Kulturë

“Rrugëtimi drejt UNESCO-s” me sukseset e Shqipërisë, shembull për Kosovën

Rrugëtimin e suksesshëm të Shqipërisë me futjen e asteteve të trashëgimisë jomateriale nën mbrojtje të UNESCO-s, akterë të këryre nismave e kanë shpalosur të enjten në Prishtinë

Rrugëtimin e suksesshëm të Shqipërisë me futjen e asteteve të trashëgimisë jomateriale nën mbrojtje të UNESCO-s, akterë të këryre nismave e kanë shpalosur të enjten në Prishtinë

Pa qenë anëtare, rruga drejt futjes së aseteve të Kosovës nën mbrojtje të UNESCO-s është e largët, por sukseset e shumëfishta të Shqipërisë shpërfaqin qasjen e duhur. Nëpërmjet tryezës shkencore “Rrugëtimi drejt UNESCO-s”, tre anëtarë të grupeve punuese që kanë përgatitur dosjet e shtetit shqiptar për “Polifoninë me iso”, xhubletën dhe dijëbërjen e saj dhe “K’cimin e Tropojës”, tashmë trashëgimi botërore jomateriale, kanë paraqitur përvojat e tyre në këtë proces. Emërues i përbashkët i suksesit është mbajtja gjallë e asaj trashëgimie nga komuniteti përderisa shteti është vetëm përkrahës

Shqipëria sidomos kohëve të fundit ka avancuar sa i për përket futjes së trashëgimisë shpirtërore në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Nëpërmjet dokumentimit dhe përgatitjes së dosjeve, e po ashtu nëpërmjet anës diplomatike, shteti shqiptar ka arritur që si trashëgimi botërore shpirtërore të listojë “Polifoninë me iso”, xhubletën dhe dijëbërjen e saj e po ashtu edhe “K’cimin e Tropojës”.

Transumanca po ashtu ka hyrë në këtë listë, më në emër të Shqipërisë dhe nëntë shteteve të tjera ku është vërtetuar shtegtimi me kafshë varësisht stinëve. Arritja e fundit e shtetit shqiptar – por që nuk bën pjesë te trashëgimia materiale dhe nuk ka qenë pjesë e diskutimit në tryezën shkencore “Rrugëtimi drejt UNESCO-s”, që u mbajt të enjten në Institutin Albanologjik të Prishtinës – është edhe përfshirja e arkivit të Marubit në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës, në fund të javës së kaluar. 

Shtetet në të gjithë botën synojnë që asetet e tyre të trashëgimisë kulturore,  qofshin materiale apo shpirtërore,  të bëhen pjesë edhe e listës më prestigjioze që njeh globi, asaj të trashëgimisë botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë – UNESCO. 

Kosova më 2015 nuk ia doli të siguronte dy të tretat e votave në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s që të jetë anëtare e kësaj organizate. Duheshin 95 dhe u siguruan veç 93 vota. 

Nëpërmjet tryezës shkencore tre anëtarë të grupeve punuese, që kanë përgatitur dosjet e shtetit shqiptar, kanë paraqitur përvojat e tyre në këtë proces. 

Kompozitori e etnomuzikologu, akademik Vasil Tole, ka folur për përgatitjen e dosjes së “Polifonisë me iso”, që ishte pranuar në UNESCO më 2005. 

Ai ka sqaruar se për herë të parë në Shqipëri pas vitit 2000 filloi së zëni vend koncepti i trashëgimisë kulturore jomaterile, siç edhe thuhet ndryshe për trashëgiminë shpirtërore. Sipas tij, nisma për regjistrimin e “Polifonisë me iso” nuk do të vinte pa një strategji. Ka treguar se brenda tre vjetëve ia kanë dalë të bënin dosjen gati. Asokohe ai ishte udhëheqës i Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës dhe ka thënë se në mënyrë të shpejtë kishin ratifikuar konventat bazë të UNESCO-s. 

“Fakti që kjo trashëgimi kolektive ekziston në Shqipëri të Jugut dhe është përtej besimeve, do të thotë se është një kulturë e njëjtë para ardhjes së besimeve. Kjo ka qenë një shenjë e një organizimi të jetës në komunitet. Larmia melodike pranohet nga të gjithë si normalitet dhe kjo tregon se ka pasur një demokraci në këtë rast”, ka thënë akademik Tole. 

