Kulturë

Sahatçinjtë e Mitrovicës

Mensur e Yll Sahatçiu janë vëllezër. Shumicën e kohës e kalojnë bashkë në dyqanin e tyre, në zemër të Mitrovicës. Janë brezi i katërt i zanatlinjve të orëndreqësve të familjes Sahatçiu në këtë qytet. Janë bijtë e Hamid Sahatçiut, prej të cilit e morën zanatin.

Dyqani që ndodhet në afërsi të Muzeut të Mitrovicës është në fakt një muze i orëve. Plot orë muri, të vjetra, janë si në ekspozitë të renditura nëpër muret e dyqanit, shkruan KOHA. Ato nuk janë në shitje. Më shumë se dekor e për matje të kohës, ato janë kujtim nga e kaluara familjare e lidhur me zejen. E rrëfimi për “Kohën Ditore” i përthekon dy gjenerata.

Tradita familjare e zanatit

Hamid Sahatçiu tash është në prag të pensionimit. Por jeta e tij është e lidhur me punën e rregullimit të orëve. Prandaj këtë peshë të moshës nuk e ndien. Mbiemri që përcaktohet nga zeja dëshmon që ai rrjedh nga një familje që tradicionalisht është marrë me këtë profesion. Në fakt, orëndreqës kanë qenë edhe i ati e gjyshi i Hamidit.

Gjashtëdhjetekatërvjeçari e kujton se ka qenë fëmijë kur ka shkuar në dyqanin e të atit për të mësuar zanatin.

“Tek unë është gjenerata e tretë që e trashëgoj këtë zeje, pas gjyshit dhe babait. Kurse tashmë e kanë edhe djemtë e mi”, thotë Sahatçiu, që kujton raportin me prindin e tij.

“E kam mësuar nga babai im. Si fëmijë i vogël, në kohërat e hershme, ai më merrte në dyqan dhe për fillim duke punuar me disa orë më të thjeshta, të cilat kanë qenë me zile dhe ishin më të lehta për t’i punuar. Gjithmonë nën mbikëqyrjen e prindit dhe duke mësuar çdo ditë për këtë zanat”, thotë ai.

Nuk do ta linte me kaq.

“Më vonë kam përfunduar edhe shkollën për këtë zeje, pra u kualifikova si mjeshtër i këtij zanati”, rrëfen ai.

Jo për të krahasuar se nga cila ka mësuar më shumë, po për të dëshmuar rëndësinë e traditës në një profesion, Sahatçiu thotë se trashëgimia në zanat e ka rolin e pazëvendësueshëm.

“Është e rëndësishme për arsye se e kemi marrë zanatin direkt nga prindi, ku ishte më e lehtë të mësosh nga prindi, pa kursim dhe me plot vullnet”, thotë ai.

Megjithatë, tek pas kualifikimit ai do të hapte dyqan më vete, ku thotë se puna shkonte shumë mirë.

“Po ashtu edhe fitimi ishte i mirë”, thotë ai.