Mbi 100 pjesëmarrës i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për ngjarjen që për disa ditë e vë gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare në fokus, duke shoshitur nga perspektiva të ndryshme studimi. Emra më nam të albanologëve shqiptarë e të huaj i janë bashkuar këtij edicioni të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që pritet të prekë tema të ndryshme. Sesioni shkencor i gjuhësisë do t’i zhvillojë punimet mbi temën “Shqipja në kontakt, sesioni shkencor i letërsisë ka temën “Letërsia shqipe në kontekstin komparatist”, kurse sesioni shkencor i kulturologjisë zhvillohet mbi temën “dezinformimi dhe propaganda në mediet sociale”
Në pak minuta, salla e Bibliotekës Universitare është mbushur plot. Ky ka qenë pasqyrim i interesimit të madh për edicionin e 40-të të Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Para vetes kanë një agjende të ngjeshur. Mbi 100 pjesëmarrës i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për ngjarjen që për disa ditë e vë gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare në fokus, duke i shoshitur nga perspektiva të ndryshme studimi. Emra më nam të albanologëve shqiptar e të huaj i janë bashkuar këtij edicioni që pritet të prekë tema të ndryshme.
Në 11 ditë, pjesëmarrësit do t’i bashkohen ngjarjes më të madhe shkencore në Kosovë kur do të shpalosin studimet e tyre për gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare. Organizatorët veç janë mobilizuar për ditët me shumë aktivitete që do të përfshijnë sesione e tryeza shkencore, ligjërata, referime e orë letrare. Sesioni shkencor i gjuhësisë do të zhvillojë punimet mbi temën “Shqipja në kontakt, sesioni shkencor i letërsisë ka temën “Letërsia shqipe në kontektstin komparatist” kurse sesioni shkencor i kulturologjisë zhvillohet mbi temën “Dezinformimi dhe propaganda në mediet sociale”.
Në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, fjalën e tij e ka lexuar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ku ka theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe si pasuri të përbashkët. Sipas fjalës së Kurtit të lexuar nga Nagavci, nëpërmjet gjuhës jo vetëm është mësuar në mënyrë të drejtë dashuria për kombin, por edhe për vetë jetën.
“Derisa gjuha ndërton dhe mirëmban raportet tona, shkencëtarët dhe studiuesit e mirëmbajnë gjuhën tonë. E sulmuar nga mendimi i shpejtë, mendimi i ndërprerë nga thjeshtëzimi i tepruar, nga përkthimi i panevojshëm, shqipja jo vetëm që është mjeti ynë për dijen në politikë dhe jetë, por është edhe qëllimi ynë i zhvillimit”, ka lexuar Nagavci fjalën e Kurtit në fjalën e hapjes së ceremonisë së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Tutje ka shtuar se gjuha është pavarësi politike dhe individuale. Është mbështetur edhe në thënien e Çabejt që “duhet t’i shërbejmë gjuhës ashtu siç na shërben ajo”. Ka theksuar hapat për integrimin e gjuhës shqipe edhe në mërgatën që e lufton asimilimin.
“Së bashku me institucionet e Shqipërisë kemi pagatitur tashmë tekstin e nivelit të parë ‘Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare’ dedikuar fëmijëve tanë në mërgatë që do të shpërndahet në shtator, ashtu si abetarja e përbashkët”, ka thënë Nagavci derisa ka lexuar fjalën e Kurtit. Për nëntë muaj intensivisht gjuhës shqipe i është dedikuar edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abott. Mësimi i gjuhës shqipe ka thënë të mos ketë qenë i lehtë për të, po që i ka kryer goxha punë në misionin e tij diplomatik në Kosovë dhe në depërtimin më të thellë në kulturën shqiptare.
“Kam mësuar frëngjisht dhe arabisht përpara, por mund të flas me siguri që gjuha shqipe është e veçantë, një ndër gjuhët e rralla indoevropiane. Gjatë kohës kur kam kaluar duke mësuar gjuhën shqipe në Londër dhe Gjakovë, një ndër pjesët më të vështira ka qenë që rregullat e shkruara gramatikore duhet të shqiptohen. Kjo edhe e bën gjuhën shqipe unike në mesin e gjuhëve botërore”, ka thënë Abott. Seminari është themeluar në vitin 1974 dhe organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë në tërësi. Rektori i Universitetit të Prishtinës i ka ftuar pjesëmarrësit që krahas ligjëratave, të njihen më për së afërmi edhe me lokacione më rëndësi në Kosovë. Ka theksuar faktin se Universiteti i Prishtinës u ka bërë nikoqirllëk festivalit “Chopin Piano Fest” e “Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës” por asnjëra nuk maten me peshën që ka Seminari. “Para një kohe asnjëra prej ngjarjeve të tilla nuk janë përmendur, as nuk kanë ekzistuar, në përjashtim të Seminarit aktual i cili në periudhën më të zymtë për vendin tonë jo vetëm që arriti ta ruante interesin tonë për gjuhë dhe kulturë por njëkohësisht shërbente edhe si një lloj ure mes vendit tonë dhe qarqeve relevante ndërkombëtare”, ka thënë rektori i Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti. Vitin e kaluar, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ishte realizuar në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë. Përgjatë vitit 2020, nuk u mbajt fare për shkak të rrethanave të kushtëzuara nga pandemia. Kjo veç e ka rritur interesimin e pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës, prania e të cilëve është hetuar edhe në ceremoninë e hapjes së Seminarit. Sipas drejtorit të Seminarit, Shkumbin Munishi, rikthimi i plotë pas pengesave të pandemisë dhe tradita 40-vjeçare ka bërë që interesimi të rritet në këtë edicion jubilar.
“Këtë vit numri i pjesëmarrësve të huaj në Seminar e ka kaluar 100-shin dhe po të mos ishin kufizimet e natyrës logjistike, buxhetore dhe teknike ky numër sigurisht do të ishte edhe më i madh”, ka thënë Munishi, duke u shprehur i bindur se një interesim kaq i madh për të marrë pjesë në Seminar është një tregues i qartë që Seminari nuk e ka humbur aspak as rëndësinë e as cilësinë dhe vazhdon të jetë ngjarja kryesore në fushën e albanologjisë. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare organizohet nga profesorë të Fakultetit të Filologjisë nga dy departamente, ai Gjuhës Shqipe dhe nga ai i Letërsisë Shqipe në bashkëpunim me ata nga Fakulteti i Histori-Filologjisë në Tiranë. Seminari është vlerësuar veçmas për rëndësinë si adresë e parë nga dalin studiues të zotë.
“Ndër ta sheh emra që kanë ardhur si studentë të Seminarit dhe më pas kanë marrë në duar drejtimin e katedrave albanologjike të universiteteve më të rëndësishme të Ballkanit dhe Evropës”, ka thënë në fjalën e tij zëvëndësrektori për anën kërkimore-shkencore në Universitetin e Tiranës, Bernard Dosti.
E dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, theksoi se vlera e seminarit është e madhe. “Ky seminar është i madh jo vetëm nga numri i studentëve që marrin pjesë, por edhe nga rëndësia dhe tematikat që do të shtjellohen. Misioni i seminarit është afirmimi i shqipes kudo në botë”, ka thënë ajo.
Në këtë edicion, jubilar të ngjarjes u ndanë mirënjohje për të gjithë ish-drejtorët dhe bashkëdrejtorët e Seminarit për kontributin e tyre në jetëgjatësinë e seminarit. Punimet e seminarit do të vazhdojnë deri më 26 gusht.