Në këtë rast ka sqaruar sirenat vajtore që gjenden edhe si gravura në gur. Sipas tij, bëhet fjalë për vajtore antike. 

“Janë tiparet e vajtuesve që janë të lidhura me këndimin polifonik, i cili në thelb ka origjinën nga vajtimi dhe prandaj ka jetuar gjatë pasi ka qenë i lidhur ngushtë me ritualin e vdekjes”, ka thënë ai. Ka kujtuar se ishin konsultuar me profesorin e ndjerë, Ramadan Sokoli, dhe i kishte këshilluar që të aplikonin me një aset të trashëgimisë shpirtërore që ka shtrirjen më të madhe gjeografike në Shqipëri.

Sipas tij, “Polifonia me iso” është baza e dhjetëra e qindra tipologjive. Kjo është arsyeja përse është vendosur edhe për titullin.  

“Në rast se nuk do të kishim këtë qasje, do të kishim luftë midis bashkive”, ka thënë ai. Ka treguar edhe një “hile” te qasja e asaj kohe. Ka thënë se kanë përgatitur një dosje fituese, por edhe e kanë vënë në lëvizje shtetin që nëpërmjet diplomacisë të vinin në dijeni anëtarët e jurisë së UNESCO-s që të kishin parasysh këtë dosje. Akademik Tole ka thënë se zemra e këndimit polifonik është Labëria. 

“Në rast se ju duhet një sugjerim për nesër, krijoni sa më shumë frymë me komunitetin që mban frymën e asaj trashëgimie”, ka thënë ai. Ka përmendur edhe nismën e vjetër që Eposi i Kreshnikëve të bëhet pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore. Ka thënë se ishte në një grup me studiuesin Zymer Neziri dhe kanë pasur konsulta. Sipas tij, Neziri kishte përgatitur një dosje më shumë shkencore dhe Kosova meqenëse nuk është anëtare e UNESCO-s, ajo s’mund të dorëzohej. 

Tash Shqipëria synon që nën titullin “Arti i të luajturit, të prodhuarit dhe të kënduarit me lahutë” të fusë në Listën e Trashëgimisë Botërore edhe të kënduarit me lahutë. Serbia prej vitit 2018 ka listuar në UNESCO “Të kënduarit nën shoqërimin e gusles”. Kjo asokohe u pa edhe si një fitore e Serbisë, përderisa rruga e eposit drejt UNESCO-s nxori në pah edhe mungesë koordinimi midis Shqipërisë e Kosovës. 

Sa i përket trashëgimisë shpirtërore, në mars të vitit 2021, Shqipëria do të aplikonte që xhubleta të pranohet në UNESCO. Në sesionin e 17-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në nëntor të vitit 2022 unanimisht qe vendosur shpallja e xhubletës dhe dijebërjes së saj si pjesë të Listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

“Xhubleta, shkathtësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit, Albania”, është titulli me të cilin xhubleta ka bërë vend në “Listën e mbrojtjes urgjente 2022”. Termi dijëbërja, që përdoret për mjeshtërinë punimit të xhubletës, mbetet diskutabil, por ashtu e përdor zyrtarisht shteti shqiptar. Meqenëse xhubleta është në listën e aseteve në rrezik, UNESCO-ja e ka përkrahur mbijetesën e saj fillimisht me 91 mijë dollarë. 

Etnologia Dorina Arapi ka sqaruar se kur përpilohet një dosje në grup duhet të jenë patjetër antropologë midis njerëzve që punojnë në terren. Sipas saj,  UNESCO-s nuk i intereson nëse xhubleta është katërmijë vjeçare, por si ruhet sot, cilat janë ritualet e dijëbërja. 

“Nuk shkon si artefakt”, ka thënë ajo. Sipas saj, gjatë punës në terren duhet evidentuar bartësit, duhet shqyrtuar fondet arkivore, aktivitetet që bëhen dhe literatura. Ka thënë se çdo dosje që shkon duhet të bazohet te komuniteti. 

