Kulturë

“Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokajt” hap portat e botës së maestros

Gjelosh Gjokaj

E para që bie ndër mend kur kujtohet emri i artistit Gjelosh Gjokaj është grafika, fill pas saj dhe veprimtaria kolosale që ai ka lënë pas vetes me rreth tre mijë vepra të jetësuara gjatë dekadave të karrierës së tij. Për skenën e artit pamor në vend, Gjokaj njihet si ndër emrat më të shquar të modernizmit. Veprat e tij, si piktura e viteve ’70, e titulluar “Sofra”, zënë vend në radhët e kryeveprave të artit shqiptar. Njëjtë sikurse përmasat e saja, njashtu përkthehet dhe rëndësia e saj.

Atë dhe vepra të tjera të Gjokajt – i cili vdiq më 26 shtator të vitit 2016 në moshën 83-vjeçare – artdashësit do të ketë mundësinë t’i shohin në Prishtinë javën e tretë të majit. Në kuadër të programit vjetor, Galeria Kombëtare e Kosovës pas suksesit të ekspozitës kolektive “Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil” – e cila bëri bashkë artistë vendorë e ndërkombëtarë, duke ofruar qasje të ndryshme të punës artistike me tekstil – tash do të ofrojë pjesë nga veprimtaria e artistit Gjelosh Gjokaj, në ekspozitën që përkon me 90-vjetorin e lindjes së tij. E kuruar nga Shkëlzen Maliqi, ekspozita me titullin “Rrugëtimi modernist i Gjelosh Gjokajt” synon të dërgojë shikuesit në rrugëtim retrospektiv të veprimtarisë së artistit. Nëpërmjet kësaj ekspozite do të ofrohet dhe një pasqyrë e periudhës së modernizimit në Kosovë, ani pse në qendër të ekspozitës do të jetë emri i përveçëm i Gjelosh Gjokajt.

 “Gjelosh Gjokaj (1933-2016) është njëri ndër artistët më të shquar të periudhës së modernizmit shqiptar. Vepra e tij është me vlera të pakapërcyeshme për kulturën e trevave shqiptare dhe të rajonit. Pos në Kosovë dhe Mal të Zi, karrierën e denjë prej artisti Gjelosh Gjokaj e ka zhvilluar edhe në Itali dhe Gjermani, ku për katër dekada ka jetuar dhe vepruar si artist i lirë. Në Kosovë Gjelosh Gjokaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si pedagog dhe themelues i shkollës së grafikës dhe si piktor”, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga GKK-ja.

Tutje, aty bëhet e ditur se ekspozita realizohet për nder të 90-vjetorit të artistit, ani pse edhe tre muaj, më 25 korrik të 2024-s, ai do të mbushte 91 vjet.  

Në ekspozitën e bashkorganizuar edhe me Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, e cila do të hapet më 15 maj në Galerinë Kombëtare, do të prezantohen vepra nga dy koleksione: Nga ai i kushëririt të tij Sead Gjokaj nga Podgorica, me 75 vepra të artistit – i cili kishte publikuar edhe monografi për artistin në prill të vitit të kaluar me titullin “Maestro Gjelosh Gjokaj” – dhe me 18 vepra të artistit nga fondi i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Gjelosh Gjokaj u lind më 25 korrik 1933 në fshatin Milesh afër Tuzit, zona e Malësisë së Madhe në Mal të Zi. Rrjedh nga një familje e njohur shqiptare, të kreut të njohur malësor Baca Kurt Gjokaj. Shkollën e mesme industriale e përfundoi në Novi-Sad, ndërsa në Pejë dy vjet të shkollës së artit (të themeluar më 1949). Për një kohë të shkurtër jep mësim në Negotin, prej ku, në vitin 1958, shkon në Beograd. Duke u njohur si talent, ai pa arsimim të mesëm të plotë regjistrohet në Akademinë e Arteve Pamore. Përcaktohet për pikturë, të cilën e mëson te profesorët: Stojan Çeliq, Lubica Sokiq, Zoran Petroviq, Miladen Srinoviq, për të diplomuar në sektorin e grafikës te profesori Boshko Karanoviq, më 1963.

Në periudhën 1964/1969 punoi si profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, ku ishte njëri nga nismëtarët për themelimin e Fakultetit të Arteve (1973). Me ftesën e Komisionit për Lidhje Kulturore të Këshillit Ekzekutiv Federativ, u zgjodh në grupin e shtatë piktorëve dhe katër grafistëve më të mirë jugosllavë për ta prezantuar artin jugosllav në Bienalen VI të Mesdheut të Pikturës dhe Grafikës në Aleksandri (1966). Ka magjistruar në vitin 1966, në Akademinë e Arteve Pamore (ALU) në Beograd. Më 1967 mori pjesë në vizita studimore në Francë, Itali dhe në Gjermaninë Perëndimore. Gjokaj vendos të vazhdojë karrierën artistike në Itali, ku më 1977 merr mirënjohje të jashtëzakonshme: shpallet piktori më i mirë në Itali për atë vit. Me vendim të Qeverisë së Malit të Zi, në vitin 2010, atij iu dha statusi i krijuesit të jashtëzakonshëm kulturor.

Ndryshe, GKK-ja me këtë ekspozitë vjen me synime të qarta, përveç prezantimit të veprave të tij do të nderohet edhe figura e artistit.

“Me këto dy koleksione, që janë kompatibile, është mëtuar arritja e prezantimit të tërësisë së opusit të Gjelosh Gjokajt, që as gjatë jetës së tij nuk është realizuar si retrospektivë e këtij formati përfaqësues”, thuhet tutje në komunikatën për media.