Kulturë

Saraçi i fundit i Lipjanit

Ramadan Zogiani thotë se vendosja e semaforëve në qendër të qytetit të Lipjanit nuk e kanë zbehur dyqanin e tij si referencë për qytetarët e kësaj ane. S’e vë në dyshim se banorët e qytetit dhe të gjitha fshatrave përreth kësaj qyteze vazhdojnë ta ruajnë kujtesën për veprimtarinë e familjes.

Ai është saraç, i biri i një zanatliu me emër në këtë anë, Jakup Zogianit. “Shko në cilindo fshat të Lipjanit, thuj ‘saraçi’, të gjithë na njohin. Ende njerëzit thonë: ‘A takohemi te saraçi’”, thotë me krenari Zogiani. Ka gati një dekadë që ai nuk punon më me “takëmin e kalit”.

Si të tjerët në këtë fushë, ai është fokusuar vetëm në riparimin e këpucëve. Por punën e saraçit thotë se do ta bënte më me qejf. Mungesa e kërkesës për atë lloj veprimtarie ka bërë që ai ta lërë mënjanë atë punë.

Teksa nuk ndalet së punuari në riparimin e një këpuce, me fjali të shkurtra, nga punëtoria e tij, Zagiani përthekon historinë gati gjashtëdekadëshe të të atit dhe të veten të lidhur me këtë punë.

Nxitja për zanatin

Image

“Ende njerëzit thonë ‘A takohemi te saraçi?’”


Në Lipjan nuk ka tjetër saraç pos familjes Zogiani. Kështu thotë saraçi i fundit i kësaj ane, që të gjithë e njohin si Dani. “Në Lipjanin me 70 fshatra, veç ne kemi qenë saraçë. Edhe për momentin në Komunë të Lipjanit vetëm unë jam. S’ka tjetër që punon”, thotë ai.

Rrëfimi i tij kthehet në fillim të viteve ‘60. “Babai im e ka marrë zanatin në vitet ‘60, prej një turku (qytetari të vjetër), në Prishtinë. Ustah Mehmeti, e ka pasë emrin ai zanatliu”, thotë Zogiani. Rreth 8 vjet kishte qëndruar në Prishtinë. Pas kësaj ishte bërë mjeshtër.

“Në vitin 1968 e ka çelë në Lipjan, si saraç. Mu këtu ku jemi tash”, tregon Dani.

Ai e mban mend që si 7-vjeçar ka shkuar pas të atit, teksa kureshtja e shtynte drejt përvetësimit të zanatit. Këtë s’e kishte lënë pa e vënë re babai i tij, që e ushqente këtë kureshtje.

“Unë prej moshës 7-vjeçare kam punu me babanë. Jemi tre djem, por unë kam punu më shumë me të. Vëllai i madh nuk ka punu shumë në këtë zanat, se e ka pasë punën e shtetit. Pas luftës, vëllai i vogël si i ri ka shku jashtë”, thotë më tej trashëgimtari i vetëm, e mbase i fundit i zejes. “Djemtë e mi nuk e duan këtë zanat. E kanë dugojnë e vet, janë frizerë, nuk e duan këtë zanat. Thjesht, nuk u pëlqen”, thotë Zogiani, që tutje i arsyeton plotësisht. “Është zanat i rëndë. Ke punë me tulifar njeriu. Mandej ke punë me tulifar këpuce, të dobët”, thotë ai.

Vetë Zogiani është 47-vjeçar, në 40 nga të cilat thotë se ka punuar pa u ndalur. “Kur i kam pasë 10 vjet babai më thoshte: ‘Rregulloje këtë gjë, shite e merri paret. Unë kam fillu ashtu me shit e me i marrë paret për vete, derisa u mësova e u bëra mjeshtër. E ka pasë me më nxiët që ta marr zanatin. Kur u mësova më tha: ‘Unë një pullë e di si e lë në dugojë’. Ka qenë i përpiktë”, thotë ai. Deri në vitin 1996 babë e bir kanë punuar së bashku në dyqanin e tyre.

“Në atë vit ai vdiq, e prej atëherë kam vazhduar vetë”, thotë Zogiani.