“Duhet letër aprovimi nga çdo bartës. Kishim formularë të caktuar dhe bartësi shkruante me dorën e vet se është dakord që ky element të shkojë në UNESCO. Të gjitha përkthehen në anglisht si dëshmi që komuniteti e mbështet këtë proces. Në Bashkinë e Koplikut kemi bërë takim dhe kemi diskutuar me ta”, ka sqaruar ajo procesin e përgatitjes së dosjes për veshjen e grave të veriut të Shqipërisë. 

Ka thënë se pavarësisht që xhubleta përdoret edhe në Mal të Zi, në hartimin e dosjes nuk e përfshin shtetin fqinj pasi dorëzohen vetë nga Shqipëria. Sipas saj, duhet hartësuar se ku shtrihet elementi me të cilin synohet Lista e trashëgimisë botërore. 

“Ne gjatë punës në terren vumë re se elementi është në rrezik. Gjatë kohës së socializmit kishte një ndërprerje të elementit në komunitet”, ka sqaruar ajo.

Më 2024 përfshirja e “K’cimit të Tropojës” në listën UNESCO-s qe një tjetër kapitull i shndërrimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në vlerë botërore të njerëzimit. 

Antropologia Amanda Kodra-Hysa, që ka qenë pjesë e grupit të hartimit të dosjes, ka thënë se komuniteti është kryesori në këto raste. Sipas saj, asnjë gjë nuk duhet të vijë nga mendja e profesionistit duke thënë se atë e bën komuniteti.

Me iniciativën e komunitetit, saktësisht nga shoqata që udhëhiqet nga etnokoreografi Skënder Haklaj,

“K’cimi i Tropojës” më 2018 ishte marrë nën mbrojte si aset i trashëgimisë shpirtërore në Shqipëri. 

“Kur e mori ta bënte vetë dosjen komuniteti, nuk doli mirë. Duhet bashkëpunim me profesionistë. Emrin nuk ia vë dot komuniteti. Nëpërmjet titullit duhet të shpjegohet se çfarë përmban dosja”, ka thënë ajo. 

Sipas saj, rol të rëndësishëm luajnë edhe masat që ka marrë shteti për të ruajtur asetin. Ka përmendur festivalet, punëtoritë e aktivitete të tjera. Por, sipas saj, aktivitetet duhet të jenë iniciativë e komunitetit e jo të shtetit. Shteti mund t’i përkrahë ato. 

“Shteti mund ta përkrahë, por s’duhet ta organizojë. Nëse si shtet s’ke marrë masë mbrojtëse me ndonjë financim, atëherë përse duhet të kujdeset UNESCO-ja”, ka thënë ajo.  

Këtë muaj arkiva e negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubit është futur në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Teknologji – UNESCO, duke e renditur kështu ndër trashëgimitë më të çmuara të njerëzimit. Kësisoj, muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” në Shkodër tash njihet edhe si trashëgimi botërore. 

Qysh prej vitit 2006, Kisha e Shën Premtes në Prizren, Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës dhe Manastiri i Graçanicës janë monumente në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik të UNESCO-s. Janë futur në emër të Serbisë si “monumente mesjetare në Kosovë”. 

Nga ana e Kosovës, propozimi i Prizrenit për në UNESCO është një nismë e kahershme më shumë deklarative e temë panelesh. Konferenca "Prizreni dhe UNESCO - Alternativat e përfshirjes” pati zhvilluar punimet në vitin 2013, por pak veprime janë ndërmarrë që nga ajo kohë për zbatim të rekomandimeve. Deklaratat se “Prizreni po bëhet gati për UNESCO” jepen prej secilës qeveri.

“Prizrenin po e bëjmë gati për UNESCO” e kishte titulluar kryeministri tash në detyrë Albin Kurti, një postim në rrjete sociale në vjeshtën e vitit të kaluar, kur tok me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kishte vizituar tri shtëpi tradicionale, të cilat ishin restauruar. “Familjet Kirajtani, Vetimi e Munik i falënderuam për përkushtimin ndaj mbrojtjes së vlerave edhe kur në të kaluarën ka munguar mbështetja shtetërore. Gjatë mandatit tonë buxheti për trashëgiminë kulturore është për gati katër herë më i lartë. Vetëm në Prizren kemi investuar mbi 4.5 milionë euro, që është më shumë se i gjithë buxheti i vitit 2021 për trashëgimi kulturore”, kishte shkruar ai.