Kulturë

Samir Karahoda: Anëtarësimi në EFA, mundësi që zëri ynë të jehojë më shumë

Regjisori Samir Karahoda duket se i beson fjalës së vjetër popullore: “Të bashkuar jemi më të fortë”. Për KOHËN ka treguar se si e sheh pozitën e tij të re, si anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit. Karahoda nuk është propozuar nga ndonjë individ apo institucion për të qenë pjesë e kësaj akademie, e cila ndër të tjera ndan edhe çmimet më të rëndësishme kinematografike në Evropës. Filmi i tij “Pa vend” vitin e kaluar u bë i pari i nominuar për çmimet e përvitshme nga kjo akademi. Kaq mjaftoi që të fitonte të drejtën edhe për të qenë anëtar i komunitetit 4 mijë e 200 anëtarësh, prej të cilëve 25 janë nga Kosova.

Karahoda nuk arriti që me “Pa vend” të triumfojë në ngjarjen që konsiderohet si “Oscari” i Evropës. Megjithatë, rrëfimi për sportistët nga Kosova është i sigurt që ka prekur zemrat e shumë njerëzve. E Kosovës i dha diçka për t’u krenuar e mburrur. U bë i pari filmi vendor që u nominua në këtë ngjarje prestigjioze. Regjisori i filmit tani, si anëtari më i ri i EFA-së, krahas misionit të tij për të ndihmuar personazhet e filmit të tij, ka edhe një mision. Ka thënë se do të jetë zëri i fuqishëm i kinematografisë së vendit brenda kësaj akademie. Shpresat i mban edhe tek anëtarët e tjerë që janë nga Kosova.

“Së pari mund të them që është një privilegj me faktin se ka qenë ftesë e drejtpërdrejtë nga Akademia dhe jo i propozuar nga ndonjë individ apo institucion”, ka thënë ai, duke treguar se çdo vit anëtarët kanë privilegjin që të kenë qasje në filmat më të rinj dhe më të mirë evropianë duke i vlerësuar dhe votuar për çmimet e Akademisë Evropiane të Filmit.

“Kjo është një gjë e mirë pasi që do të jem në ngjarje gjatë gjithë kohës me prodhimet më të reja evropiane”, ka thënë ai.

Përveç Karahodës, nga Kosova pjesë e Akademisë janë edhe producenti Valon Bajgora, producentja Mirëjeta Baraliu, regjisorja Blerta Basholli, regjisori Fatos Berisha, producentja Vjosa Berisha, gazetari Jeton Budima, aktori Eshref Durmishi, producenti Valon Jakupaj, aktori Astrit Kabashi, regjisorja Antoneta Kastrati, kinematografja Sevdije Kastrati, producenti Besnik Krapi, producenti Visar Krusha, producenti Trim Musliu, drejtori artistik i festivali “DokuFest” Veton Nurkollari, regjisorja More Raça, regjisori Edon Rizvanolli, regjisorja Norika Sefa, producenti Mentor Shala, regjisori Ismet Sijarina, producenti Fatmir Spahiu, producenti Yll Uka, regjisorja Blerta Zeqiri dhe ish-drejtori i QKK-së Arben Zharku.

“Patjetër që është në dobi të kinematografisë sonë, mendoj që ky numër është i vogël në krahasim me shtetet e tjera evropiane. Sa më shumë që kemi anëtarë, zëri ynë do të jetë më i dukshëm e sidomos në rastet kur kemi ndonjë film nga Kosova apo shqiptar të nominuar për këtë çmim prestigjioz. Kështu numri i votave do të jetë më i madh dhe ne do të mund të lobojmë më tepër si anëtar. Shpresoj që ky numër të rritet në vitet në vijim dhe njëkohësisht mundësitë e filmit dhe kineastëve kosovarë të rriten në çdo aspekt”, ka thënë Karahoda. Ka shtuar se si anëtar i ri tashmë do të ketë qasje direkte te një numër i madh i kineastëve dhe organizatave të filmit evropian.

“Siç thashë edhe më parë, ne jemi numër i vogël me numër, por me iniciativa të ndryshme mund të bëjmë gjëra që do të lëvizin për të mirën e komunitetit. Prej këtu mund edhe të lobojmë tek individët për anëtarësimin e vendit tonë në organizata të ndryshme të filmit në Evropë e njëkohësisht në rritjen e bashkëpunimit ndërmjet kineastëve tonë dhe atyre evropianë”, ka thënë ai.

Sipas tij, mundësitë janë të shumta. “Nëse në si komunitet veprojmë të bashkuar mendoj që mund të bëjmë gjëra të mira për të ardhmen e kinematografisë sonë”, ka theksuar Karahoda, i cili debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A, ku u shfaq premierë në shkurt të 2019-s.

Filmi i tij “Pa vend” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jeton Mazrekut dhe Ermegan Kazazit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë, duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh. Filmi i zhanrit docu-fiction, në 15 minuta sjell krejt peripecitë e sportistëve që pavarësisht të gjithave, nuk heqin dorë nga rruga që kanë marrë.

Filmi me producent Eroll Bilibanin u dha premierë botërore më 16 korrik në Festivalin e Filmit në Cannes. Prej aty vazhdoi në një tjetër kontinent dhe më 19 shtator mori çmimin kryesor “IMDB Pro Short Cuts” në njërin prej festivaleve më të rëndësishme në botë, “Toronto International Film Festival”. Me të zyrtarisht do të kualifikohej për kategorinë e filmit të shkurtër për “Oscars 2022”, ku nuk arriti të përfshihej në listë të ngushtë. Filmi po vazhdon suksesshëm pjesëmarrjen nëpër festivale edhe këtë vit.