Kulturë

“Rrugëtimi” me jehonën e tingujve nëpër gjashtë shekuj

Vepra mbase më e madhe deri më tani e kompozitorit Valton Beqiri, të martën mbrëma është interpretuar premierë bashkë me atë të Vinçenc Gjinit, “Simfonia in K: Kosova vatra atërore”, në koncertin e Filarmonisë së Kosovës për 13-vjetorin e Pavarësisë. Valton Beqiri zbërthen historinë e “Rrugëtimit” me të cilën ecën nëpër gjashtë shekuj të historisë së shqiptarëve

Zakonisht mbrëmjeve vonë nis t’u bëjë vend notave që i ka në kokë. Por në mbrëmjen e së martës është bërë gati që të jetë spektator i asaj që ka krijuar për afro dy vjet. Valton Beqiri e ka vështirë të zërë vend e të jetë i qetë përballë Orkestrës dhe Korit të Filarmonisë së Kosovës. Në provën e përgjithshme, para premierës, vjen bashkë me dirigjentin. Diskuton me të për detajet.

E për vepër muzikore që zgjat rreth 40 minuta ato janë të shumta. Pos kësaj, periudha që mbulon “Rrugëtimi” që erdhi premierë në koncertin e Filarmonisë së Kosovës për shënimin e 13-vjetrorit të Pavarësisë së vendit është shumë e gjatë. Janë më shumë se 500 vjet histori. Nis nga të bëmat e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në mesjetë e vazhdon deri në ditët e sotme. Secila notë ka nga një copëz histori. Koha e parë e kantatës për kor dhe orkestër mban nëntitullin “Kastriotit” për të vazhduar me “Rilindjes”, “Qëndresës”, “Mallit”, “Lirisë” dhe “Jetës”. Rrëfimi vjen me bazë në melosin e këtyre anëve. E lëvizja me ritëm e ngjyra është mjeshtëri e kompozitorit. Por para “Rrugëtimit” fshihet një tjetër rrugë që ka bërë Beqiri për të ardhur në mbrëmjen e premierës.

Valton Beqiri i lindur më 1967 në Mitrovicë. Numëron mbi 500 orkestrime për formacione dhe zhanre të ndryshme muzikore. Po ashtu, rreth 20 vepra për kor e për orkestër. Por përtej rutinës ditore, Beqirit, i cili është edhe profesor në Degën e Artit Muzikor të Fakultetit të Arteve në Prishtinë, ka kohë që i kishte hyrë mendja që të punonte në një vepër më madhështore. E duke e konstruktuar idenë kishte vendosur që të përthekonte hiç më pak se gjashtë shekuj histori.

“Për një kohë të gjatë e kam bluar në kohë idenë për një vepër më madhështore. E ndieja si nevojë të përmbushjes artistike”, ka rrëfyer ai në studion e tij në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë. Po në atë bllok e ka edhe banesën. Punën midis njërës e tjetrës nuk e ndan. Përderisa në banesë nis të shkruajë, në studio e teston veten nëse ia ka thënë.

Për “Rrugëtimin” këtë e ka bërë shpesh. Ka shkruar pjesë të ndryshme, i ka “redaktuar”, u është rikthyer jo pak herë.

“Kantatat e tilla ndahen në pjesë të caktuara pasi janë të gjata”, thotë ai derisa qëndron krahas sintit dhe laptopit me partitura. Para ka disa partitura të veprave më të vjetra. Të kohës kur notat i shkruante me dorë.

“Emërtimi i veprës ka përkuar me një rrugëtim historik të popullit tonë”, thotë Beqiri derisa prek ballin me dorën e djathtë. Përmend me radhë periudhat të cilat mbulohen nga kjo vepër. E nis me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun dhe e përfundon me të.

“Gjithmonë kemi nevojë për një Gjegj Kastriot që të na bashkojë dhe të na çojë përpara”, thotë ai. Tregon se brenda veprës ka një zhvillim dramatik dhe në bazë të asaj që i ka thënë Gridi Kraja, dirigjenti i koncertit premierë, dhe disa interpretues, vepra është duke u pëlqyer. Këtë e ka vërtetuar edhe në mbrëmjen e së martës, por përjetimi i saj është një histori më vete.

Beqiri thotë se në vepra të tilla ka një përparësi tjetër pasi është e angazhuar edhe ana korale.

“Teksti ka dhënë mundësi që të drejtohet një porosi e caktuar”, thotë ai derisa u referohet gjashtë kohëve të veprës, duke lënë jashtë atë për Skënderbeun pasi është pjesë vetëm për orkestër.

Derisa rrëfen për udhën që ka bërë “Rrugëtimi”, shton edhe diçka. Nganjëherë i mbushet mendja se nuk e ka përfunduar. Përmend se ka mundësi të shtohen disa gjëra.

