Janë 70 gra të certifikuara si artizane tashmë dhe nëpërmjet tyre hapet një kapitull i ri në ruajtjen e traditës së moçme të Prizrenit. Gjashtë kurse të aftësimit profesional janë mbajtur në fushat artizanale, si dizajn i veshjeve, rrobaqepësi, reliev në letër, djegie në dru, punime me rruaza, si dhe qëndisje fjongo
Përpjekjet për ruajtjen e traditës së kahershme të artizanaleve në Prizren po vijojnë përmes kurseve të aftësimit profesional. Kësisoj synohet fuqizimi ekonomik i grave, por edhe plotësimi i ofertës turistike në qytetin e vjetër. Në organizimin tremujor, ku bartëse ka qenë Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik e Komunës së Prizrenit, sivjet janë certifikuar 70 gra, në gjashtë kurse të aftësimit profesional në fushat artizanale, si dizajn i veshjeve, rrobaqepësi, reliev në letër, djegie në dru, punime me rruaza, si dhe qëndisje fjongo.
Njëra prej pjesëmarrëseve të këtyre kurseve, Heroida Zeqiri, ka theksuar se aftësimi tremujor ka qenë përvojë e mirë dhe frytdhënëse për të, pasi tashmë ka hapur një biznes të vogël, ku shitja realizohet përmes marketingut në rrjetet sociale.
“Konkretisht unë kam përfituar prej këtij kursi, e kam hapur një biznes timin të vogël, modest, me rrjete sociale me këto sendet moderne tash që janë, edhe jam goxha e kënaqur. Me pak investim, edhe me kënaqësi personale, jo vetëm punë, por edhe kënaqësi”, ka thënë Zeqiri, artizane e certifikuar tashmë.

Merllin Haxhimaxhuni që është aftësuar në reliev në letër dhe në djegie në dru apo pirografi ka theksuar se këto kurse paraqesin hap të duhur drejt ruajtjes së vlerave të artizanaleve, sidomos në Prizren, që njihet si qendër kulturore.
“Unë edhe ashtu e vlerësoj artin shumë, por ky ka qenë një hap më tej për me u profesionalizu në pirografi dhe në relief”, ka thënë ajo.
Venera Rada, trajnere e kurseve në reliev në letër dhe në djegie në dru, ka vlerësuar se këto aktivitete mundësojnë ruajtjen e trashëgimisë së Prizrenit, ku artizanalet janë një vlerë e veçantë, teksa interesimi i grave ka qenë i madh.
“Interesimi ka qenë i madh dhe shumica prej tyre tashmë kanë nisë me punu, d.m.th. me ndonjë biznes të vogël, ose nëpër shtëpi. Ka pasë interesim të madh, përveçqë janë trajnu, edhe janë shoqëruar mes vete, kështu që kemi kaluar shumë kohë të mirë”, ka thënë Rada.

Lirije Xhemaj-Bytyqi, drejtoreshë e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, ka thënë se 70 gra janë aftësuar në gjashtë kurse të ndryshme dhe se tani me punën e tyre mund të gjenerojnë të ardhura.
“Më anë të këtyre certifikatave ato kanë të drejtë me hap ndonjë biznes apo me u punësu në ndonjë biznes tjetër, sepse janë aftësuar në kursin që e kanë kryer”,
Për Shaqir Totajn, kryetar i Komunës së Prizrenit, çështja e aftësimit profesional dhe punësimit të grave, si dhe fuqizimi i tyre ekonomik është i rëndësishëm për Komunën e Prizrenit, sikurse edhe zhvillimi i turizmit përmes promovimit të vlerave.
“Edhe kjo tregon se ka një potencial këtu, i cili nëse përkrahet do të lirohet, edhe do të na sjellë vlera të reja, të cilat qyteti i Prizrenit, që është qytet i traditës, i kulturës, i trashëgimisë kulturore ka nevojë për t’i promovuar ato vlera dhe për t’i shfrytëzuar në funksion të zhvillimit të turizmit si një komponentë shumë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Totaj.
Ky projekt i Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik është realizuar në bashkëpunim me qendrën për aftësime profesionale “Komek” nga Komuna e Konyas e Republikës së Turqisë. Në saje të këtij partneriteti, kurset e kësaj natyre organizohen prej disa vjetësh në Prizren.
