i kam shikuar kushdo që ka folur kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut, të shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve ’90, çfarë qëndrimesh kanë mbajtur për raportet Kosovë – Serbi, për statusin politik të Kosovës, kush ka qenë pro pavarësisë së Kosovës e të tjerë kështu që e kam bërë një listë. Por, kisha edhe disa personalitete kontroverse. Për shembull, Vuk Drashkoviq kish momente kur ishte fascinues, por kishte momente kur ishte komplet fashist, racist dhe s’mund ta fusja aty. Unë e kam bërë një listë prej gati 100 intelektualëve që janë juristë, avokatë, politikanë, publicistë, gazetarë e kështu me radhë, të cilët kanë folur në mbrojtje të Kosovës dhe Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Gashi.
Teksa ka folur për librin, Gashi ka theksuar se ai mund t’u hyjë në punë gazetarëve, diplomatëve, negociatorëve shqiptarë, serbë dhe jo vetëm. Kjo kishte qenë edhe arsyeja se pse ai e kishte botuar veprën në tri gjuhë. Për publikun ai ka bërë të ditur se është në përgatitje edhe të numrit të katërt i cili do t’i kushtohet regjisorit, Lazar Stojanoviq.
“’Sërbia tjetër’ e radhës do të jetë me regjisorin Lazar Stojanoviqin që përndryshe ka qenë edhe burri i Natasha Kandiqit, regjisor i cili në gjysmën e dytë të viteve ’70 ka bërë një film ‘Jezu Krishti Plastik’, ku e tall presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Josip Broz Tito dhe si pasojë e këtij filmi, ai dënohet, gjykohet, dënohet burgoset dhe një pjesë të burgut e kalon me Adem Demaçin”, ka thënë Gashi. Ka shtuar se për projektin kishte aplikuar qysh në vitin 2017 dhe nuk kishte lënë pa kontaktuar asnjë nga ambasadat, por që nuk kishte marrë asnjë përgjigje pozitive.

“Së pari duhet pastruar oborrin tënd”
Para publikut të “Mirëdita, dobar dan!”, i cili kishte në përbërje serbë e shqiptarë, ngjarja vazhdoi me një panel diskutimi i cili u zhvillua në temën “Trashëgimia tjetër”. Publicistit Shkëlzen Gashi iu shtuan edhe tre panelistë të tjerë: shkrimtari Bardh Frangu dhe aktivistët nga Serbia: Gjorgje Bojoviq dhe Sofija Mandiq. Duke qenë se kësaj ngjarjeje i parapriu promovimi i numrit tre të “Serbisë tjetër”, panelistët shtjelluan raportet midis Kosovës e Serbisë duke pasur parasysh figurat e këtij projekti dhe vetë projektin. Mandiq ka shpjeguar para të pranishmëve se “Sërbia tjetër” në fakt ishte një term që në Serbi kishte konotacion negativ, ani pse ajo e kupton atë se çfarë synon vepra.
“Ky term, ‘Serbia tjetër’ në praktikë në jetën politike përdorej si ofendim për mendim minor, për njerëzit të cilët ishin kundër nacionalizmit dhe të cilët janë distancuar nga ky etiketim. Nuk ekziston Serbia e parë dhe Serbia e dytë. Ne të gjithë jemi banorë të barabartë. Ndoshta mendojmë ndryshe por nuk jemi as të parët as të dytët. Kur të thotë dikush jeni të tjerët, jeni të dytët atëherë ka kuptime të ndryshme dhe unë më shumë e preferoj Serbia ndryshe por varet nga konteksti dhe ku përdoret. Konteksti i këtij libri ‘Serbia tjetër’ nuk më pengon, por në rrethanat lokale do të përdorej si një lloj ofendimi. Për mua personalisht ky ofendim ka pasur një konotacion në mënyrën e njëjtë si shumica serbe ofendon një politikë tjetër, një nacionalitet tjetër”, ka thënë ajo.
Teksa ka folur për raportet midis dy shteteve dhe teksa ka pohuar se në njëfarë forme krime ka pasur edhe ndaj serbëve, Mandiq ka thënë se “së pari duhet pastruar oborrin tënd” duke aluduar në atë se është mirë që secili t’i pranojë krimet e veta.
