Plot katër dekada të jetës së tij zunë vend brenda Institutit Albanologjik, i cili u bë si familja e tij e dytë. Atë e mbrojti në orën e ligë të historisë, kur njësitë e milicisë serbe të armatosura gjer në dhëmbë mësynë për ta uzurpuar ngrehinën e IAP-së, ashtu sikurse e mbrojti atë edhe nga përpjekjet e UNMIK-ut për ta çfunksionalizuar. Sadri Fetiu, folklorist, studiues e pedagog, është një nga emrat më të shquar të studimeve albanologjike në vend. Për kolegët e tij, “kujdesi kolegial ndihej edhe si kujdes prindëror”
“Bukën time e ha vetëm me dhëmbët e mi dhe jo me dhëmbët e shtetit”. Kjo kishte qenë përgjigjja lapidare e studiuesit Sadri Fetiu përballë njësive të milicisë serbe që kishin shkallmuar dyert e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në fillimmarsin e vitit 1994, organet e okupimit serb kishin dhënë ultimatum që institucioni albanologjik, që ende po bënte rezistencë, të lironte objektin e vet. I rrahur barbarisht nga milicët serbë, Sadri Fetiu, asokohe 52 vjeç, ishte drejtor i Institutit Albanologjik. Por dëshmia e tij e dhënë për organizatat e huaja për të drejtat e njeriut vuri në pah para krejt botës dhunën sistematike të organeve të okupimit serb, që nuk kursenin as akademikë, studiues e punonjës shkencorë.
Pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 79-vjeçare, të hënën ka dhënë frymën e fundit studiuesi, mësimdhënësi e letrari, Sadri Fetiu. Në një hark që shtrihet në thuajse katër dekada angazhimi të pakëputur, Instituti Albanologjik i Prishtinës ishte “familje e dytë” për studiuesin që krijoi mbamendje te të gjithë si një koleg i dashur e intelektual i guximshëm.
“Një vepër e paharrueshme”
Gjendja me pandeminë nuk sprapsi qindra qytetarë që pasditen e së martës në varrezat e kryeqytetit, në lagjen “Arbëria”, t’i japin lamtumirën e fundit studiuesit të njohur.
Teksa është përcjellë me arkivolin e mbështjellë me flamurin kombëtar, kolegë, miq e dashamirë e kanë kujtuar Fetiun si shëmbëlltyrë të njeriut të urtë, me emrin e të cilit lidhet mbijetesa në orët e liga të historisë.
Me zërin e rënduar nga emocionet, gjuhëtari Nuhi Veselaj, megjithatë, ka mbledhur forcë për t’iu drejtuar të pranishmëve. Duke evokuar momente miqësie kolegiale, ai ka thënë se jeta i lidhi me shumëçka me të ndjerin.
“Trupi i takon tokës, shpirti amshimit dhe kujtimet njerëzve”, ka thënë Veselaj.
Duke u kthyer pas në kohë, ai ka evokuar edhe biseda me familjen e Fetiut, të tilla që asokohe tejçonin frymëzim e shpresë se lufta po vazhdohej edhe nga të tjerë “Demaçë”.
“Varrin e bën të paharrueshëm kurora, por edhe vepra e Fetiut”, ka shtuar Veselaj.
“Fetiu, përkrahës i luftës për çlirim”
Në emër të Institutit Albanologjik, shkrimtari Sylë Kasumaj e ka cilësuar si lajm të trishtë vdekjen e njeriut që 40 vjet të jetës së vet ua kushtoi albanologjisë dhe shkencës.
“Ne do ta kujtojmë Fetiun me respekt si shkencëtar e udhëheqës të dalluar, me punën e të cilit Instituti Albanologjik mbijetoi të gjitha sfidat”, ka thënë ai.
Kasumaj – i cili është sekretar në Institutin Albanologjik – ka theksuar se Fetiu ishte shkencëtar mjaft prodhimtar e autoritet gjurmëlënës.
“Me emrin e tij identifikohet Instituti dhe arritjet e tij të gjithëmbarshme”, ka thënë ai teksa ka shtuar se Fetiu kishte mbështetur rezistencën kundër pushtuesit serb duke përkrahur luftën e armatosur çlirimtare.
“Mbrojtësi i IAP-së përballë Serbisë e UNMIK-ut”
Me evokime e shpalime të kontributit të tij të vëllimshëm albanologjik, Instituti Albanologjik i Prishtinës e ka përkujtuar nëpërmjet një mbledhjeje përkujtimore anëtarin e bashkëpunëtorin e vjetër.
