Kulturë

“Saz’Iso” jehon me ison e perlave të jugut si trashëgimi botërore

Në periferi të kryeqytetit, artdashës e ata që çmojnë këngën popullore kanë mbushur sallën për të dëgjuar grupin “Saz’Iso”

Në periferi të kryeqytetit, artdashës e ata që çmojnë këngën popullore kanë mbushur sallën për të dëgjuar grupin “Saz’Iso”

Këngët e tyre kanë jehuar kudo në Evropë e deri në emisionet e BBC-së. Si saze të vërteta me këngët autentike që kanë për identitet ison kanë jehuar edhe në Prishtinë, të shtunën mbrëma. “Saz’Iso” është rikthyer në Kosovë për një koncert që ka bashkuar adhuruesit e muzikës shqiptare që tash e dy dekada është edhe trashëgimi shpirtërore e botës nëpërmjet UNESCO-s. Legjendat e historitë në rrëfimet e polifonisë me iso vijnë me mjeshtërinë e artistëve që po shpalosin ato në krejt Evropën

Jeta e tyre është muzika. Ajo që është trashëgimi shpirtërore e shqiptarëve e edhe e botës. Janë rrëfime të vjetra popullore të cilat i sjell grupi “Saz’Iso”. Këngët e tyre kanë jehuar kudo në Evropë e deri në emisionet e BBC-së. Si saze të vërteta me këngët autentike që kanë për identitet ison, kanë jehuar edhe në Prishtinë, të shtunën mbrëma. 

Në periferi të kryeqytetit, artdashës e ata që çmojnë këngën popullore kanë mbushur sallën ku ka interpretuar ky grup. Nën spektaklin e dritave në prani të madhe të publikut jehoi kënga e jugut që nisi me “Avaz”. Instrumentali me ritmet autentike tradicionale ka qenë introja ku fyelli, klarineta e violina rimojnë në frymë popullore. 

“Tana”, një prej ikonave të kësaj muzike të veçantë ka ardhur si duet, interpretuar nga Robert Tralo dhe Donika Pecellari si vokaliste kryesore e Tralo duke mbajtur ison e saj. Kjo është një këngë e vjetër që flet për një bari, tufa e të cilit është vjedhur nga disa banditë, të cilët ia plotësojnë dëshirën që të luajë në flaut për herë të fundit para se ta vrisnin. Melodia vajtuese përcjell fatin e tij të tmerrshëm te më të dashurit e tij poshtë luginës.

Këngët e shpirtit

“Ju jeni dashuri, ju dua shumë”, ka thënë Pecellari pas duartrokitjeve që kanë vijuar pas kësaj kënge. 
Të gjitha këngët janë nga përmbledhje prej albumit të tyre. Ka treguar se ato i këndojnë me shpirt. 
“Këto këngë kryesisht janë në CD, albumin që kemi bërë me 16 a 17 pjesë dhe e kemi promovuar deri në BBC ku kemi performuar. Populli jetoi, e bëri jetën vargje, ne e bëmë këngë. Ndoshta ngaqë vargjet janë të popullit, e themi dhe e këndojmë më shpirt këngën tonë”, ka thënë ajo për KOHËN. 

Në këngën e radhës, Tralo ka kënduar me Adriana Thanon këngën “Sykaleshe”, ndërsa solo këngën “Te rrapi në Mashkullor”. Në vazhdim të programit ka qenë “Vallja e Osman Takës”. Vallet instrumentale si kjo i kanë rrënjët e thella në historinë e kësaj treve. Kjo valle i dedikohet një rebeli të arrestuar, i cili kërcen dhe fiton lirinë e tij dhe më pas shndërrohet në valltar të mrekullueshëm që konsiston me testin që vetëm ata që janë më të aftit mund ta kalojnë.

Më pas janë kënduar: “Postenance”  e “Nenoçka”. Me program të njëjtë, por më të shkurtër, “Saz’Iso” pati interpretuar në mbyllje të edicionit të 14-të të bienales evropiane “Manifesta” në Prishtinë, në fundtetorin e 2022-s.  

