E të ftuarit e këtij edicioni janë disa nga figurat më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si: akademiku Ranko Matasoviq, historiani Oliver Schmitt e gjuhëtari Michiel de Vaan. Sikurse edhe herë të tjera, seminari do t’i ketë dy tema të ndara për gjuhën e letërsisë. Teksa kjo e fundit do t’i zhvillojë aktivitetet nën temën “Letërsia shqipe dhe intertekstualizmi”, ajo e gjuhës do të ndërthuret duke pasur për bazë temën “Shqipja në rrezik”
Kanë mbetur edhe pak ditë përpara se të nisë edicioni i 41-të i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe. E të ftuarit e këtij edicioni janë disa nga figurat më eminente të albanologjisë e gjuhës në botë, si: akademiku Ranko Matasoviq, historiani Oliver Schmitt e gjuhëtari Michiel de Vaan. Në atë që njihet edhe si ngjarja më e rëndësishme e gjuhës dhe letërsisë në vend do të organizohen edhe aktivitete të tjera, përfshirë një orë kushtuar shkrimtarit e akademikut Eqrem Basha, si dhe një koncert me këngë arbëreshe.
Sikurse edhe herë të tjera, seminari do t’i ketë dy tema të ndara për gjuhën e letërsisë. Teksa kjo e fundit do t’i zhvillojë aktivitetet nën temën “Letërsia shqipe dhe intertekstualizmi, ajo e gjuhës do të ndërthuret duke pasur për bazë temën “Shqipja në rrezik”. Edicioni më i ri i seminarit është planifikuar të nisë të hënën e 14 gushtit, ku akademik Muhamedit Kullashi do të mbajë ligjëratën me titull: “Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë. Do të vazhdojë për dy javë rresht, deri më 25 gusht.
Drejtori i seminarit, njëherësh profesori universitar i gjuhës shqipe, Bardh Rugova, ka bërë të ditur se ligjëruesit e këtij viti do të jenë disa nga emrat më të shquar të albanologjisë e më gjerë. Ka përmendur akademikun e famshëm kroat, Ranko Matasoviq.
“Këtë vit kemi bërë një përzgjedhje pak më serioze, domethënë i kemi ata të kategorisë së rëndë ligjëruese. Është për shembull Ranko Matasović i cili do të flas për filmin e bërë për ilirët, ‘Illyricum’. Ka qenë ai që e ka bërë ilirishten, domethënë ai që e ka imagjinuar”, ka thënë ai.
Në vazhdën e emrave të shquar, në nëntë ligjërata shkencore që do të mbahen gjatë dy javëve, Rugova ka përmendur edhe Stefano Canalis e të tjerë.
“Do të jetë Michiel de Vaan njëri prej historianëve më të njohur të gjuhës në botë, i cili është marrë edhe me shqipen. Për herë të parë vjen Stefano Canalis, i cili është marrë me theksin e shqipes, domethënë është po ashtu studiues shumë interesant. E kemi David Hosaflook të Britanisë, Oliver Schmitt e të tjerë”, ka thënë Rugova.
Përveç ligjëratave dhe orëve mësimore, seminari i këtij viti do të sjellë edhe risi të tjera. Një orë do t’i kushtohet atij që Rugova e ka cilësuar “si njërin prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë”, poetit, prozatorit e akademikut, Eqrem Basha. Por, përveç kumtesave shkencore e aktiviteteve të shumta letrare e gjuhësore, seminari kësaj radhe është kujdesur edhe për argëtimin e pjesëmarrësve. Ka planifikuar mbajtjen e një koncerti, i cili do të zërë vend në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.
“Do të mbahet edhe një koncert me këngë arbëreshe, ku do të këndojë këngëtarja kroate, Dina Bushiq. Ajo nuk është se di të flasë shqip, por këndon shqip dhe e ka bërë një CD me këngë që i këndojnë arbëreshët”, ka bërë të ditur Rugova.
E kur bëhet fjalë për interesimin e të huajve për t’u marrë me gjuhën e letërsinë shqipe, seminari është ai që më së miri e konfirmon këtë. Nisur edhe nga përvoja e mëhershme si drejtor i seminarit, Rugova ka bërë të ditur se këtë vit kanë pranuar një numër tejet të madh të të interesuarve.
“Kemi pasur kërkesa të shumta, më shumë se çdoherë tjetër ndoshta. Unë kam qenë edhe vetë drejtor në dy mandate dhe asnjëherë nuk ka pasur më shumë kërkesa. Me të gjithë filtrat që i kemi bërë, prapë do të jetë numri i madh i pjesëmarrësve”, ka thënë ai.
Nëpërmjet një komunikate për media është njoftuar se në seminar do të jenë mbi njëqind pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Këtu përfshihen edhe studentët, të cilët gjatë dy javëve të seminarit do të ndjekin kurset e gjuhës shqipe dhe do të shpalosin hulumtimet e tyre shkencore në fushën e albanologjisë.
Teksa ka bërë të ditur se pas një kohe të gjatë seminari ka ftuar kësaj radhe edhe disa arvanitas, Rugova është shprehur i kënaqur me cilësinë e lartë të ligjëratave, që pritet të mbahen në këtë edicion.
“Përzgjedhja e njerëzve të cilët do të kumtojnë, referojnë është shumë cilësore. Është ndoshta më e mira ndonjëherë, jo vetëm për seminarin, por kudo që të bëhet një konferencë me këta njerëz, do të ishte mburrje”, ka thënë Rugova.
Në rolin e organizatorit dhe drejtuesit të seminarit, Rugova ka zbërthyer edhe më tej temën “Shqipja në rrezik”. Ka thënë se, para së gjithash, rrezikimi i shqipes është rezultat i neglizhencës së shtetit.
“Tema ‘Shqipja në rrezik’ nuk ka të bëjë me gjuhën standarde, por me tërësinë, nuk e di nëse mund ta quaj politike, nga e cila shqipja është rrezikuar. Ajo rrezikohet në forma të ndryshme e nganjëherë rreziku vjen edhe nga disa punë shumë të vogla”, ka thënë ai.
E, derisa ka folur për këto probleme, Rugova ka bërë një krahasim edhe me departamentet e tjera, të cilat qëndrojnë nën ombrellën e Fakultetit të Filologjisë. Ka thënë se atyre u mungon përkrahja institucionale.
“Ne si departament i gjuhës shqipe nuk kemi mbështetje si departamentet e tjera. Mund të shikoni për shembull se sa kanë dhënë Ambasada Amerika, Zyra e Britanisë në Kosovë për departamentin e gjuhës angleze. Nëse e bëjnë një projekt frëngjishtja, turqishtja e kushdo tjetër, menjëherë e ka një ambasadë që mezi pret ta ndihmojë. Ndërsa ne kemi mbetur disi si jetimë. Jemi në shtetin e Kosovës, dhe nëse kërkon para për ndonjë projekt apo diçka, nuk do të mund t’i gjesh”, ka thënë ai
Seminari është themeluar në vitin 1974 nga Fakulteti i Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Për çdo vit, ky seminar mbledh bashkë me dhjetëra studiues e studentë të cilët trajtojnë problemet gramatikore, ato të letërsisë, kulturës shqiptare, si dhe ato të albanologjisë në përgjithësi.
Në shumicën e herëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është mbajtur në Kosovë, përveç viteve 1995, 1996 dhe sesionet 19-20-të të viteve 2000-2001, të cilat u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.