Në auditoriumin e Fakultetit Filologjik, i cili ishte nikoqir i ngjarjes më të madhe akademike në vend, referoi një numër i konsiderueshëm i figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë. Gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që u kthye në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu e akademiku Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt, ishin vetëm disa nga ta që përmes emrave të tyre përçuan seriozitetin e kësaj ndërmarrjeje, pa kaluar te dija që u shpalos nëpër këto 12 ditë. Ndryshe nga historia e tunduar e këtij Seminari, e cila secilën herë është karakterizuar me një temë bosht, këtë radhë nuk u dha një e tillë
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka mbyllur punimet e edicionit të 42-të bashkë me jubileun prej 50-vjetorit të themelimit me pjesëmarrjen e qindra studiueseve –300 sosh, dyfishin e vitit të kaluar – nga të katër anët e botës e deri te performancat artistike. Ligjërata, tryeza, kurse të gjuhës, referime kanë qenë vetëm disa nga aktivitetet të cilat u mbajtën për të nxjerrë në pah gjithë punën e bërë sa i përket shkencës së Albanologjisë.
Në auditoriumin e Fakultetit Filologjik, i cili ishte nikoqir i ngjarjes më të madhe akademike në vend, referuan një numër i konsiderueshëm i figurave më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë. Gjuhëtari Brian Joseph, akademiku Ranko Matasoviq, profesori Jose Manuel Floristan Imizcoz, ligjëruesi Phil Hubbard, që u kthye në ngjarje pas 47 vjetësh, albanologu e akademiku Rexhep Ismajli e historiani Oliver Jens Schmitt, ishin vetëm disa nga ta që përmes emrave të tyre përçuan seriozitetin e kësaj ndërmarrjeje, pa kaluar te dija që u shpalos nëpër këto 12 ditë. Ndryshe nga historia e tunduar e këtij Seminari, e cila secilën herë është karakterizuar me një temë bosht, këtë radhë nuk u dha një e tillë. Në plot kuptimin e fjalës aty u diskutua për gjithçka sa i përket albanologjisë, nga aspektet gramatikore gjuhësore e deri tek etnografia.
Në këtë 50-vjetor, veç tjerash nuk u la pa u përmendur dhe historia jo fort e qetë që ky Seminar e kishte pasur përgjatë zhvillimit të tij.
Seminari është themeluar në vitin 1974 nga Fakulteti i Filologjisë – atëkohë Fakulteti Filozofik – i Universitetit të Prishtinës. Për çdo vit, ky Seminar mbledh bashkë me dhjetëra studiues e studentë të cilët trajtojnë problemet gramatikore, ato të letërsisë, kulturës shqiptare, si dhe ato të albanologjisë në përgjithësi. Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë, përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet 19-20 të viteve 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë të Shkencave të Shqipërisë. Drejtori i parë i Seminarit ka qenë akademik Idriz Ajeti. Njëra prej sallave ku organizohen aktivitetet e kësaj ngjarjeje mban emrin e tij. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë. Ndërkaq vitin e kaluar në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare studiues e mysafirë nga shtetet e Evropës kishin sjellë studimet e tyre, ndërsa një orë i ishte kushtuar shkrimtarit e akademikut Eqrem Basha. E këtë të premte, edicionit të 42-të i erdhi fundi.
Mes traditës e festimit të 50-vjetorit të themelimit të Seminarit, që është ngjarja më e rëndësishme shkencore në vend, fjala e fundit qe rezervuar për drejtorin e Seminarit, profesorin Bardh Rugova, i cili ishte fjalëpak. Mes falënderimeve për ata që e përkrahën këtë organizim e atyre që morën pjesë në mbarëvajtjen e tij, ai vëmendjen e la te puna e prezantuar aty, duke uruar që kjo ngjarje të vazhdojë të ndritë shkencën dhe Prishtinën.
“Unë nuk dua vetëm të mbyll punimet e këtij edicioni të mrekullueshëm që përmbledh një histori 50-vjeçare të institucionit më të rëndësishëm kulturor të Kosovës dhe që e bën Kosovën qendër të albanologjisë në botë. Dua të paralajmëroj seminarin e 43-të, që fillon më 18 gusht 2025 si hyrje në gjysmëshekullin e dytë për të vazhduar punën dhe për të mbajtur gjallë traditën e një vlere të madhe të shqipes e të vendit. Ky seminar ka treguar se albanologjia është e fortë si kurdoherë, dhe vitet e ardhshme i kemi për të punuar për ta bërë edhe më të fortë”, është shprehur Rugova, duke shtuar se edhe pse pritshmëritë janë që në përmbyllje të ketë fjalime të mëdha, ai këtë radhë ka zgjedhur që fjalën t’ia lërë punës dhe vetë rezultateve të seminarit.
Aspekt i veçantë i këtij edicioni ishte dhe hapësira që iu kushtua dhe rishikimit retrospektiv të Seminarit. Akademiku Rexhep Ismajli më 29 gusht në një sesion ofroi një përvijim të thukët të historikut të studimeve të shqipes në ish-Jugosllavi.
E për të, edhe si themelues i këtij seminari këta 50 vjet kanë qenë të suksesshme e të frytshme për albanologjinë, kulturën dhe botën shqiptare.
“Ky 50-vjeçar u mbyll me sukses, me një organizim me një sesion shumë të rëndësishëm me shumë pjesëmarrës cilësorë, me të rinj që po vijnë në studimet albanologjike dhe me shumë komunikime midis këtyre pjesëmarrësve. Qoftë nga vendi, qoftë nga bota ballkanike shqiptare ose edhe nga të huajt dhe diaspora, domethënë ka një përgjithësim. Në këta 50 vjet, suksesi kryesor i seminarit është ky, që po e mban një komunikim, po e intensifikon atë që edhe në rrugët e tjera ekziston, por këtu po përmblidhet dhe po rritet, dhe kjo traditë është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme. Ne kur e kemi nisur, e kemi nisur dhe për këtë qëllim që të kemi një komunikim, atëherë ishim shoqëri të mbyllura kishim shumë nevojë për komunikim, dhe ky komunikim ka dhënë rezultatet”, është shprehur ai në një prononcim për KOHË-n pas mbylljes së punimeve.