Nostalgjia për kohën kur punohej pa u ndalur

Image

Në një skutë është edhe një makinë e qepjes, e cila po ashtu është shumë e vjetër, e të cilën Zogiani e ruan vetëm si artefakt, e fare rrallë punon me të


Teksa flet për të kaluarën, Zogiani shprehet me nostalgji. “Mirë u kanë ajo kohë, shumë më mirë se sot. Atëherë kemi pasë punë shumë. Nuk kemi mundur t’i biem rreth. Deri në një muaj kanë pritur njerëzit për një zgjedhë të kalit, derisa i ka ardhë rendi për t’ia punu”, thotë ai.

Vetë ai i ka punuar pjesët përbërëse të qerres së kuajve, deri në vitin 2010. “Unë kam punu me zgjedha të kuajve, deri në vitin 2010. Derisa ka pasë kërkesa për to, mandej ndryshoi. Sot nuk i punoj më”, thotë Zogiani.

Puna me elementet e takëmit të kalit i pëlqen më tepër. “Nuk punoj se s’ka kërkesë për to, jo që nuk dua unë që t’i punoj. Se më para e ndreqi një zgjedhë kali sesa që ndreqi këpucë. Se, më flen në shpirt ai zanat”, thotë Dani. Duke mbajtur përkushtimin e merakun në punë, Zogiani tregon se në kohën më të mirë ai ka mundur të bëjë 2 zgjedha kuajsh në javë.

“Por duke punu non-stop, kurrë pa u ndalë”, thotë ai. Viti 2010, është i fundit kur ai thotë se ka bërë një të tillë. “Zgjedhën e fundit e kam bërë para dhjetë vitesh. E di se në atë kohë janë është shitur deri në 200 euro”, thotë Zogiani. Punën me zgjedhën e kuajve ai e cilëson si jo të lehtë, por milimetrike. Teksa i numëron pjesët, si freni, zgjedha, krahët, shpinaku, palldëmi, rripat e bigës, e deri te rruazat e pjesët e tjera dekorative, Zogiani thotë se janë elemente që kërkojnë përkushtim e merak.

“Ne kemi punu vetëm me lëkurë, e jo me skaj”, thotë ai. Punët e tij i njeh nga larg, ndonëse i bie rrallë që t’i takojë. “Madje e dalloj punën time nga ajo e babës tim. Ne e kemi pasë stilin tonë. Por edhe mes meje e atij ka pasë dallim. Njëjtë e kemi qit, por ai e ka pasë qepjen ndryshe”, tregon ai.

Zogiani thotë se në ndërkohë, edhe ai, edhe babai i tij kanë bërë edhe riparime të këtyre elementeve të kuajve, por edhe të këpucëve. Ka bërë edhe riparime të shalave të kuajve, por nuk e ka punuar një të tillë nga fillimi deri në fund. Ai thotë se ka provuar të prodhojë edhe këpucë vetë nga fillimi deri në fund, por thotë se nuk ia vlen.

“Nuk ka llogari, se nuk mundesh me i shit me çmimin e tyre real”, thotë ai. Në dyqanin e tij në qendër të Lipjanit nuk ka asgjë prej elementeve të takëmit të kalit. “I kam çuar në shtëpi”, thotë Zogiani. Por në dyqanin e tij ka disa vegla pune, gati monumentale, që për Zogianin nuk kanë vlerë monetare. “Ky është çekiçi i babës, i blerë para 50 vjetësh. Këtë nuk e shes me m’i jap edhe 10 mijë euro”, thotë Zogiani.

Mbi tavolinë vë edhe pajisje të tjera të vjetra, me të cilat ka punuar edhe babai i tij. Në një skutë është edhe një makinë e qepjes, e cila po ashtu është shumë e vjetër, e të cilën Zogiani e ruan vetëm si artefakt, e fare rrallë punon me të.

“Disa mjete të vjetra që i kam pasë, m’i patën vjedhë në kohën e luftës së fundit në Kosovë”, thotë me dhimbje ai. Katërdhjeteshtatëvjeçari ndien se ka humbur edhe respekti nga shoqëria, ndërsa mungon kujdesi nga shteti për zanatliun. “S’paguhet, s’ka respekt, s’ka vlerë për zanatliun”, thotë ai. “Në anën tjetër, askush nuk i ndihmon zanatlinjtë e vjetër. Komuna nuk na ndihmon, nuk na liron nga tatimet, as ndonjë ndihmë. E vërteta është që unë as nuk kam kërkuar, e s’mund të them që s’më kanë dhanë, por iniciativë nga ata nuk ka”.

Image

Në dyqanin e tij ka disa vegla pune, gati monumentale, që për Zogianin nuk kanë vlerë monetare