Kulturë

Salman Rushdie s’merr pjesë në promovimin e romanit të tij të parë pas sulmit

Salman Rushdie

Shkrimtari i njohur Salman Rushdie nuk do të jetë i pranishëm në promovimin e “Victory City”, librit të tij të parë pas sulmit të gushtit të vitit të kaluar, ka konfirmuar agjenti i tij. Rushdie shkroi “Victory City” para se të sulmohej në Institutin Chautauqua në New York. Prej lëndimeve, ai humbi njërin sy dhe iu paralizua njëra dorë. Ky është libri i tij i parë që atëherë.

“Shëndeti i Salman Rushdie po përmirësohet pas sulmit të pesë muajve më parë, por ai nuk do të jetë i pranishëm në promovimin e romanit të tij të ri”, ka konfirmuar agjenti i tij, Andrew Wylie.

Publikimi i romanit më 9 shkurt, në vend të kësaj, do të shënohet me një ngjarje online falas me autorët Margaret Atwood dhe Neil Gaiman, e drejtuar në partneritet me PEN-in e Amerikës, të Kanadasë dhe të Anglisë. Një ngjarje e dytë do të mbahet në Festivalin e Ideve në Bristol më 21 shkurt, me një panel që përfshin Darran Anderson, autor i “Imaginary Cities”, gazetaren hulumtuese Sian Norris dhe avokaten e të drejtave të njeriut Susie Alegre. Festivali Hay po planifikon gjithashtu një ngjarje lidhur me librin më 1 qershor, duke organizuar një “panel me plot yje”.

I prezantuar si një paraqitje e shkurtuar i një sage fiktive të vargjeve sanskrite, varrosur prej kohësh dhe tani e ritreguar nga një transmetues “i përulur”, “Victory City” nis në një version magjik të Indisë së shekullit të 14-të. Autorja origjinale e poemës e nis jetën si një vajzë e re jetime, Pampa Kampana; ajo është e pushtuar nga perëndesha Parvati dhe bëhet e rëndësishme në themelimin e një qyteti të madh, Bisnaga. Pas një kohe të shkurtër në pushtet dhe mes shumë grindjeve, Pampa planifikon kthimin e saj nga mërgimi dhe përballet me kërcënime dhe sulme me vdekje.

Romani përfshin një periudhe kohore prej 250 vjetësh, në të cilat “poetja, mrekullibërësja dhe profetja” kërkon të përmbushë qëllimin e saj hyjnor për t’u sjellë grave lirinë e zgjedhjes në një botë patriarkale dhe krijimin e një mbretërie ku gratë nuk janë “as të mbuluara dhe as të fshehura”. Është një epikë realiste lozonjare, magjike, plot me aventura dhe një festë e fuqisë së tregimit dhe qëndrueshmërisë së letërsisë.

Edhe pse Rushdie, 75 vjeç, nuk do të marrë pjesë në ngjarje, ai ka postuar në Twitter për librin, duke ndarë imazhe të kopertinave të botimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA. Llogaria në Twitter e Rushdie ishte joaktive për një periudhë pas sulmit, por autori filloi të postonte sërish në fund të vitit të kaluar.

Ai gjithashtu ka uruar shërimin e mikut të tij Hanif Kureishi pas një rrëzimi dhe operacioni që ai pati në shtyllën kurrizore. Kureishi kishte postuar në Twitter duke thënë: “Shoku im Salman Rushdie, një nga njerëzit më të guximshëm që njoh, një njeri që i ka dalë kundër formës më të keqe të islamo-fashizmit, më shkruan çdo ditë, duke më dhënë durim. Ai duhet ta dijë. Ai më jep kurajë.”

Autori dhe miku Hari Kunzru vizitoi së fundmi Rushdie dhe i tha “New York Times” se ai është “duke e marrë vetën shumë shpejt", duke shtuar: “Ai është ende Salmani që ishte. Ka humbur syrin dhe është ende duke u rikuperuar prej disa lëndimeve të tjera, por kjo nuk ia ka dhënë fundin atij”.

“Vintage”, pjesë e “Penguin Random House” që do të publikojë “Victory City”, ka thënë se fushata e marketingut do të "festojë fuqinë e tregimit në partneritet me artet kulturore dhe institucionet ... për të arritur te lexuesit e shumtë të Rushdie, si dhe fansat e realizmit magjik, letrares botërore, komunitetit dhe atyre që janë të interesuar për mitin, historinë dhe agjenturën femërore”.

Bea Carvalho, drejtuese e letërsisë artistike në Waterstones, ka thënë se botimi i “Victory City”, “spikat si një nga pikat kryesore letrare të vitit” dhe se romani “ndjehet si një klasik i menjëhershëm”.

“Ky moment na jep një mundësi të mirëpritur për të reflektuar mbi të gjithë karrierën e një prej shkrimtarëve më të talentuar”, ka shtuar ajo. “Mezi presim të festojmë të gjithë punën e Rushdie, ndërsa prezantojmë këtë roman të ri të mrekullueshëm”.

Rushdie u godit me thikë në qafë dhe në gjoks teksa doli në skenë për të mbajtur një fjalim mbi lirinë artistike në Institutin Chautauqua më 12 gusht të vitit 2022. Sulmuesi qe Hadi Matar, 24 vjeç.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Mirjetë Sadiku