Me një minutë heshtje paraditen e së martës, salla e mbushur përplot në katin e dytë të IAP-së ka nderuar kujtimin e studiuesit të folklorit.
Në praninë e kolegëve, familjarëve e miqve të shumtë, Fetiu është cilësuar si albanologu i pakompromis, intelektuali i pathyeshëm dhe mbështetësi i parezervë i kolegëve dhe bashkëpunëtorëve.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, drejtori i IAP-së, Hysen Matoshi, ka vlerësuar se Fetiu ishte njeriu që bëri më shumë për të tjerët sesa që të gjithë të tjerët mund të bënin për të.
Teksa është kthyer pas në kohë, kur Fetiu u kishte rezistuar vendimeve arbitrare të pushtuesit, ai ka vënë në dukje përpjekjet e tij të vijueshme për mbijetesën e Institutit Albanologjik.
“Nën dukjen e një njeriu të qetë e të butë fshiheshin qëndresa e pathyeshme, konsistenca e pashembullt morale, e cila u rikonfirmua në përballje edhe me administratën e UNMIK-ut më 2000, që kërkonte zhbërjen e Institutit Albanologjik. Nuk pranoi të largonte nga puna një pjesë të stafit sikundër i kërkohej nga administrata ndërkombëtare. Padrejtësia për të ishte edhe më e papranueshme veçmas kur cenonte të drejtën kolektive të shqiptarëve për të studiuar të kaluarën dhe kulturën e tyre”, ka thënë Matoshi.
Ai ka përmendur se te Fetiu bashkëjetonte shëmbëlltyra intelektuale dhe ajo morale për dallim nga intelektualët oportunistë.
“Zëshëm do ta shprehë pikëpamjen e tij në momentet vendimtare për fatin e kombit, madje edhe atëherë kur pikëpamjet e tij shkonin kundër rrjedhës mbizotëruese në opinionin tonë publik e përgjithësisht kundër koncepteve politike vendnumëruese të kohës”.
Gjendja me pandeminë nuk sprapsi qindra qytetarë që pasditen e së martës në varrezat e kryeqytetit, në lagjen “Arbëria”, t’i japin lamtumirën e fundit studiuesit të njohur
Matoshi: “Autoritet që nuk buron nga mendësi autoritare”
Me këtë rast është shkoqitur edhe fakti që Fetiu, në makroprojektin për botimin e folklorit shqiptar në 28 vëllime, shfaqet si autor projekti ose bashkautor në 10 prej tyre. Ishin rreth 400 faqe me ninulla, këngë, lojëra fëmijësh, këngë kreshnike e aso historike.
Sipas Matoshit, Fetiu bëhet emër i veçantë në historinë më të re, veçmas me jetëshkrimin e tij, që është rezultat i zbatimit të parimësisë intelektuale e morale.
“Atë që e mendonte e thoshte pa ngurrim dhe atë që e thoshte e zbatonte me konsekuencë në jetën e tij, në përballjet me vështirësitë nuk i mësonte të tjerët si të bënin, por vepronte me kohë që të tjerët të mësonin nga shembulli i qëndrimit dhe i sakrificës së tij. Në këtë pikëpamje, mund të thuhet se ai ishte shndërruar në një autoritet që në asnjë rast nuk buron nga çfarëdo mendësie autoritare”, ka thënë tutje Matoshi.
Gjatë një adresimi të shkurtër, Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor në IAP, ka thënë se Fetiu do të kujtohet jo vetëm si studiues i shquar, por edhe si njeri i mrekullueshëm.
“E admiroja atë si intelektual të shquar, por edhe si trim i madh”, ka thënë mes tjerash Lajçi.
Hoxhaj: “Nuk e ndau shqiptarizmin nga puna e tij”
Shëmbëlltyra e Fetiut si studiues e intelektual është vlerësuar nëpërmjet dhjetëra ngushëllimeve e kushtimeve që kanë vijuar gjatë gjithë ditës.
Në një afishim në faqen e tij në Facebook, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se me pikëllim e ka pranuar lajmin për vdekjen e mikut dhe vendësit të tij, të cilin e ka vlerësuar si intelektual e patriot.
“Në një jetë kushtuar dijes, asnjëherë nuk ndau shqiptarizmin nga puna e tij. Ata që kanë pasur fatin ta njohin, e dinë se ai ishte një profesionist shembull, familjar i dashur dhe mik i besës e fjalës”, ka shkruar Hoxhaj.
Vlerësime për kontributin e Fetiut si studiues, albanolog, folklorist e shkrimtar ka bërë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Në kushtimin e afishuar me këtë rast, ai ka shprehur ngushëllimet për familjet, kolegët dhe komunitetin shkencor.