Aktivisti tjetër, Gjorgje Bojoviq, ka pohuar se në Serbi është shumë e vështirë të jesh intelektual i kalibrit të Popoviqit a Bogdanoviqit. Nisur nga kjo ai ka shpalosur edhe mendime tij karshi dialogut Serbi-Kosovë. Sipas tij një dialog i tillë do të duhej të ndodhte këtu e jo në Bruksel.
“Për që kanë ekzistuar intelektualët për të cilët ka folur Gashi për një shtet prej nga unë vij është një moment i vështirë dhe është thjesht e vështirë të jesh një person i tillë. Çka ka ndodhur në Bruksel dhe dialogu do të kishte kuptimin e vet kur shoqëritë kosovare dhe të Serbisë e pranojnë të vërtetën si një vlerë të veçantë dhe faktet çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe ky dialog që ka ndodhur diku atje dhe është i distancuar edhe nga Serbia edhe nga Kosova do të kishte një kuptim”, ka thënë ai.
Sipas tij, dialogu duhet të kuptojë problemet dhe interesat e vërteta të pakicave serbe në Kosovë dhe ato shqiptare në Serbi prandaj ai duhet të ndërrojë vend dhe të mbahet në njërën nga këto vende, sepse sipas tij, kjo është mënyra e vetme se si duhet të zhvillohet një dialog.
“Po qe se do të merresha unë me dialog, unë do ta kisha sjellë në Mitrovicë ose në Beograd ose diku këtu sepse ne duhet të bisedojmë këtu sikur kur bisedojmë ne sot, e jo në Bruksel”, ka thënë Bojoviq.
Shkrimtari e publicisti, Bardh Frangu, ka vlerësuar lart karakterin e Popoviqit. Teksa ka kujtuar një dialog të tij me një shqiptare, Frangu ka thënë se figurat si këto kapërcejnë jo vetëm Serbinë, por edhe gjithë mentalitetin ballkanik.
“Një gjë interesante e avokatit Popoviq është se një shqiptare e falënderon duke thënë ‘faleminderit që ke bërë kaq shumë për popullin tim’ dhe ai ia kthen dukej thënë: ‘Jo nuk e bëra për ju por e bëra për ndërgjegjen time’. E gjithë motoja e jetës së tij është kjo. Ai e ka bërë për ndërgjegjen e tij e ne duhet t’i nderojmë edhe avokatin Popoviq edhe arkitektin Bogdanoviq si dy figura tepër të rëndësishme që kapërcejnë nivelin, hapësirën jo vetëm të Serbisë por kapërcejnë hapësirën e Ballkanit”, ka thënë ai.
Te çështja e intelektualëve që kanë ditur ta shohin dhe të dalin haptas për të vërtetën, Shkelzen Gashi ka përmendur edhe disa figura nga Kosova. Sipas tij edhe në Kosovë kanë ekzistuar figura të tilla të cilat nga shoqëria janë konsideruar si tradhtarë,
“Serbia ka pasur njerëz të jashtëzakonshëm që kanë guxuar ta kundërshtojnë Millosheviqin për krimet që i ka bërë ndaj krejt popujve dhe kulturave joserbe por edhe ne kemi pasur njerëz që kanë guxuar ta kundërshtojnë atë. Për shembull Adem Demaçin i cili është portretuar si tradhtar. Atij i ka dalë pothuajse një popull i tanë dhe e ka portretuar si tradhtarë pas luftës. Pastaj Veton Surroi, i cili ndaj krimeve që kanë ndodhur ndaj minoritetit serb në Kosovë pas luftës, por edhe nga minoritetet e tjera jopakicë, këtu ka reaguar. Si pasojë e kësaj, në vitin 1999 unë kam qenë student në vit të tretë dhe ai ka pasur një shkrim lidhur me vrasjen e qytetarëve serbë këtu dhe thoshte se me vra plaka, me vra qytetarë të pafajshëm veç për shkak të përkatësisë së tyre etnike, gjuhësore, fetarë është fashiste. Ka përjetuar sulme masive. Ka pasur shkrime të mediave këtu që me titull shkruanin ‘Gospodin Surroi’”, ka kujtuar Gashi.
Në ditën e dytë festivalit “Mirëdita Dobar Dan” u zhvillua edhe mbrëmje poetike “Stolpersteine” me Gjorgje Simiq dhe Mirjana Naranxherit si dhe koncerti i rap-grupit rom, “Pretty Loud”.