“Kryesisht në përgjithësi patëm këngë të njëjtë, veçse shtuam edhe këngë të tjera. Mikpritja është e njëjtë, dashuria e njëjtë. Ne këndojmë që të reja në skenën e Përmetit. Kemi shkuar nëpër festivale me dhjetëra e qindra herë edhe jashtë shtetit. Pastaj me grupin ‘Saz’Iso’ u bëmë një bërthamë dhe kemi nxjerrë këtë që dhamë sot”, ka thënë Donika Pecellari, njëra prej vokalisteve të grupit “Saz’Iso”. 

“Bëje dru në përcëllimë” e “Kaba me klarinetë” kanë jehuar më tej midis perlash të këngës iso-polifonike të jugut të Shqipërisë nga grupi iso-polifonik. Klarinetisti Telando Feto ka thënë se kabaja të cilën e ka luajtur solo sjell vaj. Është shprehur se e luan përherë me shpirt duke u munduar ta sjellë në mënyrë sa më origjinale. 
“Tradita më e kompletuar është pjesa e kabasë, e këngës, ledhatimit, duke sjellë vajin, vuajtjet shpirtërore, gjithë gjërat që mendoj se janë pikërisht muzika tipike e jugut. Është një muzikë vërtet tradicionale dhe me vlera të mëdha”, ka thënë Feto. 

Ka thënë se është krenari të sillet tradita shqiptare dhe të shihet se ka aq interesim për të. 

“Ndihemi krenarë që sjellim traditën tonë shqiptare dhe që sonte jemi të ftuar special në Prishtinë, sepse kemi performuar në shumë qytete të Kosovës e Shqipërisë, por edhe anekënd Evropës. Sonte kemi ardhur me kënaqësinë më të madhe për të sjellë një repertor shumë të veçantë ndërmjet repertorit të Shqipërisë së juglindjes. Ne interpretojmë muzikën ‘bio’ tradicionale shqiptare, sidomos ato më të spikatura. Ndihem krenar që sonte kënduam për artdashësit nga Kosova”, është shprehur klarinetisti Telando Feto. 

Këngën “Gjethëze” e kanë sjellë si duet Pecellari e Thano. Kjo e fundit ka thënë se publiku i do këto këngë. 

“Personalisht këtë këngë e këndoj që e vogël. U mblodhëm në këtë grup që nga viti 2016, kryesisht kemi këngë ‘bio’, shumë të vjetra tradicionale. Kemi shkuar në shumë vende të botës me këto koncerte, sepse populli i do. Janë këngë të cilat i interpretojmë me shpirt, e vëmë shpirtin tonë në transmetimin e këtyre këngëve. Populli e ndien dhe përgjigjet me duartrokitjet dhe dashurinë që na jep kudo që shkojmë”, është shprehur ajo duke thënë se këngët sjellin rrëfime të ndryshme. 

“Këto këngë janë të tilla që do ngjarje, gëzim dhe hidhërim, populli i ka hedhur në vargje dhe melodi, pra ne kemi zgjedhur të ndryshme: këngë kurbeti, dashurie, dasme”, ka thënë këngëtarja Ardiana Thano.

Trashëgimia shqiptare në botë

Ansambli “Saz’Iso” ka kënduar shqip në një prej emisioneve legjendare britanike “Later with Jools Holland” në vitin 2017  e më pas në Angli ku patën promovuar albumin e tyre “Al Least Wave Your Handkerchief At me: The Joys And SorroWs Of Southern Albanian Songs”, të lansuar po atë vit. Po atë e patën prezantuar edhe në koncertin që pati mbyllur “Manifestan” në Prishtinë. 

“Saz’iso”, ansambël i cili vjen nga një rajoni jugor i Shqipërisë, ofron një prezantim të melodive dhe këngëve të sazeve, një prej stileve më të pasura të Evropës, që ka statusin e trashëgimisë shpirtërore botërore të mbrojtur nga UNESCO-ja qysh prej vitit 2025. Studiuesit besojnë se Labëria është vatra e polifonisë me iso dhe në realitet interpretohet nga krejt toskët, nga Shkumbini e më tej. Variacionet janë të ndryshme nga një rajon në tjetrin, por iso-ja është emëruesi i përbashkët. 