“Në kokën time kam dëshirë që t’i kem edhe disa figura. Për shembull Nënë Terezën që kam në plan ta punoj. Veprat pësojnë krehje. Pas dëgjimeve sheh se mungon diçka ose largon diçka”, thotë ai. Për premierë i është dashur të “notojë” goxha nëpër histori e vija melodike. Kësisoj, pos aspektit muzikor duhet t’u përshtatet figurave të caktuara apo një periudhe të caktuar historie. Në këto raste ndryshojnë edhe motivet.

“Nëse flasim për një situatë të lëvizjes paqësore nuk ka nevojë për temp të shpejtë, por për një vijë melodike që përkon me atë periudhë. Por kur flasim për luftën e çlirimin kemi tjetër temp”, thotë ai. Përderisa vijat e trasha i kishte në kokë qysh prej fillimit, thotë se detajet janë ato që vijnë si inercion që lind gjatë leximit të tekstit dhe punimit të veprës.

“Shpesh orientohemi në një drejtim dhe vepra na shtyn në tjetër anë. Por korniza vendoset që në fillim”, thotë ai. Rrëfimet që shpalosin veprat si “Rrugëtimi” janë pjesë e historisë së një populli. Por vija melodike, mesazhet që nxirren e drama që përshkruhet, i bëjnë ato, jo veç lokale, por edhe të tejkohshme e të pëlqyera edhe në vende të tjera. Kur flet për këtë aspekt, Beqiri thotë se vendet gjithmonë kanë nevojë për dikë që lufton.

“Pavarësisht se kur interpretohet, mesazhi do të jetë aty prezent. Duhet të jemi më largpamës sesa mesazhet e ditës”, thotë Beqiri. Sipas tij, veprat e tilla sa herë që interpretohen janë të kapshme. Por në përvjetorë sikurse ky i shtetësisë, marrin tjetër jehonë.

Është ithtar i asaj që të mos bëhen huazime nga meloditë e vendeve të tjera. Këtë pos që e thotë me bindje, i vërehet edhe një dozë krenarie.

Thotë se Kosova, Shqipëria, por edhe Ballkani në përgjithësi janë të pasura me rimte që nuk i ka Evropa. “Ne një konkurrencë apo në një treg botëror, pos një shkrimi me standarde muzikore, kemi mundësi të kemi një material që është atraktiv”, thotë ai. Për këtë merr shembull veprën e tij për orkestër harqesh dhe perkusione “Shpirti i traditës” e shkruar në vitet 2000 dhe 2011, që është interpretuar nga orkestra ballkanike në vende të ndryshme të botës. Është i bindur se veprat me melos shqiptar janë atraktive nëpër botë. Këtu luan rol edhe mundësia që kanë vendet e ndryshme që të pasurojnë repertorin shkaku që kanë shumë më shumë orkestra shtetërore dhe private.

Beqirit i ndërron çehrja nga paraditja në pasdite. Gjatë provës gjenerale duket se nuk zë vend. Por në koncert “zbutet” shkaku i urimeve të të pranishmëve. E pas koncertit është më i qetë. Pranon se ka pasur goxha stres.

“Derisa të përfundojë vepra jemi të shtangur. Veprat e tilla vokalo-instrumentale janë shumë të rëndësishme për repertorin e një ansambli siç është Filarmonia e Kosovës. Është mirë që kemi pasur mundësi të jemi në një koncert të tillë. Por fatkeqësisht numri i publikut është i kufizuar”, thotë ai. Urimet që merr ia balancojnë stresin me gëzimin e mirëpritjes së veprës. Është i interesuar të dëgjojë secilin koment. E pyet secilin se si i është dukur vepra. Kur i thuhet “e fuqishme”, mendohet pak dhe shton: “Nuk është mirë as shumë fuqishëm nganjëherë”. Për dallim nga arte të tjera, muzikës ia numëron një përparësi.

“Përparësinë e depërtimit më të shpejtë te emocionet e njerëzve”, thotë ai. Vargjet e Naim Frashërit, Adem Gashit, Jusuf Gërvalles e Ilir Shaqirit e plotësojnë rrëfimin që ka synuar autori i veprës.

“Vepra e ka rrugëtimin e vet dhe një stop i vogël vjen deri te shfaqja në koncert. Varet se si do të vazhdojë rrugëtimi dhe sa do të jetë në repertor”, thotë Beqiri. Por rruga e “Rrugëtimit” sa ka nisur. Pavarësisht nëse do t’i ndryshojë ndonjë pjesë a do të shtojë ndonjë tjetër, baza do të janë 600 vjet që rrëfehen e jetojnë nëpërmjet muzikës.