Kulturë

Sepse njerëzit që bëjnë historinë, duhet edhe të bëhen pjesë e saj

Atë që e paramenduam nuk mundëm ta realizonim. Porse kjo nuk u bë pengesë që të mos e përgatisnim dhe ta botonim monografinë për Melihate Ajetin, në vitin kur do të bëhej 85 vjeçe dhe kur u bënë 15 vjet nga shuarja e saj

Do t’i fitonte me dhjetëra shpërblime, do të intervistohej me qindra herë dhe do ta vazhdonte jetën e saj mes librash e fletore kujtimesh deri në ditën kur u shua. Nuk pati përcjellje shtetërore për artisten e madhe. Shkoi pa e nderuar, ashtu siç do t’i kishte pasur hije një populli që e qan artisten e vet. Prandaj, jo vetëm për këtë arsye, por për shkak se Melihate Ajeti kishte qenë ikona e teatrit kosovar me dekada, e botuam këtë monografi

Është një armik i padukshëm ky, i cili na shtyu që ceremoninë e sivjetme ta organizonim kështu, pa publik, por, megjithatë, me vullnetin dhe dëshirën më të madhe që një traditë e nisur para 12 vjetësh të mos ndalej.

Me gjithë kushtet të cilave duhej përshtatur, ishim të vendosur që puna krijuese e gazetarëve dhe shkrimtarëve duhej vlerësuar, njësoj siç kishte ndodhur tashmë në 12 ceremoni paraprake.

Juria u tregua e gatshme që ta marrë detyrën jo të lehtë dhe thuajse kurrë falënderuese që t’i zgjedhë më të suksesshmit ndër konkurruesit dhe që edhe sivjet nëpërmjet shpërblimeve që mbajnë emrin e tij së bashku ta nderojmë figurën e Rexhai Surroit.

Kurse ne vazhduam me punën tonë të përditshme, duke e informuar publikun me kohë dhe me saktësi për krejt ato që po ndodhnin publikisht dhe në prapaskenë. Duke mos e lënë anash, njëkohësisht, misionin që ia kemi caktuar vetes, që të kontribuojmë me aq mundësi sa kemi, në pasurimin e fondit bibliografik në gjuhën shqipe.

* * *

E kishim paramenduar ndryshe.

Ashtu siç i ka pasur hije.

Që ta nderonim kujtimin për një figurë të madhe të kulturës shqiptare në një skenë të hapur, përcjellë nga duartrokitjet e pandërprera, ashtu siç e kishte përjetuar me mijëra herë gjatë karrierës së saj.

Atë që e paramenduam nuk mundëm ta realizonim. Porse kjo nuk u bë pengesë që të mos e përgatisnim dhe ta botonim monografinë për Melihate Ajetin, në vitin kur do të bëhej 85 vjeçe dhe kur u bënë 15 vjet nga shuarja e saj.

Melin, siç e quanin të afërmit, miqtë e kolegët, shumica e kanë njohur si artisten më të madhe dhe më me nam që pasur Kosova. Mbase nuk ka pasur shfaqje që inskenohej në atë që, dikur, ka qenë Teatri Popullor Krahinor e në të cilin Melihate Ajeti nuk ka pasur rol, dhe kjo, kryesisht rol kryesor.

Por shtegtimi i Melit drejt suksesit kishte qenë plot gjemba. Lumturia familjare iu shua në moshën e njomë, atëherë kur babanë ia burgosën, kurse vetë Melin, megjithëse prindërit i kishte të gjallë, e vendosën në jetimoren e Pejës, ku u detyra t’i kalonte disa vjet të jetës.

Talentin për artin dhe teatrin me gjasë do ta kishte pasur të lindur.

Dhe ishte pikërisht kjo rrethanë që e ktheu në Prishtinë, pasi kërkuesit e talenteve nga Teatri e kishin zbuluar, në figurën e saj, një gur të çmuar por të fshehur.

Pa e përfunduar të mesmen, nisi të aktronte në teatër, përderisa paralelisht vijonte kursin për aktrim. Nëpërmjet lojës në teatër do t’ia siguronte vetes dhe familjes së saj një rrogë me të cilën do të mund të jetonin tashmë së bashku.

Bashkimi me Muharrem Qenën do ta ngrinte dhe do ta gdhendte në perlën e teatrit shqiptar. Së bashku me të do t’i realizonte mbi 40 shfaqje, kurse kulmin do ta arrinte me të famshmen “Ervehe”. Kjo qe shfaqja e cila u mbajt në repertor 13 vjet të plotë dhe u shikua nga mbi 100 mijë shikues.

Mirëpo, kjo do të ishte shfaqja që do t’i ndante rrugët e dy aktorëve të mëdhenj.

Meli do ta vazhdonte karrierën duke e mbajtur primatin në teatër, por edhe duke u sprovuar në televizion dhe në film.

Do t’i fitonte me dhjetëra shpërblime, do të intervistohej me qindra herë dhe do ta vazhdonte jetën e saj mes librash e fletore kujtimesh deri në ditën kur u shua.

Nuk pati përcjellje shtetërore për artisten e madhe.

Shkoi pa e nderuar, ashtu siç do t’i kishte pasur hije një populli që e qan artisten e vet.

Prandaj, jo vetëm për këtë arsye, por për shkak se Melihate Ajeti kishte qenë ikona e teatrit kosovar me dekada, e botuam këtë monografi. E botuam, sepse njerëzit që bëjnë historinë duhet edhe të bëhen pjesë e saj.

* * *

Melihate Ajeti ia kishte lënë amanet së bijës që, po qe se do t’i gjente fuqinë dhe frymëzimin, ta shkruante një libër për të. Kjo, për shkak se Antigona Qena-Kaçaniku e ka njohur Melin më mirë se askush tjetër. Për shkak se ka ditur t'i kuptonte edhe të pathënat dhe t’i interpretonte edhe emocionet. Dhe, më e rëndësishmja në rrëfimin për këtë monografi, ka ditur ta mbante distancën dhe të jetë minimalisht subjektive teksa rrëfen për jetën dhe veprën e nënës së saj.

Amanetin e ka çuar në vend, me një monografi shumë të bukur, të pasur me rrëfime dhe me shumë fotografi.

Pjesë nga fjalimi në ceremoninë e 13-të të ndarjes së shpërblimit vjetor për gazetari dhe letërsi, “Rexhai Surroi”, mbajtur më 22 dhjetor 2020 në Kohavision