“Prof. dr. Sadri Fetiu do të mbahet mend edhe si veprimtar i çështjes kombëtare, si dhe udhëheqës i Institutit Albanologjik në kohët më të vështira të ekzistencës së tij si institucion (1991-2007)”, ka shkruar Haradinaj.
Intelektuali i guximshëm
Studiuesja dhe autorja, Naxhije Doçi, ka vlerësuar se Fetiu do të mbetet përherë i pavdekshëm dhe i paharruar për brezat që do të vijnë.
“Veprat e tij voluminoze shkencore dhe letrare, veprat e tij të shumta njerëzore, si edhe veprimtaria e pandalur dhe e dëshmuar atdhetare për Kosovë e shqiptari e bëjnë të pavdekshëm”, ka shkruar Doçi.
Edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, nëpërmjet një shkrimi, ka shkëputur momente kur edhe vëllai i tij dëshmor, Fehmi Lladrovci, e çmonte Fetiun si një nga intelektualët më të dashur e më të dëshmuar në mesin e viteve ‘90.
“Prof. Fetiu i takonte gjeneratës së intelektualëve më të shkëlqyer që me tërë qenien ishin në mbrojtje të identitetit, vlerave, kulturës dhe dijës kombëtare, andaj, si i tillë, si shkencëtar i palodhshëm, do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë dhe gjeneratat që do të vijnë”, ka shkruar Lladrovci.
Ndërkaq veprimtari nga SHBA-ja, Ramiz Tafilaj, ka theksuar se profesori i ndjerë do të mbetet përherë në kujtesën e njerëzve për punën e tij të shquar, për dijen dhe kombin. Ai ka thënë se Fetiu, qysh në rini, dha ndihmë në lëvrimin e gazetarisë dhe arsimin shqip në një kohë vështirësish të shumta.
“Si dukagjinas që respektonte trashëgiminë letrare gojore të popullit të vet, prof. Fetiu ishte një komunikues i fuqishëm. Si i tillë, ishte i rrallë jo veç në shkrime, por edhe në biseda me miqtë”, ka shkruar mes të tjerash, Tafilaj.
Një rrugëtim që nisi me gazetarinë
I lindur më 7 shkurt 1942 në Peçan të Therandës, Sadri Fetiu mbaroi shkollimin fillor në vendlindje, gjimnazin e vijoi në Prizren, kurse Fakultetin Filozofik në Prishtinë.
Gjatë viteve studentore në fillim të viteve ’60 ai u angazhua si gazetar për fushën e kulturës dhe të arsimit në Radio Prishtinë. Punoi për më shumë se një dekadë si mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në qendrën shkollore teknike “19 Nëntori”, në Prishtinë.
Pas përfundimit të studimeve pasuniversitare, më 1976 e mbrojti temën e magjistraturës.
Një vit më pas u angazhua në fushën e studimeve të letërsisë popullore në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Krahas punës për mbledhjen e materialeve folklorike, ka botuar një numër studimesh nga fusha e folkloristikës shqiptare, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në studimin e baladës popullore shqiptare. Disa nga studimet e tij janë botuar edhe në gjuhën frënge në revistat shkencore të Tiranës dhe në revistën “Recherches albanologique” të IAP-së.
U zgjodh në mënyrë të rregullt në të gjithë titujt shkencorë, në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik. Ishte anëtar shumëvjeçar i redaksisë së revistës shkencore “Gjurmime albanologjike” – Seria folklor dhe etnologji, si dhe në redaksitë e botimeve të veçanta të botimeve të IAP-së.
U zgjodh gjithashtu anëtar i redaksisë së botimit shkencor “Çështje të folklorit shqiptar” të Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.
Duke filluar nga viti 1991, Fetiu ishte ushtrues i detyrës së drejtorit e më vonë për dy mandate radhazi u zgjodh drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, duke kryer këtë detyrë për 16 vjet (1991–2007).
Është autor i shumë punimeve shkencore dhe i një numri të konsiderueshëm recensionesh për veprat e botuara nga fusha e folklorit dhe e letërsisë.
U angazhua për gjashtë vjet radhazi nga Fakulteti i Filologjisë i Universitetit të Prishtinës profesor për lëndët: folklor krahasimtar dhe mitologji në Degën e Letërsisë Krahasimtare. Për katër semestra ishte pedagog i lëndëve: histori e letërsisë shqipe e romantizmit dhe letërsi moderne shqipe (si lëndë të zgjedhura) në studime pasuniversitare të Degës së Historisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës.