Kulturë

Saimir Pirgu: Ekranet janë fasadë, do të dëgjohem në sallë pa akustikë

Saimir Pirgu

Në gala koncertin e Operës së Kosovës ku do të performojë Saimir Pirgu do të interpretojë edhe sopranoja kosovare Marigona Qerkezi, e cila, po ashtu, është duke zhvilluar një karrierë ndërkombëtare. Elda Laro do ta dirigjojë orkestrën e angazhuar veç për këtë koncert

Tenori me nam botëror, Saimir Pirgu, të hënën, një ditë para koncertit gala, në konferencë për media e ka shpjeguar qartë se e di mirë se ku do të interpretojë. Edhe arsyen e pranisë në Kosovë e ka elaboruar goxha. Ka performuar prej “Metropolitan Opera” në New York deri te Opera e Sydneyt. Të martën mbrëma do të jetë në skenë, çatia e së cilës s’e mban dot shiun. Por Pirgu përtej interpretimit është në Prishtinë për mesazh. “Ne jemi mësuar t’iu japim vlera gjërave që nuk kanë vlerë. Këto ekranet janë vetëm fasadë për të mbuluar diçka që nuk shkon. Unë dëgjohem nesër në sallën që nuk ka akustikë. Do të jem atje me ata njerëz që s’kanë instrumente të mira. Prandaj jam këtu për ato që kemi. Më bukë e me kripë”, ka thënë ai

I kanë bërë nikoqirllëk shtëpitë më të mëdha dhe më të rëndësishme operistike që i njeh bota. Tash është radha e Kosovës. Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, tash është koha që Opera e Kosovës – që është një lloj agjencie pa ansambël dhe prej themelimit më 2021 funksionon me projekte – ta mirëpresë Saimir Pirgun. Ylli i këtij arti, i cilësuar i tillë nga kritika botërore, do të interpretojë arie të albumit të tij “Saimir”. Për skenën e shtetit më të ri të Evropës ky është përtej një lajmi. Është hyrje në turneun e Pirgut, që, sipas kritikës në profesionin e tij, veç qiellin e ka limit.
Saimir Pirgu i lindur më 1981, të hënën, një ditë para koncertit gala, në konferencë për media e ka shpjeguar qartë se e di mirë se ku do të interpretojë. Edhe arsyen e pranisë në Kosovë e ka elaboruar goxha. Ka performuar prej “Metropolitan Opera” në New York deri te “Teatro alla Scala”,  Opera Shtetërore e Vjenës, “Royal Opera House” në Londër, Operën e Parisit, teatrin “Boilshoi” në Moskë e deri te Opera e Sydneyt. Të martën mbrëma do të jetë në skenën, çatia e së cilës s’e mban dot shiun. Por Pirgu përtej interpretimit është në Prishtinë për mesazh.

“Jemi vende që kemi vuajtur shumë dhe të pretendosh të kesh opera në një shtet të porsaformuar është të kërkosh siç themi ne qiqra në hell. Por është një ide e mirë që ka përpjekje që nga kjo qendër e vogël si Prishtina t’i japin kulturë gjithë Kosovës e Shqipërisë. Kjo është një vlerë që duhet vlerësuar”, ka thënë ai. 

Krejt i thjeshtë e i hapur përballë pyetjeve, Pirgu ka thënë se s’çon peshë nëse Opera e Kosovës do të bëhet nga periferia a nga qendra, pasi kjo është çështje e kohës dhe e vullnetit politik e shoqëror. 

“Por është e dukshme që Kosova ka nevojë për të gjitha institucionet, dhe ndër këto edhe për operën. Duhet të mbështesim njëri-tjetrin që në vitet e ardhshme të tregojmë se kush jemi ne”, ka thënë në konferencën e mbuluar nga veç një ekip mediatik. 

Turneu i Pirgut me albumin e ri përfshin qendrat botërore të operës. Ka sqaruar se Tirana e Prishtina kanë hyrë në këtë turne në sekondat e fundit, në mënyrë që të mos ndaheshin nga qytet e tjera. 

“Është një prezantim i karrierës sime 20-vjeçare në teatro, ku kam interpretuar me gjithë repertorin që kam pasur. Janë më shumë se 20 arie të zgjedhura nga repertori botëror dhe i përkasin tematikës së repertorit tim dhe janë dokumentim i jetës sime artistike”, ka thënë Pirgu derisa ka folur për albumin.

Ka bërë të ditur se ideja për ta futur në këtë turne Kosovën vjen nga fakti se emri Opera e Kosovës brenda një turi të tillë është diçka e madhe. 

“Andej nga jashtë nuk e di kush se çfarë bëhet në Kosovë, duhet të jemi realistë. Por fakti që ekziston Opera e Kosovës është një informacion shumë i fortë, sepse opera është niveli më i lartë i kulturës. Fakti që Kosova ka një institucion si Opera është më e rëndësishme se çfarë bën Opera në realitet”, ka thënë ai.

Ka sqaruar se në album ka përfshirë edhe arien e operës “Skëndërbeu” të Prenkë Jakovës, pasi i intereson identiteti kombëtar. 

“Gjuha na ka mbajtur gjallë dhe kjo gjuhë duhet mbështetur. Kjo duhet të reflektohet. Ku mund të jap unë një kontribut të vogël? Në punën time”, ka thënë ai. Sipas Pirgut, fakti që në konferencën para koncertit qe veç një ekip mediatik tregon shumë. Ka thënë se në këtë rast ka diçka, pasi mediat mblidhen edhe për gjëra të kota. 

“Ne jemi mësuar t’ju japim vlera gjërave që nuk kanë vlerë. Këto ekranet janë vetëm fasadë për të mbuluar diçka që nuk shkon. Unë dëgjohem nesër në sallën që nuk ka akustikë. Do të jem atje me ata njerëz që s’kanë instrumente të mira. Prandaj jam këtu për ato që kemi. Më bukë e me kripë”, ka thënë ai derisa ka komentuar edhe ekranin gjigant prapa me figurën e tij. Kosova tash 25 vjet pas luftës nuk ka një sallë koncertale. Më 2009 qe vendosur një gur themeltar për Teatër të Operës dhe Baletit. Pas shpenzimit të mbi një milion eurove, ai projekt qe ndërprerë. Në vitet e fundit shteti ka ndërruar lokacionin dhe Ministria e Kulturës tash dy vjet synon të ketë së paku një projekt në letër, por ende s’e ka arritur këtë pikë.  

Saimir Pirgu e njeh mirë realitetin në këto anë. I lindur në Elbasan, ai nisi edukimin për muzikë në moshë të re. Në qytetin e tij ndoqi mësimet për violinë, kurse në moshën 21-vjeçare, sipas biografisë së tij, u diplomua në konservatorin “Claudio Monteverdi” në Bolzano si student i Vito Maria Brunettit. Në vitin 2008, Saimir Pirgu u zgjodh nga Woody Allen për të interpretuar në skenën e tij të parë të operës “Gianni Schicchi” në Operën e Los Angelesit. Dekada e dytë e këtij shekulli e ka çuar Pirgun në majat e karrierës. Më 2013, pas interpretimit të rolit të Alfredos në “Metropolitan Opera” në New York, prestigjiozja “The New York Times” ia kushtoi një artikull prej dy faqesh me titullin “Tenori nga ana e errët e hënës”. Albumet e tij si “Il Mio Canto” E Requiem janë promovuar gjithandej botës, përderisa “Saimir” është në turne. E Kosova është stacioni i radhës. 

Në gala koncertin e Operës së Kosovës do të interpretojë edhe sopranoja kosovare Marigona Qerkezi, e cila, po ashtu, është duke zhvilluar një karrierë ndërkombëtare. Ajo ka thënë se e ka me shumë kënaqësi që pas skenave në mbarë botën të interpretojë edhe në Prishtinë. 

“Jam e lumtur të ndaj skenën me tenorin tonë që është i yni, por i takon botës. Do të shpalosim një program shumë të pasur dhe kam kënaqësinë të rikthehem për publikun tim pas shumë vjetësh”, ka thënë Qerkezi. 

Elda Laro do ta dirigjojë orkestrën e angazhuar veç për këtë koncert. Dirigjentja me karrierë në

Gjermani ka thënë të jetë shumë e lumtur që është pjesë e këtij organizimi. 

“Është nder i madh të jem pjesë e kësaj gjëje”, ka thënë ajo. 

Në emër të institucionit të Operës së Kosovës, kryetarja e Këshillit Drejtues, Rreze Kryeziu-Breznica, ka falënderuar mysafirët.  

“Se sa e rëndësishme është kjo datë për ne, për vetë institucionin, tregon edhe vetë prezenca e artistëve që kanë vendosur t’i bashkojnë forcat me ne si institucion i ri për të na mbështetur dhe për të na drejtuar rrugën në ngritjen e cilësisë së institucionit tonë”, ka thënë, midis të tjerash, ajo. 

Kurse ushtruesi i detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka thënë se këta kalibra artistësh do ta vënë një gurthemel në ngritjen e Operës së Kosovës. 

“Është hera e parë që një organizim është duke u kryer pa asnjë stres të vetëm. Kjo për shkak të nivelit të tyre. Janë reprezentues të kombit”, ka thënë ai.