Ndërkohë që në repertorin e grupit ekzistojnë gjurmët e idiomave më të njohura të Ballkanit, duke u ndeshur me disponimet e fuqishme të kësaj muzike. Sazet janë ndër format më pak të regjistruara muzikore dhe, pos prezantimeve të grupit “Saz’Iso”, mbetet kryesisht e panjohur jashtë Shqipërisë sa i përket interpretimit.

Grupi që interpreton në vende të ndryshme, si bis i ka lënë për në fund këngët tradicionale të trevave të Kosovës “O zambak, zambaku i bardhë” e “Jalla mor bylbyl”, me të cilat ka ngritur publikun në këmbë

Grupi përbëhet nga muzikantë virtuozë dhe këngëtarë legjendarë të mbledhur nga Joe Boyd, i njohur për punën që ka bërë me “Pink Floyd”, bashkë me koleget e tija producente Edit Pula dhe Andrea Goertler, të dyja të pasionuara pas muzikës tradicionale.

“Ky ansambël është krijuar në vitin 2016 nga një iniciativë shumë modeste, me dëshirën e mirë për të promovuar muzikën tonë të mirë shqiptare. Bashkë me partnerët e mi, mblodhëm kokërr më kokërr çdo artist që do të shihni sonte, të cilët disa jetojnë në Greqi, disa në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por të gjithë janë virtuozë. Koha po e tregon, pavarësisht se u bënë dhjetë vjet që jemi në skenë, suksesi i tyre po rritet çdoherë e më shumë sepse tashmë gjithkush po e kupton rëndësinë e kësaj muzike që do të dëgjoni sonte”, ka thënë Edit Pula nga skena, derisa ka bërë të ditur se kjo është hera e pestë që grupi interpreton në Kosovë. 

“Jemi munduar shumë që të jetë një muzikë e pastër, autentike dhe të përfaqësojë sa më mirë traditën, trevën, kryesisht Përmetin, apo muzikën e jugut të Shqipërisë”, ka thënë ajo derisa ka prezantuar shkurt grupin para se të nisë koncerti. 

Programi ka vazhduar me kolazh me këngët “O dhëndër ku vete kështu”, “Poshtë nga çahiret” dhe “Shegë e kuqe” e më pas edhe me “Çaj maco”, “Tambura”, “Penxherenë e zotërisë sate” dhe “O bandill”. 

Violinisti Aurel Qirjo ka interpretuar melodi të ndjera nga vepra “Kaba me violinë”. 

“Kabaja me violinë është një zhanër që e kemi në Shqipërinë e jugut, luhet me klarinetë dhe violinë, trashëgimitë më të vjetra dhe nuk ekziston në asnjë vend tjetër dhe kështu e ruajmë me fanatizëm dhe do mundohemi ta përcjellim tek të tjerët”, është shprehur ai. 

Duke e krahasuar koncertin e fundit në Prishtinë në Bienalen Nomade Evropiane, ka thënë se koncerti i së shtunës ka qenë organizim më serioz. 

“Publiku këtu është më  i kualifikuar. Atje ishte vetëm rinia, këtu pati të gjitha llojet e moshave dhe detyrimisht  interpretuam në një formë më serioze, më intelektuale, më kulturale, por kjo gjithmonë na vë në pozitë që të qëndrojmë në nivelin më të lartë artistik”, ka thënë violinisti Qirjo derisa ka vlerësuar pritjen në Prishtinë. 

“Sa herë kemi ardhur në Kosovë kemi qenë jashtëzakonisht të mirëpritur. Entuziazmi i publikut ka qenë një faktor kryesor që neve sa herë na njoftojnë se do të kemi koncert në Prishtinë, në Gjakovë, në Prizren, gjithnjë vijmë me kënaqësinë më të madhe. Arsyeja kryesore është sepse ne shpalosim një traditë të muzikës sonë shqiptare, ajo që juve ju mungon, pra muzika e jugut, dhe juve ju pëlqen dhe kënaqeni me të”, ka thënë ai.

