Kulturë

“Selini” në Prishtinë me elegancë dhe harmoni

Emri i tyre ka të bëjë me hyjneshën e hënës e simbolika është tjetër histori. Njëra prej tyre edhe ajo se kur muzikantet janë bashkë, shndrisin si Hënë e plotë. E dëshmojnë këtë në skenë, me elegancën e interpretimit të veprave muzikore. Në “ReMusica” kuartetit “Selini” te veprat shqipe i janë bashkuar sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe Edon Ramadani në piano. Rezultati: rikonfirmim i harmonisë

Katër muzikante në skenë e dëshmojnë që i bashkon pasioni për instrumentet harkore. Atë që e nisën si një iniciativë të përbashkët në vitin 2017 për t’u bashkuar në kuartet po e thellojnë edhe më shumë në skenat e vendeve të ndryshme. Në Prishtinë, ditën e së enjtes e kishin nisur në Fakultetin e Muzikës, në një masterklasë me studentët e këtij fakulteti. Niveli i studentëve kosovarë i kishte befasuar dhe shkëmbimi i përvojës me ta s’kishte qenë i vështirë. Në mbrëmje kishin marrë pamje elegante. Nga qoshja e sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë ku për katër net po mbahet edicioni i 21-të i festivalit “ReMusica” kanë bërë një testim të shpejtë, gati pavërejtshëm para daljes në skenë. Nga ulëset, kuarteti “Selini String” i është bashkuar edhe temës së sivjetme të festivalit: “Tingujt e ndryshimit”. Në Prishtinë janë prezantuar me një program të pasur të kompozitorëve austriakë. Me lojën elegante në skenë, Nadia Kalmykova e Ljuba Kalmikova në violinë, Loredana Apartei në violë dhe Loukia Loulaki në violonçel kanë përzgjedhur vepra me të cilat mund ta dëshmojnë interaktivitetin me instrumentin. Me veprën e kompozitorit të ri nga Austria, Philipp Manuel Gutmann, i janë bashkuar synimit të këtij edicioni të “ReMusicas” për të reflektuar mbi ndryshimet klimatike. Pikërisht me këtë dedikim është kompozuar edhe vepra nga kompozitori austriak, e publikuar në qershor të vitit 2021.

“Kur vera të shkojë ngadalë, ju mund të ndjeni edhe një herë qetësinë e erës që bart tingujt e kambanave mbi valët me ngjyrë deti”, kishte shkruar Gutmann në përshkrimin e veprës. Ketë vepër moderne, kuarteti “Selini” e luajti për herë të parë dhe nga nuk do ta heqë më nga repertori.

“Kishim kënaqësinë të luajmë për publikun këtu dhe të bashkëpunojmë me muzikantë kosovarë. Ne vijmë nga Austria dhe ne duam të luajmë program që përfshin vepra nga ky vend”, ka thënë për KOHËN violençelistja Loukia Loulaki. Krahas veprave nga kompozitorë austriakë, ato për herë të parë janë njoftuar edhe me muzikën shqiptare. Atyre në skenë i janë bashkuar sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe Edon Ramadani në piano. Nuk i janë dashur shumë prova që të interpretojnë me saktësi veprat “Vet’ ke mbetë” dhe “Valsi i lumturisë” të aranzhuara nga Edon Ramadani.

Image
Sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe Edon Ramadani në piano, bashkë me kuartetin “Selini”, kanë interpretuar veprat “Vet’ ke mbetë” të Nexhmije Pagarushës dhe “Valsi i lumturisë” të Vaçe Zelës

“Veprat shqiptare ishin shumë të bukura dhe jemi të lumtur të bashkëpunojmë me muzikantët kosovarë. Muzika është me të vërtetë e bukur, më ndryshe nga ajo që ne luajmë, por e shijuam. Ne provojmë vazhdimisht të prekim stile të ndryshme”, ka thënë tutje Loulak për KOHËN. Kuarteti “Selini” i themeluar në vitin 2017, kur katër muzikantet nga Rusia, Rumania dhe Greqia, u takuan në Vjenë. Që atëherë, falë angazhimit të tyre kanë kombinuar tingullin e tyre të fuqishëm dhe gamën e gjerë të emocioneve. Kanë performuar nëpër Evropë dhe kanë fituar çmime prestigjioze, si “Prague SpringInternational Music Competition” (Republika Çeke), “Mdw great talent award” (Austri), “Ysaye International Music Competition”, “Szymanowski International Music Competition” (Poloni). Të gjitha këto kanë bërë që tashmë kuarteti “Selini” të përzgjidhet për të përfaqësuar skenën muzikore të Austrisë në mbarë botën, me programin “NASOM-New Austrian Sound Of Music”, për sezonin 2020-2022. Nëpërmjet këtij programi, ato kanë ardhur me koncert edhe në Kosovë. Kompozitori Ramadani është ndier i kënaqur me interpretimin e veprave shqiptare nga kuarteti që vepron në Austri.

“Ishte kënaqësi të kemi një bashkëpunim me një kuartet me renome, sepse ky kuartet ka një agjendë të ngjeshur në botë. I kam bërë dy përpunime të këngëve të kënduara nga dy ikonat tona të muzikës, siç janë Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha. Në këtë koncert do t’i vlerësoja elegancën, muzikalitetin, saktësinë e kuartetit”, ka thënë Ramadani.

Me një interpretim të ndjeshëm, Zana Abazi-Ramadani e ka futur publikun në një përjetim të veçantë të veprave shqiptare. Ani pse nuk ka pasur një përvoje të mëhershme në skenë me kuartetin, shumë pak minuta prova i janë dashur që të tingëllojnë në harmoni përgjatë natës së tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “ReMusica”.

“Jam e privilegjuar që mu dha mundësia të punojmë me këtë kuartet fantastik. Vetëm sot që kemi bërë provë, vetëm pesë minuta por megjithatë rezultoi me sukses. Shpresoj që do të ketë më shumë koncerte të tilla, sepse edhe publiku është shumë i interesuar”, ka thënë sopranoja Abazi-Ramadani.

“ReMusica” është kujdesur që çdo natë të Festivalit të iniciojë bashkëpunimin midis artistëve vendorë me ata ndërkombëtarë.

Sipas muzikologes Rreze Kryeziu-Breznica, koncerte si ky dëshmojnë se pjesëmarrja e artistëve ndërkombëtarë është një përafrim me zhvillimet e fundit muzikore në botë.

“Prezenca e tyre mund të përdoret edhe si metodë krahasuese në mes të performuesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, të cilët si rezultat i kushteve të favorshme shoqërore, sot kanë mundësi të prekin skenat e mëdha botërore. Dhe ky krahasim përveç ka ringjallur jetën artistike, ka rezultuar në motivim për zhvillim të vazhdueshëm të këtij zhanri në Kosovë”, ka thënë ajo për KOHËN.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “ReMusica” do të vazhdojë aktivitetet muzikore me koncerte e masterklase deri më 13 prill.