Kulturë

Samuni i shijes autentike në sofrën gjakovare

Foto: Koha

Ora shënon 12:35. Mesi i ditës, i një prej atyre me rreze të fundit të ngrohta të fillimvjeshtës.

Në furrën e Haki Sylmetajt, por edhe në shumicën e furrave në Gjakovë, kjo nuk është koha e samunëve. Për ushqimin tradicional duhet pritur ora 13:00. Samuni me suxhuk, që identifikohet me këtë qytet, është specialiteti të cilin gjakovarët e kanë pjesë të pandashme të tryezës, shkruan sot Koha Ditore.

Disa qese me suxhuk të shtëpisë që gjakovarët e prodhojnë vetë qëndrojmë mbi një tavolinë. Janë copa të ndara. I kanë sjellë myshterinjtë që t’u hidhet përmbi copëzave të rrumbullakëta të brumit, që bashkë të piqen në temperaturë të lartë që vjen nga prushi i drunjve.

Sylmetaj gjen pak kohë për një rrëfim të shkurtër, teksa bën gati furrën që fiks në ora 13:00 do të pjekë suxhukun e futur në brumë.

Gjakovarët flasin me krenari për samunin në sofrën e tyre. Shpalosin kujtime të një tradite. E për studiuesin e kulturës bukënore, Arsim Canolli, kur hajet popullore që janë identitet i një qyteti a krahine, jo vetëm që bëhen ikona të brandimit të atij qyteti apo asaj krahine, por për më tepër mund të konsiderohen “artefakt bukënor”.

Zanati i zorshëm

Një deriçkë e vogël, në nivelin e gjoksit të Sylmetajt trupmesatar, gjendet në mes të tullave të kuqe që krijojnë atë që njihet si furrë e prushit. Jashtë saj është një poç elektrik, i mbështjellë me një kanoçe asisoj që dritën ta orientojë kah brendia e furrës.

E shtruar me tulla rezistuese ndaj nxehtësisë, në të dyja anët e furrës ndodhet nga një grumbull prushi, që e çon në rreth 300 gradë temperaturën brenda furrës. Hapësira e saj shtrihet në rreth tri metra gjerësi, po aq thellësi dhe jo më shumë se 1 metër lartësi....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)