Interesimi në rritje e sipër

Sipas tij, ka interes të veçantë për këngën e jugut. 

“Kanë pasur turne në Evropë, me peshë ka qenë pjesëmarrja në BBC. Atje u prezantuam në një nivel me shumë artistë të tjerë duke përmendur Rita Orën, Dua Lipën dhe shumë të tjerë. Përveç kësaj kemi qenë në Gjemani në një koncert të jashtëzakonshëm, në Bruksel po ashtu, dhe interesi për muzikën tonë është i dukshëm. Së fundi ka një interes të veçantë dhe kjo na vë në pozita që ne të mundohemi të japim më të mirë kudo që vemi”, ka konsideruar ai. 

Nga fundi i programit janë interpretuar:  “Doli laçja nga stani” dhe kolazhi me këngët “O borzilok”, “Trëndafili fletë-fletë” dhe “Kasaba”. Krejt në fund, bashkë me publikun njëzëri, grupi ka kënduar “A kanë ujë ato burime” me ritmet e së cilës të gjithë kanë vallëzuar e kënduar. 

Si bis i ka lënë këngët tradicionale të trevave të Kosovës “O zambak, zambaku i bardhë” e “Jalla mor bylbyl” si shpërblim për publikun. Nga insistimi i tyre kanë kënduar edhe “Tumankuqe”.

Violinisti Aurel Qirjo është shprehur se muzika e të gjitha trevave shqiptare krijon atë që e quan buqetë të kulturës shqiptare. 

“Ne e ndjekim muzikën e Kosovës, të Veriut, të Shqipërisë së Mesme dhe këtu kemi një gërshetim dhe përputhen larmia e muzikës, kulturës, traditave tona. Është një buqetë e vërtetë e kulturës sonë shqiptare, sa herë vijmë në Kosovë”, është shprehur ai. 

Ansamblin e muzikantëve e kanë ndërtuar edhe Agron Murati me lahutë e poliinstrumentisti Pëllumb Meta. 

Nën muzikën e tyre, publiku ka shpërthyer në duartrokitje, brohoritje e këngë së bashku me protagonistët në skenë. Publiku ka qenë kryesisht i moshës së re, që jep shpresë për muzikën popullore e madje të pranishëm kanë qenë edhe artistë të zhanreve moderne. 

DJ Oda Haliti është shprehur se “Saz’Iso” është një prej gupeve më të preferuara të saj. Ka thënë se në repertorin e saj janë edhe këngët e përpunuara të këtij grupi. 

“Çfarëdo që është e lidhur me muzikë më provokon. Sidomos ‘Saz’Iso’, i patëm ftuar edhe në mbylljen e ‘Manifestas’,  ku isha e angazhuar, ishte spektakolare. Janë bendi dhe orkestra që më bëjnë krenar dhe i luaj kudo. Herën e kaluar e kam luajtur në ‘Weltmuseum’ në Vjenë. E kam luajtur këngën ‘Tana’ dhe e kemi bërë një valle që askush nuk mund ta besonte se çfarë është kjo muzikë. Jam fanse e madhe e tyre. Sonte u kënaqa shumë”, ka thënë Haliti. 

Sipas saj, anëtarët e “Saz’Iso” janë pjesë e asaj që e quan si shkollë për gjeneratën e re. 

“Ishte pak siklet qëndrimi në karrige, por më erdhi mirë që në fund të gjithë u ngritën në këmbë dhe e shijuan siç ata e meritojnë. Këta janë një prej bendeve që më japin shpresë dhe për mënyrën si e respektojnë skenën në çdo aspekt të mundshëm, prej veshjes, seriozitetit, përgjegjësisë, pasionin që e kanë, është një shkollë për ne. Për mua janë vërtet shkollë të cilën e ndjekim”, ka thënë Oda Haliti pas koncertit të organizuar nga produksionet “Rave” dhe “Sosé”.